Lajme

Miliardat pa efekt

Katër vjet pas Konferencës së Donatorëve për Kosovën ku u zotuan 1 miliard e 400 milion euro dhe tash kur buxheti i shtetit është po kaq i lartë, vendi ende radhitet ndër më të varfrit në botë.

Kosova ka përfituar 1 miliard e 400 milion euro nga konferenca e donatorëve e mbajtur në korrik të vitit 2008, vetëm disa muaj pasi vendi shpalli pavarësinë nga Serbia.

Në atë kohë ishte thënë se shumëçka do të ndryshonte, me ardhjen e kësaj sasie të madhe parash, të zotuara nga shtete të ndryshme, kryesisht mbështetëse të pavarësisë.

Gjithashtu buxheti i shtetit vazhdimisht ka pasur rritje, duke mbërritur deri te ky i vitit 2012, që është planifikuar për 1 miliard e 400 milion euro.

Por tash gati katër vjet më vonë pas zotimit të donacioneve dhe rritjes së buxhetit, jo shumëçka në aspektin ekonomik duket se ka ndryshuar për mirë në shtetin e ri.

Madje bazuar në disa tregues, në çështjet sociale, vendi është edhe më keq.

I fundit është raporti i faqes së njohur të internetit që merret me çështje të tilla, “Business Insider”, e cila Kosovën e ka vënë në top dhjetëshen e parë botërore për nga fukarallëku.

Vendin e nëntë në këtë radhitje, Kosova e ka zënë duke u bazuar në disa kritere, siç janë papunësia dhe norma e inflacionit.

Kjo listë është përpiluar sipas të dhënave të mbledhura nga “World Factbook” e Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA).

Duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga CIA World Factbook, shteti më i ri në Evropë thuhet se e ka papunësinë 45.3 për qind, ndërsa indeksi i inflacionit është vlerësuar 8.3 për qind.

Njohës të çështjeve ekonomike në vend thonë se varfëria është evidente, ndonëse disa prej tyre besojnë se edhe të dhënat zyrtare, nuk janë shumë të qarta e në disa raste jo edhe aq të sakta.

© Ibrahim Rexhepi

Ibrahim Rexhepi, një nga analistët e çështjeve ekonomike thotë për Albinfo.ch se asnjë shtet nuk është forcuar duke marrë donacione, por duke hartuar politika të qarta ekonomike.

“Nga ato 1 miliard e 400 milion euro donacione të zotuara, bazuar në një hulumtim që kemi bërë kohë më parë ka rezultuar se 54 për qind e parave nuk kanë ardhur fare në Kosovë”, thotë Rexhepi për Albinfo.ch.

Ai sqaron se më shumë se gjysma e parave ka mbetur në shtetet që i kanë zotuar ato, për shkak se janë dhënë për të bërë hulumtime, hartuar projekte e gjëra të tilla si këto.

“Kurse 1 miliard e 400 milionët e buxhetit të qeverisë janë destinuar kryesisht për rroga të administratës dhe asfalt. Nuk ka qasje për ndërtim të ekonomisë”, thotë analisti Rexhepi, i cili shton se përveç kësaj, edhe 60 për qind e dërgesave të parave nga mërgimtarët harxhohen për konsum.

“Nga remitancat, vetëm 10 deri 15 për qind investohen”, thotë Rexhepi, me konstatimin e të cilit pajtohet edhe analisti tjetër i çështjeve ekonomike, Selatin Kaçaniku, i cili gjithashtu drejton organizatën “Konsumatori”.

© Selatin Kaçaniku

Kaçaniku tregon për Albinfo.ch se remitancat nuk janë duke u menaxhuar si duhet, kurse sa i përket të dhënave për varfëri në vend, beson se shteti ka edhe probleme me vërtetësinë e statistikave.

“Por problem është edhe mos zbatueshmëria e ligjeve duke bërë që një pjesë të pasurohen brenda natës e popullata të mbetet me gishta në gojë”, thotë Kaçaniku për Albinfo.ch.

Por kështu duket se nuk mendon kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, i cili në takimin që pati me shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Bashkimit Evropian në Kosovë, Christof Stock, tha se vendi i ka shfrytëzuar maksimalisht ato donacione.

Madje deklarata e tij u mbështet edhe nga Christof Stock i cili ndër të tjera u shpreh se Republika e Kosovës i ka shfrytëzuar donacionet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Megjithatë, duke folur për donacionet që janë dhënë për Kosovën dhe kushtet që kanë krijuar ato për qytetarët e vendit, Kryeministri Thaci tha se përmbushja e nevojave të qytetarëve është e pamundur.

Sipas tij, nevojat e vendit, i tejkalojnë kapacitetet që i ka Kosova, së paku tash për tash.

Ndërkaq, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Bashkimit Evropian në Kosovë, Christof Stock ka thënë se Kosova i ka shfrytëzuar donacionet në mënyrën më të mirë të mundshme, me synimin që ta ndihmojmë edhe më tej që të afrohet drejt Bashkimit Evropian.

“Fondet e nevojshme për Kosovën janë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme për Kosovën. Ne të gjithë kemi një objektivë të përbashkët, që të ndihmojmë Kosovën që të afrohet më afër Evropës dhe t’i ndihmojmë rreth integrimeve evropiane”, ka thënë ai.

Në konferencën e donatorëve në korrik 2008, Komisioni Evropian ka premtuar 508 milionë euro, duke kombinuar ato me premtimet e shteteve anëtare të BE-së.

Kjo do të thotë se shuma ka qenë gati 50 për qind e asaj të zotuar gjatë konferencës.

Kosova e varfër

Sipas radhitjes së bërë nga “Business Insider”, në vendin e pare për nga varfëria në botë ndodhet Zimbabveja (Indeksi i Mjerimit: 100.6%, Inflacioni: 5.6% dhe Papunësia: 95.0%); e pasuar nga Liberia (Indeksi i Mjerimit: 95.0%; Inflacioni: 10.0%, Papunësia: 85.0%); Burkina Faso (Indeksi i Mjerimit: 80.6%, Inflacioni: 3.6%, Papunësia: 77.0%); Turkmenistani (Indeksi i Mjerimit: 75.0%, Inflacioni: 15.0%, Papunësia: 60.0%); Xhibuti (Indeksi i Mjerimit: 66.0%. Inflacioni: 7.0%, Papunësia: 59.0%); Namibia (Indeksi i Mjerimit: 56.5%, Inflacioni: 5.3%, Papunësia: 51.2%); Jemeni (Indeksi i Mjerimit: 55.0%, Inflacioni: 20.0%, Papunësia: 35.0%); Nepali (Indeksi i Mjerimit: 53.8%, Inflacioni: 7.8%, Papunësia: 46.0%); Kosova (Indeksi i Mjerimit: 53.6%, Inflacioni: 8.3%, Papunësia: 45.3%); Bjellorusia (Indeksi i Mjerimit: 53.4%, Inflacioni: 52.4%, Papunësia: 1.0%).