Lajme

James Berishës nuk i ndezë motori

Për pilotin kosovar, finalizimi i misionit „Unë Fluturoj për Kosovën“ ka mbetur në vullnetin e duarve të diasporës shqiptare në Zvicër!

Siç dihet tashmë një vit, misioni i pilotit James Berisha „Flying for Kosovo“ është shndërruar në mision „Sleeping for Kosovo“ -dhe jo se piloti ndjen lodhje nga fluturimi i nisur dy vite më parë, e as për mungesë karburanti a ndonjë pengese që do të mund ti shkaktonte diplomacia serbe, por thjeshtë për një defekt në motorin e avionit, i cili, siç jeni informuar me parë, pas një fluturimi lobues, i pëlset motori në ajër duke e detyruar pilotin të aterrojë dhunshëm në një rrugë të shkretirës së Sudanit. Që atëherë kartat e pilotit Jamës Berisha janë denigruese. Në mungesë të të hollave për riparim të avionit, James Berisha vazhdon misionin e tij lobues me aeroplan komercial, por, vetëm deri në Eritrea, ku pas pesë ditë qendrimi aty burgoset nën dyshimin se është agjent amerikan.

Pas një tmerri gjashtëtrmujor të përjetuar në burgjet e shtetit afrikan, në Eritrea, J. Berisha lirohet me ndihmën e diplomacisë së shtetit shqiptar, përkatësisht angazhimin e jashtëzakonshëm, siç thotë ai vetë, të zv/ ministrës së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edit Harxhi, si dhe të biznismenit e zv/ ministrit të Kosovës, Behxhet Pacolli. Dhe kushdo që kishte menduar se nga këtu e këtej kartat e pilotit lobues iu kthyen së mbarës, kupton shpejtë se piloti James Berisha ka ende sfida të vështira përballë misionit lobues për pavarësi të Kosovës. Tanimë jo nga të tjerët, por nga të vetet. Nga ata që ky mision do duhej të ishte Alfa dhe Omega e punës së tyre. Pra nga Qeveria e Kosovës! Ndërkohë që vetë J. Berisha nuk e mohon se brenda Qeverisë së Kosovës në disa raste ka pasur mbështetje.

Mirëpo injorimi që tregon Qeveria Kosovës për misionin e tij lobues tani që është në fazën përmbyllëse, i ngjanë thënies së vjetër popullore; „Për inat të resë, më vdektë djali“. Ndryshe James Berisha nuk mund ta shpjegojë mosgatishmerinë e qeveritarëve tanë për ta ndihmuar përfundimin e misionit lobues që kërkon jo më shumë se 50 mijë euro për rregullimin e avionit Cesna, i cili pastaj parashihet të vendoset në muzeun e Kosovës. „Kanë mbetur vetëm edhe dy shtet, Egjipti dhe Libia dhe aeroplanin lobues do t’ia dhuroj muzeut të Kosovës“, premton piloti James Berisha në një takim lobues mes bashkëatdhetarëve në St. Gallen të Zvicrës -jo më për pavarësi të Kosovës, por për të mbledhur mjetet e nevojshme financiare për rregullimin e avionit. Prej një patrioti kryelartë, James Berisha është kthyer në një lëmoshëxhi që troket derë me dere, jo për teke e qejfe personale, por për një mision fisnik e në shërbim të vendit, shprehin keqardhje disa motoristë të klubit Plisat në bisedë e sipër rreth aksionit për mbledhjen e shumës së nevojshme.

I pyetur për përshtypjet e tija ndaj mergatës shqiptare në Zvicër, ai shprehet të jetë i tmerruar me detyrimin e tij për të kërkuar fonde. „ Pa marrë parasysh a është një person me njëqindë milionë apo një miliardë, ishë tmerr“. Shumë më shumë kam gjetur përkrahje te ata njerëzit që mbijetojnë me rroga mujore se sa tek ata që kanë biznese“ fletë i shqetësuar James Berisha, i cili thotë se misioni si i tillë ndonëse vlerësohet shumë, përkrahje financiare nuk ka. Në Gjermani i kemi bërë 3 mijë km për dhe nuk kemi arritur asnjë euro me marrë, vetëm çka kemi shpenzuar. Në krejt Austrinë, dy persona kanë dhënë për këtë mision. Gjer sa shprehet optimist se në Zvicër duket shumë më mirë.

Deri më tash kam tubuar rreth 35 mijë dollarë nga aksionet e zhvilluara në Amerikë dhe në Zvicër. Me këto të holla që kam grumbulluar tani, thotë se shumë shpejt, brenda dy tri javeve do të shkoj në Sudan për të filluar riparimin e aeroplanit.

© albinfo.ch

© albinfo.ch

Qemaj Sermaxhaj, kryetari i „Shqiponjave“ tha të jetë i informuar për problemet me të cilat është ballafaquar piloti James Berisha, dhe nisur nga misoni i tij që është në shërbim të shtetit, ne e përkrahim kush me sa të mundet. Gjithsesi këte aksion e përkrahin edhe Plisat tha ndër të tjera Agron Azemi, nënkryetar i Plisave dhe ata bashkë i bënë apel anëtarëve që ta mbështesin këtë aksion.

J. Berisha i premtoi motoristëve të dy klubeve se me përfundimin e misionit, avioni Cesna, do të vendoset në muzeun e Kosovës, si flutarakja që ka përshkruar 95 shtete në lobim të vendit të tij, Kosovës. Prej rreth 70 motoristëve që ishin tubuar në këtë takim të organizuar nga Klubi Plisat, u mblodhën rreth 1170 franga dhe 170 Euro, pra rreth 1400 franga, që mbase sadopak ndihmojnë në ecjen drejtë finalizimit të këtij misioni, u tha në fund të aksionit.

© albinfo.ch

Intervistë:

Albinfo.ch: çfarë ka bërë Qeveria e Kosovës për ta sjellë avionin lobues në Kosovë?

James Berisha: Asgjë nuk kanë bërë! politikanët tanë nuk tolerojnë dotë koka të mençura afër veti, sepse kokat e mençura për ta rrezikojnë ambiciet e mëdha që kanë për pushtet. Kështu që unë me misionin „Flying for Kosovo“ jemi një lloj pengese, një lloj rivaliteti për ta.

Vlora Çitaku, asokohe zv. ministre e Punëve të Jashtme, është e vetmja nga Qeveria e Kosovës që ka mbështetur lobimin tim edhe para edhe në takimet e Qeverisë. Më ka mbështetur edhe me një shumë prej 10 mijë eurosh. Kurse të tjerët nuk kanë treguar interesim.

Albinfo.ch: Ku e ka frymëzimin idea për lobim të pavarësisë. Në dëshirën për ta shetitur botën apo në brengën për pavarësi të vendit?

James Berisha: Si pilot botën e sheh edhe pa këtë mision. Mua me ka penguar imazhi negativ që ka përhapur Serbia për ne. Propaganda serbe që na ka paraqitur neve si njerëz të egër, pa civilizim e të çmendur. Por edhe lufta e gjaku që është derdhë, vuajtjet e vrasjet që ka përjetuar populli ynë, më kanë shtyrë që ta marrë këte hap për ndryshim të imazhit negativ për popullin shqiptar.

Albinfo.ch: Si e vlerëson misionin lobues, sa ka qenë i sukseshëm?

James Berisha: Mendoj se është bërë një publicitet, një lobim apo një senzibilizim

Jashtëzakonisht i madh. Sepse kur shkonë në një shtet për lobim me avion dhe secila gazetë shkruanë për popullin e Kosovës, për të drejtën për pavarësi e fletë për mbi një orë në televizionet e tyre për Kosovën, efekti është padyshim shumë pozitiv. Popujtë dhe qeveritë e vendeve të vizituara kuptojnë më për së afërmi se çfarë dhe pse ne kërkojmë pavarësi apo njohjen e shtetit tonë. Deri më tani kam dorëzuar 40 letra ministrive të punëve të jashtme, që ne kërkojmë, pra Qeveria e Kosovës (sepse letrat mi kanë dhënë ata) njohën e Republikës së Kosovës.

Albinfo.ch: Domethënë misioni lobues është në koordinim me Qeverinë?

James Berisha: Po, Qeveria e Kosovës ka qenë e njoftuar për misionin tim. Kohëve të fundit Vlora Çitaku më ka dhënë një letër që misioni „Flying for Kosovo“ është në koordinim me Qeverinë Kosovës. Kemi bashkëpunuar, mirëpo jo qind për qind në aspektin financiar. Plus kësaj, Vlora Çitaku mi ka dhëne 42 letra dhe tani më kanë mbetur edhe dy letra për t’i dorëzuar. Sa për dijeni të lexuesit, shumica e shteteve kanë treguar mirëkuptim për pavarësinë e vendit, por që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur ta njohin pavarësinë e Kosovës.