Lajme

Samiti i Prishtinë, frytdhënës për gratë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e shpalli të mbyllur Samiti Ndërkombëtar të Gruas në Prishtinë, duke e konsideruar shumë të suksesshëm për fuqizimin e rolit të gruas në Kosovë dhe rajon.

Pas tri ditë fjalimesh dhe debatesh të ndryshe nga gratë lidere të botës, përfundoi në Prishtinë Samiti Ndërkombëtar i Gruas me temën “Partneriteti për Paqe – Fuqizimi i Gruas”. Ky samit, siç tha presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, ka qenë frytdhënës duke fuqizuar mandatin dhe rolin e gruas në shoqëri.

“Pas tre ditëve produktive, kemi pasur shkëmbime markante, diskutime frytdhënëse, informata unike; ne gratë, edhe njëherë, bashkuam zërat, të vendosura që të vazhdojmë angazhimin tonë drejt fuqizimit të grave”, tha në ceremoninë përmbyllëse presidentja Jahjaga.

Është obligim i të gjithë grave, siç tha presidentja, që të ngritin zërin dhe të bëhemi zëri i të gjitha grave në shoqëritë, kudo ku shkelen të drejtat e grave. ‘Ne kemi përcaktuar gjendjen se ku qëndrojmë si individë, si udhëheqës, si shoqëri dhe si regjion në çështjen e barazisë gjinore, që në thelb është çështje që tregon se sa komplete është demokracia”, ka thënë Jahjaga.

Ajo tha se për tri ditë rresht janë elaboruar problemet që ndërlidhen me reprezentimin e padrejtë të grave. “Kur diskutuam të drejtën në pronë, mësuam se nuk ka mungesë të legjislacionit, por gratë nuk i shfrytëzojnë përparësitë në të cilat kanë të drejtë dhe nuk shfrytëzojnë aktet ligjore të cilat i barazojnë me anëtarët e tjerë të shoqërisë’, u shpreh ajo.

Më thelbësorja, sipas presidentes kosovare, është mësimi se si gratë duhet të ndërtojnë partneritete me bizneset dhe qeveritë, sepse këto partneritete “do të mbeten trashëgimi për gjeneratat e ardhshme te grave”.

Ky samit, siç ka thënë Jahjaga, ka nxjerr disa rekomandime të quajtura “Principet e Prishtinës”, të cilat do të shërbejnë si udhërrëfyesve për hapat e ardhshëm të cilat duhet ti ndërmarrim si shoqëri në Kosovë, regjion dhe më gjerë në mënyrë që të tejkalohen pengesat e mbetura për fuqizimin e grave.

“Kemi për qëllim që të veprojmë mbi këto principe duke ndërmarrë masa konkrete në fuqizimin e grave në sektorin ekonomik, sepse siç e kemi thënë gjatë gjithë kohës, fuqizimi ekonomik i grave është esencial për rritje ekonomike dhe që garanton qasje të grave në siguri, drejtësi dhe vendim marrje”, tha Jahjaga.

Si rezultat i këtij samiti, siç tha presidentja, do të krijohet një Grup Themelues nga 7 anëtarë, të gjitha gra afariste, të cilat deri në fund të vitit, do të identifikojnë, mandatin dhe strukturën e një organizate të re joqeveritare për fuqizimin e grave e cila do të udhëhiqet nga gratë kosovare për gratë kosovare.

Në këtë samit kanë marrë pjesë rreth 200 gra lideri nga gjithë bota, përfshirë ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Medeline Albright, kryeparlamentaren shqiptare, Jozefina Topalli, ministren e jashtme kroate, Vesna Pusiq, Oli Ren, etj.