Lajme

Nuk do të ketë rritje të ushtarëve të KFOR-it

Në fund të shtatorit, 550 ushtarë italianë të vendosur në veri të Kosovës do të zëvendësohen nga një batalion gjermano-austriak

Në periudhën e ardhshme nuk do të ketë rritje të numrit të ushtarëve të forcës paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë, por në fund të shtatorit do të ketë zëvendësim të një numri të caktuar të ushtarëve.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Novicki ka potencuar se në fund të shtatorit, 550 ushtarë italianë të vendosur në veri të Kosovës në Zubin Potoku, do të zëvendësohen nga një batalion gjermano-austriak nga forcat operative rezervë.

Zëdhënësi i KFOR-it ka konfirmuar për Radio “Kontakt plus” se aktualisht në Kosovë janë të vendosur 5.609 ushtarë nga 30 vende të ndryshme të botës dhe se nuk do të vijnë forca shtesë, transmeton telegrafi.

Situatën në veri të Kosovës, ai e ka cilësuar kryesisht të qetë dhe stabile, duke potencuar se ekziston një shqetësim tek qytetarët, i cili, sipas tij, mund të jetë shkaktuar nga shpifjet e ndryshme që qarkullojnë nëpër media.

Ai ka përmendur si shembull spekulimet se KFOR-i do të shtojë numrin e ushtarëve në teren dhe se do të mbyllë të gjitha vendkalimet në veri, gjë që, sipas tij, është e pavërtetë.