Lajme

Pensionet: rruga ende e gjatë

Albinfo.ch ka kryqëzuar mendimet e dy palëve në kontestin e ndërprerjes nga Zvicra, të marrëveshjes së sigurimeve shoqërore me Kosovën

Një vendim i Gjyqit Federal të Zvicrës, i bërë publik ditë më parë, pati shkaktuar një valë euforie në mesin e kosovarëve, në Zvicër dhe në Kosovë. I interpretuar gabimisht, ky vendim kishte ngjallur pritje të rreme se pas tij “frangat zvicerane do të rridhnin në Kosovë”, ose së paku, se ishte arritur zgjidhja e problemit të ndërprerjes nga Zvicra, të marrëveshjes për sigurimet shoqërore, në raport me Kosovën.

Por, e vërteta nuk është kaq e njëtrajtshme. Albinfo.ch ka bërë përpjekje të mësojë këtë të vërtetë, duke konsultuar dy palët në kontest: Zyrën Federale për Sigurime Sociale (BSV-AVS) dhe përfaqësuesin e palës së dëmtuar, Ernest Osmanin nga Zyra këshillimore “Memos” në Cyrih. Të përkujtojmë se lënda që ka përfaqësuar Osmani me bashkëpunëtorët, ka bërë që, në muajin mars të këtij viti, Gjykata Federale Administrative të hidhte poshtë si diskriminues vendimin e Qeverisë Federale të Zvicrës për ndërprerjen e marrëveshjes së sigurimeve sociale me Kosovën.

BSV-AVS, si palë e prekur nga ky vendim, kishte bërë ankesë në Gjyqin Federal, ankesë të cilën ky gjyq, më 27 shtator kishte vendosur të mos e merrte në shqyrtim.

Rolf Camenzind

Sipas zëdhënësit të BSV-AVS, Rolf Camenzind, nuk qëndron publikimi i bërë në mediet në gjuhën shqipe për rrëzimin nga Gjyqi Federal i Zvicrës, të ankesës së zyrës që përfaqëson ai. “Gjykata Federale me vendimin e saj të 27 shtatorit, të publikuar më 14 tetor, nuk e ka hedhur poshtë ankesën e BSV-AVS, por për shkaqe formale, ajo, nuk i ka hyrë shqyrtimit të ankesës. Në këtë kuptim, vendimi i Gjykatës tjetër, asaj Federale Administrative nga 7 marsi i këtij viti, materialisht as nuk është konfirmuar e as nuk është hedhur poshtë”.

Por ndryshe e shikon këtë çështje Ernest Osmani. Për të, vetë fakti se Gjykata Administrative pati marrë një vendim pozitiv për palën kosovare dhe fakti se ankesën e BSV-së, Gjykata Federale si shkallë më e lartë nuk e ka marrë në shqyrtim, flet për një epërsi të palës që përfaqëson. “Vendimi i Gjykatës Administrative nuk zhbëhet dhe ai është një precedent, një mbështetje e mirë edhe për punën e mëtejme të institucioneve tona drejt marrëveshjes me Zvicrën në këtë fushë”, shprehet bashkëbiseduesi ynë.

Ndërkaq, Camenzind këmbëngul në perspektivën e tij. “Gjykata Administrative Federale e kishte kthyer mbrapshtë për sqarim të mëtejmë dhe për vendim, çështjen lidhur me kërkesën e pensioneve në Zyrën e Pensioneve të Invaliditetit, për personat e siguruar që jetojnë jashtë vendit. Zyra jonë tashti duhet të zbatojë këtë vendim, i cili sërish mund të atakohet përmes ankesës në Gjykatën Federale Administrative dhe në Gjykatën Federale. Por, deri në marrjen e një vendimi eventual tjetërfare të Gjyqit Federal, vazhdon të vlejë vendimi i Qeverisë nga dhjetori 2009, në bazë të të cilit ndërpritet pagesa e pensioneve në Kosovë”. Kjo i bie që BSV-AVS aktualisht nuk mund të quhet “e humbur”, përderisa ende nuk ekziston një vendim me fuqi ekzekutive që do të detyronte atë të vazhdonte zbatimin e marrëveshjes me Kosovën.

Ernest Osmani

Në këtë pikë edhe Ernest Osmani e sheh zbrazësinë juridike. “Përkundër faktit se Gjykata Administrative na ka dhënë të drejtë, tash Gjyqi Federal, si shkalla më e lartë, nuk e ka marrë në shqyrtim ankesën që e ka bërë BSV dhe kështu nuk kemi një vendim të plotfuqishëm. Është krijuar rrethana në të cilën tash lidhet BSV, duke thënë se nuk ka vendim definitiv në favor tonin”, pranon Osmani.

“Ne sigurisht nuk mund të ndikojmë në punën e institucioneve dhe as në marrëveshjen e re eventuale në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Zvicrës por falë këtij vendimi, vihet një pikëpyetje e madhe ndaj vendimit të mëparshëm të Qeverisë së Zvicrës për ndërprerjen e pensioneve”, shprehet ai.

Ndërsa për përfaqësuesin e BSV-AVS, Rolf Camenzind, një vendim i kundërt, do të ishte i pabazë dhe jo realist. “Interpretimi i bërë sipas Gjykatës Administrative Federale do të nënkuptonte që Marrëveshja për Sigurimin Social me ish Jugosllavinë duhet të zbatohet edhe më tutje në Kosovë, edhe përkundër faktit se Kosova nuk i ka plotësuar kushtet për zbatimin e një marrëveshjeje të tillë – sepse ajo, për shembull, nuk disponon me një regjistër civil dhe të banorëve, regjistra këta të domosdoshëm për realizimin e bartjes së të ardhurave (pensioneve) – dhe edhe përkundër faktit se Qeveria Federale pikërisht nisur nga kjo arsye pati marrë vendimin për mosvazhdimin e marrëveshjes”, thotë Camenzind.

Me gjithë këndvështrimin e tij optimist, Ernest Osmani thërret për durim. “Edhe nëse dy qeveritë do ta realizojnë marrëveshjen për pensionet, deri te zbatimi praktik i saj duhet të kalojnë vite. Për këtë arsye është dashur të vazhdohej marrëveshja ose të gjendet një zgjidhje e përkohshme deri në nënshkrimin e marrëveshjes së re”, është i bindur Osmani. Zyra e tij, sidoqoftë, do ta ushtrojë së shpejti të drejtën e ankesës.

Zyra ku punon Osmani dhe bashkëpunëtorët, merret me përfaqësimin e qytetarëve kosovarë për nxjerrjen e pensioneve dhe të dokumenteve të ndryshme në Zvicër, Gjermani dhe Austri. Për këtë qëllim funksionon edhe një zyrë në Kosovë (Ferizaj).

Nga zyra në Ferizaj ka rrjedhur edhe rasti që ka ngjallur gjithë këtë bujë. “Ky ka qenë njëri ndër rastet çfarë te ne paraqiten zakonisht. Një person që më parë ka punuar në Zvicër, na ka autorizuar për t`ia nxjerrë pensionin e invaliditetit.

Procedura, gjegjësisht kërkesa jonë drejtuar BSV-së ka filluar në vitin 2005. Pas refuzimit të parë të kërkesës, ne kemi bërë ankesën. Ndërsa hedhja poshtë e ankesës sonë ka ardhur vetëm pas vendimit të Qeverisë së Zvicrës për mosvazhdimin e Marrëveshjes për sigurimet sociale, pra në vitin 2010! Dmth BSV nuk ka shqyrtuar fare më parë nëse personi i ankuar ka aftësi për punë ose jo, por vetëm e ka shfrytëzuar ndërprerjen e marrëveshjes nga qeveria”, përfundon Ernesti.