Lajme

Shënohet Dita e Lirisë së Shtypit, bojkotohen institucionet

RTK ka marrë vendimin e parë të këtij lloji që prej themelimit, të mos e transmetojë seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës

Në Kosovë, gazetat e përditshme duken pak më ndryshe sot seç duken ditët tjera. Në ballinat e tyre ato kanë vendosur një shenjë, në të cilën thuhet “Stop Playing”.

Përveç kësaj shenje, faqet e tyre përmbajnë edhe hapësira të zbrazëta, ku është dashur të shtypeshin shkrimet për aktivitetet e institucioneve.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, të gjitha mediat në Kosovë, të shtypura dhe elektronikë, kanë marrë një vendim për të bojkotuar institucionet qendrore: Kuvendin, Qeverinë, Presidencën dhe partitë politike.

Edhe televizioni publik i Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës, i është bashkuar bojkotit, duke marrë vendimin e parë të këtij lloji që prej themelimit, të mos e transmetojë seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Arsye për këto reagime të mediave kosovare janë ndryshimet në Kodin Penal, të miratuar në Kuvendin e Kosovës më 20 prill 2012, të cilat përmbajnë artikujt që kriminalizojnë shpifjen dhe detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet e tyre të informacionit në rast të hetimeve kriminale.

Artikujt e kontestuar në këtë Kod janë artikulli 37 dhe 38. I pari mund ta vë një gazetar në shënjestër të ndjekjes penale për një vepër penale të “kryer nëpërmjet medias”.

Artikulli 38 ndërkaq thotë se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Ligji pritet të shqyrtohet nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe i takon asaj nëse artikujt hyjnë në fuqi apo nëse do të kthehen në Kuvend edhe për një amandamentim tjetër.

Që nga dita e arritjes së këtij ligji në presidencë, Jahjaga ka afat ligjor prej tetë ditësh ta fuqizojë apo ta kthejë mbrapsht. Nëse nuk ndërmerr asnjë veprim, ligji hyn vetvetiu në fuqi.

Mediat e vlerësojnë të dëmshme kërkesën ligjore për zbulimin e burimit të informacionit dhe nuk pajtohen që shpifja të konsiderohet vepër penale.

Udhëheqës të mediave dhe profesorë të kësaj lëmie, kanë theksuar se në vendet demokratike këto çështje janë të rregulluara me ligj të veçantë dhe shpifja nuk është vepër penale.

Duke folur për ruajtjen e burimit të informacionit, zëvendës drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, tha se pa burime anonime të informacionit nuk do të ishte e mundur të realizohej gazetaria hulumtuese.

Ndërkaq Margarita Kadriu, kryeredaktore e së përditshmes ‘Kosova sot’, tha se burimet e gazetarëve janë të shenjta dhe mbrohen edhe nga neni 10 i konventës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Sipas saj ligji në Kosovë kërkon që gazetaria të marr rolin e policit.Reporterët Pa Kufij e kanë dënuar ashpër Kodin e ri dhe i kanë bërë thirrje “presidentes Atifete Jahjaga të refuzojë nënshkrimin e këtij kodi penal dhe ta kthejë në Kuvend për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare”.

“Presidentja duhet ta bëjë të qartë se nuk dëshiron të jetë jetë pjesë e kësaj forme të sjelljes, e cila kërcënon gazetarët”, ka vlerësuar RSF.

RSF i ka cilësuar ndryshimet e miratuara në Kod si të papranueshme, të cilat “qartazi kanë për synim heshtjen e atij lloji të gazetarisë dhe raportimit hulumtues që e bën qeverinë të ndihet jo komod”.

Ndryshe, Kosova ka 8 gazeta të përditshme dhe 105 media elektronike, 84 radio stacione dhe 21 stacione televizive./albinfo&rel/