Lajme

Fusnota në përfaqësim rajonal ngjallë reagime

LDK, "Vetëvendosje" dhe AAK janë shprehur kundër fusnotës, ku do të merrej parasysh edhe Rezoluta 1244 e KS

 

Pas paqartësive disa-javore rreth përfaqësimit të Kosovës në forumet dhe nismat rajonale, Prishtina zyrtare u shpreh në mbështetje të një modeli ku do të merrej parasysh edhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – siç kishte insistuar Serbia.

Por në këtë model duhet të figurojë edhe Deklarata e shpalljes së pavarësisë së vendit dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë, thuhet në një raport të Radios Evropa e Lirë.

Paraqitja e modelit në fjalë erdhi pas presioneve të shumta që Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni zyrtar u bënë palëve të përfshira në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kryeministri Thaçi ka thënë për ReL se modeli aktual për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale është i balancuar, meqë merr parasysh dy realitetet ekzistuese – atë të Kosovës së pavarur dhe atë të Serbisë që nuk e njeh shtetësinë e saj.

“Në bashkëpunimin regjional, në të njëjtën kohë, Kosova do të përfaqësohet me Deklaratën e Pavarësisë, gjithashtu opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që rikonfirmon edhe ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës dhe Rezoluta 12 44 që njeh dhe garanton integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe prezencën e NATO-s në Kosovë”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Nga ana tjetër, pala serbe, përmes shefit të delegacionit për dialog me Kosovën, Borko Stefanoviç, Serbia nuk do të pranojë asnjë formulim, ku përmendet Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

 

Por, partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja “Vetëvendosje” dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shprehur kundër një modeli të fusnotës, në të cilën do të merrej parasysh edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit.

 

Përfaqësuesit e këtyre partive, kanë deklaruar se me këtë model, Kosova do të kthehet edhe një hap prapa.

 

Ndërsa analistët kosovarë për mediat e vendit, kanë thënë se përfshirja e Rezolutës 1244 në fusnotë, do të pengojë njohjet e mëtejme të shtetit të Kosovës.