Lajme

Akcizë për goma të vjetra

Çdo kompani apo qytetar që importon goma të vjetër, prevë taksave duhet të paguaj 5 euro akcizë

Në prag të ardhjes së mërgimtarëve, Qeveria e Kosovës ka filluar të aplikoj edhe masa shtesë për mbushjen e buxhetit. Nga fillimi i qershorit ka hyrë në fuqi aplikimi i akcizës për gomat e vjetra, të cilat jo vetëm gomistët, por edhe mërgimtarët i sjellin në Kosovë gjatë ardhjes.

Sipas këtij vendimi, çdo kompani apo qytetar që importon goma të vjetër, prevë taksave të zakonshme tash e tutje duhet të paguaj 5 euro për një gumë të vjetër.

Ky vendim, siç thuhet, ka hyrë në fuqi pas kërkesë së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, se gomat e vjetra po e ndotim ambientin nga djegiet e tyre, si dhe po shkaktojnë aksidente në komunikacion për shkaka të vjetërisë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza i ka deklaruar gazetës “Zëri” se Ministria e tij fillimisht ka kërkuar që të ndalohet komplet importi i gomave të vjetra, por pas diskutimeve, Qeveria siç tha ai, ka marrë vendim që të mos e ndalojë importin, por të aplikojë akcizën.

Edhe drejtori i Doganave Naim Huruglica e ka konfirmuar fillimin e vendimit të Qeverisë për import të gomave të vjetra.

“Vendimi ka hyrë në fuqi që një javë, por aktualisht nuk kemi ndonjë të dhënë nëse ka rënë importi i gomave, thasëve dhe poçeve, prej se kur ka nisur të zbatohet ky vendim”, tha drejtori Huruglica.

Sipas këtij të fundit, akciza ka filluar të aplikohet edhe për qese të bërllokut dhe tre lloje të poçeve elektrike.