Lajme
Është i gabueshëm emërtimi i universiteteve me emrat e figurave të shquara historike
Emërtimi i Universitetit të Prishtinës me emrin e Hasan Prishtinës, i Universitetit të Pejës me emrin e Haxhi Zekës, i Universitetit të Prizrenit ndoshta me emrin e Ymer Prizrenit, është krejt i paqëlluar.
I paqëlluar jo vetëm pse universitetet evropiane dhe ato të tjera të botës së qytetëruar mbajnë kryesisht emrin e qytetit ku veprojnë dhe identifikohen me vlerat që ofrojnë, por edhe për shkak se, në të shpeshtën, prapa këtyre emërtimeve fshihen përpjekjet e rektorëve për t’u identifikuar me emrat e vendosur dhe për t’u bërë kështu bashkë me figurën e tij të zgjedhur historike pjesë e historisë. Kështu Ibrahim Gashi në të ardhmen synon të jetë pakëz edhe Hasan Prishtinë, Armend Krasniqi domosdo pakëz edhe Haxhi Zekë e Mujë Rugova edhe Hasan Prishtinë, edhe Haxhi Zekë…
Esencialisht emërtimet e tilla nuk e përmirësojnë imazhin e universiteteve tona, nuk e shtojnë cilësinë e menaxhimit të tyre, as nuk e shtojnë nivelin e punëve kërkimore – shkencore, të cilat, ashtu – kështu, mungojnë plotësisht në universitetet tona.
Ky emërtim i universiteteve me emrat e figurave historike është pasojë logjike e drejtimit të universiteteve nga politikanët. Ibrahim Gashi erdhi në krye të Universitetit të Prishtinës direkt nga politika, bile nga posti i zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Mujë Rugova, edhe pse me një përvojë të caktuar prej pedagogu universitar, nuk kishte ndonjë përvojë të caktuar organizimi dhe drejtimi të institucioneve arsimore, përjashtuar këtu ndonjë pjesëmarrje në ndonjë manifestim të karakterit populist, do me thënë edhe ai ishte i katapultuar i politikës. Politika e solli, e politika do ta heqë Ibrahim Gashin nga universiteti, ashtu siç e solli dhe e hoqi për ta dërguar kushedi se ku (ambasador, zëvendësministër të ndonjë vendi vakant të ndonjë ministrie…) edhe paraardhësin e tij, Mujë Rugovën.
Politika i është futur thellë në zemër e në kokë universitetit. Qeveria, përkatësisht Ministria e Arsimit, në emër të kompromiseve politike po i politizon në vazhdimësi universitetet. Edhe organizata të ndryshme studentore, të quajtura të pavarura, por esencialisht, siç mund të shihet e të kuptohet nga metodat dhe fjalori që përdorin, të varura thellë nga partitë politike, s’po bëjnë gjë tjetër veçse polin e kundërt të të njëjtit proces.
Personalitetet historike kombëtare nuk duhet të jenë ndajshtimet e universiteteve. Personalitetet historike kombëtare duhet ta zënë vendin e tyre të rëndësishëm në ligjëratat mbi historinë, e veçanërisht në ligjëratat krahasimtare historike. Më shumë se kudo tjetër, në universitet, figurat e tilla duhet të vendosen nën llupën e trajtimit kritik, sepse universiteti është studim, krahasim, vënie në pyetje, shtrim tezash e provim kundërtezash.
Universitetet s’kanë nevojë për atribute plotësuese, sepse atributi i tyre i mjaftueshëm është vetë fjala universitet. Misioni i universiteteve është thjesht ta përmbushin misionin e të qenit thesar mendimesh e laboratorë provash. Nga ky qëllim universitetet tona, jo vetëm ato në Republikën e Kosovës, por edhe ato në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Maqedonisë jo vetëm se janë larg, por, me caktimin rektorë të politikanëve, po i largohen edhe më arritjes së këtij qëllimi.
Fata Morganën, si fenomen optik, duhet ta mësojnë dhe ta studiojnë studentët e universiteteve tona, por s’do të duhej të lejonin të bëheshin vetë Fata Morganë.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”










