Lajme

Virusi i “Nilit” alarmon Maqedoninë

Sipas mjekëve në Klinikën e Shkupi, pacientët e infektuar me “Nilin perëndimor” i përkasin moshave, 7 respektivisht 66 vjeçe

Virusi i “Nilit perëndimor” i shkaktuar nga pickimi i mushkonjave, pas vdekjes së një pacienteje në Shkup, e ka alarmuar Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni, e cila ka marrë masa për preventivë nga ky lloj virusi. Në Klinikën Infektive në Shkup janë të shtrirë edhe dy pacientë, gjendja e të cilëve raportohet të jetë stabile.Sipas mjekëve në Klinikën e Shkupi, pacientët e infektuar me “Nilin perëndimor” i përkasin moshave, 7 respektivisht  66 vjeçe.  “Dy pacientët janë në gjendje stabile dhe se po vazhdon trajtimi i tyre”, citon INA infektologen Valerija Kirovska.Kjo e fundit nuk ka dhënë detaje se pacientët janë infektuar brenda, apo jashtë shtetit,  derisa janë hedhë dyshimet se 55 vjeçarja që vdiq nga ky virus, mund të jetë infektuar gjatë pushimeve në Greqi. Gruaja që pësoi nga “Nili” sipas mjekëve në Shkup, më herët kishte vuajtur nga diabeti dhe hipertensioni.Sipas infektolëgëve, virusi i “Nilit perëndimor” nuk dallon shumë nga gripi i rëndomtë, ndërsa simptomat janë sikurse tek ftohja. Ndërsa më të atakuarit nga ky virus, janë njerëzit që kanë imunitet të dobët. Virusi nuk përcillet përmes njerëzve, por vetëm nga kafshimi nga mushkonjat. Shkencëtarët kanë theksuar se bartësit kryesor të këtij virusi janë shpezët.Drejtori i Klinikës Infektive, Zvonko Milenkoviq ka thënë se janë ndërmarrë masat për të përballur fluksin e mundshëm të pacientëve që mund të jenë viktima të infektimit nga ky virus vdekjeprurës. Vitin e kaluar janë evidentuar katër raste të infektuara me këtë virus, mirëpo ato pas terapive dhe trajtimit mjekësor janë shëruar me sukses.