Lajme

Rënie e bizneseve të reja

Në Kosovë ka rënie të hapjes dhe regjistrimit të bizneseve të reja me 4.1 përqind

Diferenca e hapjes së bizneseve të reja në Kosovë ndërmjet tre muajve të parë dhe tre muajve të dytë të këtij viti, është plot 89 ndërmarrje më pak.

Interesimi për të hapur biznese të reja në Kosovë, ka trend të rënies. Tregu kosovar vazhdon të mbetet kryesisht një zonë ku vetëm konsumohet dhe fare pak prodhohet.

Madje tregtia ende mbetet një prej fushave ku më së shumti kosovarët janë të drejtuar për të bërë biznes.

Kjo më së miri shihet në pikat e karburanteve që janë ndërtuar përgjatë rrugëve të Kosovës, madje jo vetëm atyre kryesore, por edhe nëpër fshatra e bile edhe brenda zonave të banuara.

Pavarësisht kësaj, numri i atyre që duan të bëjnë biznes, ka  trend të uljes, krahasuar me periudha të tjera të vitit.

Kjo shihet edhe duke u bazuar në të dhënat zyrtare të cilat merren me evidentimin e hapjes së bizneseve të reja në vend.

Kështu, bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, në muajt prill, maj e qershor të këtij viti (2011), janë regjistruar më pak biznese të reja sesa në muajt janar, shkurt e mars.

Madje diferenca nuk është e vogël por për një vend të vogël e me ekonomi të dobët siç është Kosova, 89 biznese më pak do të thotë lajm i keq për vendin.

Derisa në tre muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të  siguruara nga Albinfo.ch, janë regjistruar 2077 ndërmarrje, në muajt prill, maj e qershor janë hapur vetëm 2166 të tilla, ose 89 më pak.

Për ta kuptuar më lehtë, në periudhën ndërmjet këtyre gjashtë muajve të parë të këtij viti, ka rënie të hapjes dhe regjistrimit të bizneseve të reja me 4.1 përqind.

Por që shpresa të mbetet edhe më tej,zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës, nëpërmjet një raporti zyrtar, shpjegojnë se punët nuk janë edhe aq keq sa duken.

Sipas tyre, të dhënat tregojnë se këtë vit punët në këtë drejtim janë shumë më mirë  nëse të dhënat krahasohen me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (2010).

Ata kanë sqaruar se krahasuar me muajt prill, maj e qershor 2010 dhe kohën e njëjtë për vitin 2011, vendi ka shënuar rritje të regjistrimit të bizneseve të reja prej  4 përqind.

Sigurisht, aktivitetet ekonomike më të preferuara vazhdon të mbetet tregtia me 747 ndërmarrje që përfshinë 40 përqind të të gjitha bizneseve të reja të regjistruara.

Në  grupin e ndërmarrjeve të reja në fushën e tregtisë, bëjnë pjesë bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.

Pas tyre, menjëherë radhiten hotelet dhe restorantet me 218 të tilla ose 10.5 përqind të shifrës totale të ndërmarrjeve të reja të regjistruara.

Sipas të dhënave zyrtare, menjëherë pas hotelerisë, është industria përpunuese me 210 ndërmarrje të reja që zë  10.1 përqind të numrit të bizneseve të hapura.

Pas tyre janë transporti depot dhe telekomunikacioni me 198 ose 9.5 përqind,  ndërtimtaria me 186 ose 8.9 përqind, pasuritë e patundshme dhe dhënia me qira me 181 ndërmarrje ose 8.7 përqind, aktivitetet tjera shoqërore dhe personale me 157  ose 7.5 përqind si dhe aktivitete tjera biznesore të cilat nuk e kalojnë 5 përqindëshin.

Të gjitha këto ndërmarrje, kanë punësuar edhe një numër të caktuar personash, por vihet re se shumica dërmuese e tyre nuk kanë deklaruar më shumë se 5 veta.

Kështu, 2 mijë e 12 ndërmarrje të reja, ose 96.9 përqind kanë deklaruar se kanë të punësuar vetëm nga 1 deri në 4 veta.

Ata që kanë deklaruar se kanë punësuar nga 5 deri 9 persona, përfshijnë një numër shumë të vogël ndërmarrjesh të reja.

Në këtë kategori bëjnë pjesë vetëm 52 ndërmarrje që në shifrën e përgjithshme përbëjnë vetëm 2.5 përqind.

Ndërmarrjet që kanë  më shumë se 9 veta të punësuar, hyjnë në kategorinë e tretë, por e cila në fakt nuk ekziston fare sepse asnjë ndërmarrje nuk e ka deklaruar këtë shifër.

Edhe pse në tërë vendin, ligjet dhe rregullat bazë janë të njëjta, sipas të dhënave të Entit të Statistikës së Kosovës, ato më specifike ndryshojnë nga komuna në komunë.

Kjo ka bërë që edhe shtrirja e bizneseve të reja të jetë e ndryshme, kurse vërehet një përqendrim I madh kryesisht në qytete më të mëdha të vendit.

Kështu, sa i përket shtrirjes së ndërmarrjeve të reja nëpër komuna, për muajt prill, maj e qershor, mbizotëron Prishtina me 583 biznese (28.1%), pastaj Prizreni me 172 (8.3%), Ferizaj me 153 (7.4 %), Gjilani me 131 (6.3%), Mitrovica me 104 (5%) dhe  Peja me 101 (4.9%).

Duke qenë se Kosova ka nevojë urgjente për investime private, posaçërisht ato nga jashtë, atëherë krijimi i mjedisit tërheqës për investimet private është prioritet kryesor.

Kështu së paku thonë zyrtarët e lartë vendorë të cilët janë përgjegjës për sjelljen e investitorëve të huaj apo edhe promovimin e mjedisit për hapje të bizneseve të reja.

Në përpjekje për ta arritur këtë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim edhe me komunat e vendit, ka krijuar disa Zona të veçanta Industriale.

Parku i Biznesit në Drenas, Mitrovicë, Prizren, Suharekë, Shtime, Skenderaj, Vushtrri e Lipjan, janë disa prej zonave të krijuara për t’iu ofruar bizneseve hapësirë dhe komoditet për të vepruar.

Megjithëkëtë, deri më tash, duket se jo gjithçka ka shkuar si duhet. Si shembull, vetëm për ndërtimin e  Parkut të Biznesit në Drenas janë shpenzuar miliona euro kurs interesimi I bizneseve për t’u vendosur aty, nuk ka dalë të jetë shumë i madh.