Lajme

Privatizimi, përplasen ligjvënësit kosovarë

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi kërkoi përgjegjësi për ata që e kanë shkatërruar procesin e privatizimit. Ai tha se qeverisja ka ardhur me votat e vjedhura.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për të dytën herë brenda një muaji, debatuan për çështjen e privatizimit në Kosovës, por pas një debati të nxehtë dhe maratonik, nuk arritën të nxjerrin konkluzione për vazhdimin apo ndërprerjen e këtij procesi. Debati nuk solli asgjë të veçantë, përveç akuzave të ndërsjella.

Por, ndryshe nga debatet e tjera që akuzuat shkëmbeheshin nga tabori opozitar në atë qeveritar, kësaj radhe në Kuvendin e Kosovës u shfaq kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili akuzoi rëndë qeverisjen e tij, për privatizimin dhe për legjitimitetin. Ai tha se kjo nomenklaturë qeverisëse ka ardhur nga votat e vjedhura.

Ai po ashtu shfaqi shumë pakënaqësi në mënyrën e si ka rrjedhur privatizimi në Kosovë, ndërsa përmendi vetëm rastin e hotelit “Grand” dhe përfshirjen e sekserëve në këtë proces.

“Dikush mund ta akuzojë të ndjerin Dino Asanaj, por ai nuk ka qenë aq i fortë, ai nuk ka pasur bodyguarda (truproja), që të jetë boss-i. Kush është boss-i i vërtetë? Këtë duhet ta tregojë gjyqësia, prokuroria dhe hetuesia”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka thënë haptazi se bosi i keqpërdorimeve duhet kërkuar diku tjetër. “Por, kush është bosi i kësaj gjurulldie…këtë duhet ta zbulojë hetuesia. Por, a kemi hetuesi të besueshme. Për fat të keq jo”, tha Krasniqi.

Derisa vërejtjeve të Krasniqit iu bashkua edhe deputeti Fatmir Limaj, ishte kry Hashim Thaçi i cili iu doli kundër “miqve të tij”. Ai tha se përgjegjës për dështimin është koalicioni i kaluar AAK-LDK, ndërsa bëri thirrje që procesi i privatizimit të vazhdojë sepse është mënyra e vetme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Debati për privatizimin u incizua nga shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri,. Ky i fundit dhe Vetëvendosje mendon se procesi i privatizimit ka dëmtuar rëndë zhvillimin ekonomik të vendit dhe nuk ka sjell asnjë rezultat pozitiv.

Ky proces, sipas Ymerit, ka lënë pa punë 76 mijë punëtorë, prandaj është i dëmshëm dhe duhet të stopohet. Madje gjatë periudhës sa po zhvillohej debati në Kuvend, aktivistët e Vetëvendosje i mbuluan rrethojat e Kuvendit me fletët e peticionit kundër privatizimit që ishte zhvilluar një muaj më parë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ndërkaq ka thënë se sektori privat dhe privatizimi nuk shkatërrojnë ekonominë por është e kundërta. Ai tha se politikat jo të favorshme, qasja centralizuese dhe tendenca racionalizuese e shkatërrojnë ekonominë dhe e fundosin për gjenerata e gjenerata.

“Unë jam shumë i bindur se të gjithë ata njerëz, të cilët nuk e përkrahin ekonominë e tregut, të cilët propagandojnë ekonomi të planifikuar dhe të centralizuar – të gjithë ata, të cilët fatkeqësisht po pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë …janë në anën e gabuar edhe politike edhe ekonomike”, ka thënë ministri Beqaj.

Në fund të seancës, iniciuesi i këtij debati Visar Ymeri nuk arriti ta futë në rend të ditës një deklaratë me të cilët të votohej ndalimi i mëtejmë i privatizimit. Debati përfundoi pa asnjë rezultat konkret.