Lajme

Në kufirin Kosovë-Serbi, lëndohen 32 policë kosovarë

Pas dështimit për të hyrë në Kosovë, disa qindra serbë kanë sulmuar me mjete të forta dhe armë zjarri Policinë e Kosovës. Raportohet për 32 policë të lënduar.

Më shumë se 30 policë kosovarë janë lënduar të enjten në mëngjes nga një grup ekstremistësh serbë të cilët pas dështimit për të hyrë dhunshëm në Kosovë, kanë sulmuar me gurë dhe armë zjarri, policinë e Kosovës në pikën kufitare në Merdare në kufirin Kosovë-Serbi.

Ngjarja ka ndodhur në mëngjes, kur një grup i serbëve të ardhur nga Serbia me idenë për të marrë pjesë në festën e “Vidovdanit”, janë ndalur nga Policia e Kosovës në vendkalimin në Merdare, e cila është përpjekur t’i kthej mbrapa.

Mirëpo, sipas burimeve zyrtare, serbët të revoltuar nga ky veprim i policisë, kanë përdorë dhunë mbi policinë kosovare duke gjuajtur me gurë e gjësende të tjera. Përfshirë edhe armët e zjarrit. Nga ky veprim i dhunshëm i ekstremistëve serbë janë plaguar 32 policë.

Ndërsa medet serbe kanë raportuar edhe për dhjetë serbë të lënduar, “nga plumbat e gomës apo plumba të vërtetë”. Ky veprim i serbëve ka pasur edhe një provokim tjetër, po ashtu të serbëve të ardhur nga Serbia, të cilët ishin mbledhur në afërsi të urës kryesore në Mitrovicë, duke tentuar të hyjnë në pjesën jugore të banuar nga shqiptarët.

“Policia me qëllim të qetësimit të situatës ka përdorur sprejin dhe ka larguar këta qytetarë në pjesën veriore të urës dhe nën përcjellje të policisë me dy autobusë, të njëjtit janë përcjell në pikën kufitare në Merdarë, nga ku janë larguar nga Kosovas”, njofton policia.

Menjëherë pas këtij incidenti ka reaguar ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Edhe ky ka konfirmuar se disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar, përderisa po pengonin kalimin në Kosovë të një grupi serbësh në Merdare.

Gjatë një informate të prezantuar para Kuvendit të Kosovës, Rexhepi tha se janë gjithsej 32 policë të lënduar. Por, sipas tij, të gjithë kanë lëndime të lehta dhe nuk bëhet fjalë për lëndime të rënda trupore. Ekstremistët, sipas Rexhepit, i përkasin grupit të njohur të simpatizantëve të futbollit “Cërvena Zvezda” të njohur si “Delije”

Ndryshe sot, serbët e shënojnë “Vidovdanin” një festë që përkujton 623 vjetorin e Betejës së Kosovës, e cila është zhvilluar në Gazimestan ndërmjet forcave aleate ballkanike dhe perandorisë osmane. Kjo festë nga serbët konsiderohet si e tyre.