Lajme
Vizat dhe sfidat e procesit të liberalizimit
Kjo është java e shumëpritur dhe e shumë komentuar për procesin e liberalizimit të vizave. Komisioni Evropian pritet të hapë nesër negociatat me Kosovën për heqjen e vizave.
Institucionet e Kosovës thonë se, më në fund, është qartësuar pozicioni evropian karshi Kosovës dhe se vendi ynë nuk do të mbetet edhe më tutje vrimë e zezë e rajonit. Mirëpo, ekspertët paralajmërojnë se nisja e dialogut nuk do të thotë se procesi do të kryhet shpejt dhe lehtë.
Është vetëm 5 vjeçe, por ka pesë herë që aplikon për vizë. Melisa Hamitaga është njëra nga “evropianët e rinj” që nuk mund të udhëtojë pa vizë në Evropë. Vajza nga Mushtishti i Suharekës, ëndërron të shkojë për vizitë tek babai i saj, Ruzhdiu, që jeton dhe punon në Zvicër. E mërdhirë nga të ftohtit e janarit, Melisa po priste në radhë bashkë me babanë, për të aplikuar për vizë, për të cilën, i ati ishte ankuar edhe në Bernë të Zvicrës.
Babai i Melisës, Ruzhdiu, tregon peripecitë që duhet kaluar për të marrë një vizë, ndërsa thotë se kjo është e kushtueshme edhe financiarisht.
“Aplikojmë për të pestën herë, dy herë jemi ankuar, tash ankesa është shqyrtuar prej Bernës. Nënës së vajzës i ka ardhur viza, kësaj jo, janë përzier atje, sigurisht në Bernë. Megjithëse, fajet ndoshta janë edhe këtu, që nuk po punojnë. Maltretime ka mjaft. Për një vizë, vetëm për të aplikuar, a ta japin apo jo. Duhet ardhur pesë herë këtu, derisa të shkosh ta bësh ankesën në Bernë, me shpenzime, me të gjitha. Jemi të ngopur, pesë herë nga Mushtishti është dashur të vijmë këtu”, thekson ai për Radio Kosovën.
Teksa presin para ambasadave, qytetarët tregojnë se duhet të dërgojnë shumë dokumente, të presin me orë të tëra në radhë dhe në shumicën e rasteve- marrin përgjigje negative.
Selvete Rushiti nga Podujeva, ka marrë përgjigje negative për kërkesën e saj që të shkojë për vizitë tek djali në Francë, ndonëse kishte qenë tri herë më parë.
“Nuk ma dhanë vizën, me thanë nuk ka pasur të drejt djali yt, e unë tri herë kam qenë, por tash më thanë djali nuk ka pasur të drejt të marr. Po, si nuk ka të drejt, kur unë kam shkuar e jam kthyer? E kam jetën e mirë, pensionin e kam, qarkullimin e bankës po. Unë po të mos doja të kthehem, nuk do të kthehesha në tri herët tjera kur kam kam qenë. Nuk shkoj të jetoj në Francë, vetëm shkoj t’i shoh nipat e mbesat edhe kthehem”, ka thënë ajo.
Më 19 janar në Kosovë pritet të vijë për vizitë komisionerja e Bashkimit Evropian për Punë të Brendshme dhe Drejtësi, Sesilia Malstrom, e cila, po ashtu, pritet ta dorëzojë udhërrëfyesin si një dokument teknik, cili përcakton rrugën dhe angazhimet konkrete të shteteve që aspirojnë integrimin evropian, për të hyrë në procesin e liberalizimit të vizave. Kjo vizitë pritet të shënojë edhe hapjen e dialogut për vizat ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Në mungesë të një udhërrëfyesi nga Brukseli, Qeveria e Kosovës ka adaptuar vetë një të tillë, në mënyrë që të jetë sa më e përgatitur për këtë proces. Zyrtarët e Qeverisë vlerësojnë se Kosova ka bërë hapa të avancuar në plotësimin e shumë kritereve të nevojshme, siç është pajisja me pasaporta biometrike, që ka filluar në tetor të vitit të kaluar, menaxhimi i integruar i kufirit, zbatimi i legjislacionit për riatdhesimin dhe riintegrimin e personave të riatdhesuar, dhe kritere të tjera, për të cilat Ministria e Integrimit Evropian ka bërë presion edhe tek komunat që t’i plotësojnë. Krahas çështjeve teknike, një impuls shtesë procesit të liberalizimit, besohet se i ka dhënë edhe vendosja e kontrollit të kufirit në veri.
Këto çështje, bashkë me sigurinë e dokumenteve personale dhe pasaportave biometrike, janë disa nga parakushtet bazë që Kosova duhet t’i plotësojë për t’u përfshi në zonën e lëvizjes së lirë pa viza. Institucionet e Kosovës, tashmë, janë të gatshme për të nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.
Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Gëzim Kasapolli, tha se hapat konkretë për këtë proces kanë filluar edhe më herët, për shkak se në vitin 2009, më në fund, është qartësuar pozicioni evropian karshi Kosovës dhe se vendi ynë nuk do të mbetet edhe më tutje vrimë e zezë e rajonit.
“Definitivisht, ky është një proces i cili në vete ngërthen shumë parametra, si nga aspekti social, ekonomik, teknik dhe politik, që në fund do të rezultojë me një shpërblim të cilin qytetarët e Kosovës do ta kenë shumë shpejt dhe e meritojnë, sepse kanë treguar një pjekuri të madhe në kuptimin e drejtë të këtij procesi. Por, është një thënie që të gjithë duhet ta japim kontributin tonë, në mënyrë që ky proces të ecë sa më shpejt”, tha ai.
Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar, tashmë, të jap pasaportat biometrikë dhe shumë shpejt ka paralajmëruar t’i lëshojë edhe letërnjoftimet biometrikë.
Zëvendësministri, Izmi Zeka, tha se institucionet e Kosovës i kanë kryer pothuajse 80 për qind të obligimeve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave.
“Fatmirësisht që ne kemi filluar më herët. Kosova ka filluar në mënyrë të njëanshme përgatitjet për liberalizimin e vizave dhe mund të them që një mori standardesh sa i përket liberalizimit të vizave po i plotësojmë dhe jemi në përfundim e sipër. Domethënë, kjo mundëson që posa të merret udhërrëfyesi, porsa të fillojë edhe debati dhe diskutimet, nuk po them të jemi komodë, por megjithatë, ta presim edhe këtë dialog për liberalizim të vizave më shlirë. Andaj, edhe tani jemi duke punuar në këtë drejtim, kështu që Kosova, krahasuar edhe me vendet tjera të Ballkanit, të cilat veç janë futur në këtë sistem, ne jemi bukur mirë, domethënë, jemi krahas tyre dhe mendojmë se do të jemi gati në të gjitha aspektet që janë të rëndësisë së veçantë”, tha Zeka.
Ekspertja për integrime evropiane, Verena Knauss, thotë se institucionet e Kosovës, por edhe shoqëria civile, duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë faktit pse njerëzit duan të largohen nga Kosova.
“Qeveria dhe shoqëria civile në Kosovë duhet të kenë diskutime të sinqerta rreth abuzimit me azilkërkimin, abuzimit me imigrimin ilegal dhe duhet të adresojnë se pse njerëzit duan të largohen nga Kosova. Kjo lidhet me zhvillimin ekonomik dhe mundësitë e punësimit, që janë të lidhura ngushtë me çështjen e liberalizimin e vizave”, thekson ajo.
Procesi i integrimeve evropiane është një prej segmenteve të pakta, i cili e afron pozitën dhe opozitën. Për këtë proces ka një konsensus të plotë dhe këtë e dëshmon edhe Lutfi Haziri, deputet nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili njëherit drejton Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane.
“Praktikisht ne besojmë se një pjesë e detyrave të njëanshme, vitin e kaluar, janë ndërmarrë, sa i përket fushës së legjislacionit, miratimit të ligjeve, e në veçanti – procesit të riatdhesimit të qytetarëve tanë apo azilkërkuesve në shtetet e Shengenit. Pjesa kryesore e punës tash është që ta shohim se në cilin parim do të vendoset që dialogu me Kosovën të hapet për procesin e liberalizimit. Mandej duhet një dinamikë apo një koordinim mjaft i madh që të realizohen këto angazhime konkrete, sepse gjithmonë vlerësimin e arritjeve e bën prapë Brukseli”, tha Lutfi Haziri.
Raporti i fundit i Progresit ka etiketuar një varg çështjesh në të cilat duhet të fokusohen institucionet e Kosovës, ndërsa një prej më të rëndësishmeve është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria, madje, e ka përfshirë këtë në pesë prioritetet e saj për vitin 2012. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se, megjithatë, edhe pa u përmendur këto në Raportin e Progresit, Qeveria është e interesuar që të krijojë një shtet stabil, të qëndrueshëm dhe me standarde evropiane.
Raporti i Progresit për vitin 2011, po ashtu, ka qenë një shtysë edhe për Ministrinë e Integrimit Evropian, që në përshkrimin e punës së saj të përfshijë definimin e qartë të ministrive të tjera, por edhe të komunave, në mënyrë që hapja e dialogut për vizat t’i gjejë të përfunduara shumë prej aspekteve që janë të nevojshme për të hyrë në këtë proces. Zëvendësministri, Gëzim Kasapolli, tha se qysh në tetor janë përcaktuar objektivat që duhet t’i përmbushin ministritë.
Kasapolli thotë se një prej kushteve kryesore, siç janë pasaportat biometrikë, Kosova e ka përmbushur dhe sipas tij, ky është një hap i madh drejt liberalizimit të vizave.
Kosova ende nuk është njohur nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, por sipas kryetarit të Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, kjo nuk do të jetë pengesë që Kosova të ecë përpara në procesin e liberalizimit.
Ndërkohë, ekspertja për Integrime Evropiane, Verena Knauss thotë së sa më shpejt që fillon dialogu për liberalizmin e vizave, aq më mirë do të jetë.
Derisa pritet të nisë dialogu për liberalizimin e vizave, qytetarët shprehen skeptikë se Kosova do të përfshihet së shpejti në këtë proces. Sidoqoftë, përfshirja e Kosovës në liberalizimin e vizave, do t’i mundësonte Selvete Rushitit ta vizitonte pa problem djalin e saj në Francë dhe Melisa Hamitagës do t’i jepte mundësinë që ta vizitojë babanë e saj, Ruzhdiun, në Zvicrës, sa herë që do të dëshironte.
“Është mirë nëse bëhet mirë. Po ta kisha vizën do të kisha shkuar sot, e nuk do të kisha nevojë të vijë këtu e të pres”, thotë Selvete Rushiti.
“Për liberalizimin e vizave do të them se është fat shumë i madh është nëse bëhet ndonjëherë. Derisa të kryhet puna një vizë kushton 1 mijë euro, dhe atë me maltretime e nervozë”, thotë Ruzhdi Hamitaga./ albinfo.ch&radio kosova/
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit











