Lajme
Milionat për konsum
Më shumë se gjysmë miliardi euro brenda vitit hyjnë nga diaspora në Kosovë

Askush nuk ka plan se mjetet e dërgesave nga jashtë të investohen e të forcojnë ekonominë e Kosovës.
Rëndësia e dërgesave të parave nga ana e diasporës së Kosovës për ekonominë e dobët të vendit është e padiskutueshme.
Të dhënat zyrtare tregojnë se këto dërgesa janë shumë të larta krahasuar dhe për këtë arsye edhe hulumtimet në këtë çështje nuk mungojnë.
Por problemi në këtë rast është orientimi i këtyre parave në mënyrë të duhur në Kosovë dhe ato të mos përdoren vetëm për konsum.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, remitencat janë për 11.1 milionë më të larta sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Por për të pasur rezultate sa më të sakta në lidhje me këtë çështje, edhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Rindërtim (UNDP), ka planifikuar të anketojë 8 mijë amvisëri.
© albinfo.ch – Sokol Havolli
Shumë para nga diaspora
Se dërgesat e diasporës janë jetike për ekonominë e vendit, këtë e ka pohuar edhe Sokol Havolli, një ekonomist i lartë në Drejtorinë e Analizave Ekonomike në Bankën Qendrore të Kosovës.
Ai për Albinfo ka shpjeguar se gjysma e dërgesave prej mbi gjysmë miliardi euro që vijnë brenda vitit në Kosovë, në formë të parave të gatshme, janë nga mërgimtarët që jetojnë e punojnë në Zvicër e Gjermani.
“Ndërsa në përgjithësi, afër 90 për qind e dërgesave vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Havolli, sipas të cilit, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, mërgimtarët kanë dërguar 111.3 milionë euro.
Por derisa BQK, të dhënat e saj zyrtare i bazon duke u mbështetur në transferet që bëjnë bankat, pastaj edhe në të dhënat e agjencive të ndryshme që merren me transfertet e parave apo doganat, UNDP-ja ka ndërmend që të pyes 8 mijë qytetarë një nga një.
Një projekt i tillë që pritet të realizohet për herë të dytë, përveç UNDP-në, përfshinë Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Qendrore të Kosovës, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, do të përsërisin anketën për remitancat në Kosovë.
Bazuar në të dhënat e hulumtimit të parë të kryer në vitin e kaluar afër 20 përqind e shtëpive kosovare pranojnë remitanca.
“Prej 442 milion eurosh të vlerësuar për remitanca (para të gatshme dhe mallra), bazuar në hulumtimin e vitit 2010, shumica vijnë nga vendet e Evropës Perëndimore”, thonë zyrtarë të UNDP-së, sipas të cilëve, remitancat përbëjnë 11 përqind të prodhimit të përgjithshëm në vend.
Paratë vijnë, qeveria s’ka plan
Por çfarë bëjnë kosovarët me një shumë kaq të madhe të parave që marrin nga të afërmit e tyre që jetojnë jashtë vendit?
Në përpjekje për të dhënë përgjigje, ekspertët e ekonomisë tregojnë se dërgesat nga diaspora kanë ndikim kryesisht në aspektin social të ekonomive familjare.
© albinfo.ch – Xhevat Meha
Xhevat Meha, ekspert i ekonomisë, tregon se paratë nga diaspora u dedikohen kryesisht familjeve dhe ky është kapital privat, ku vetë familjet vendosin se çfarë të bëjnë me to, ku në fakt pjesa dërmuese shpenzohet për konsum.
Meha e pranon se dërgesat nga diaspora kanë ndikuar në zbutjen e krizës sociale, pasi shumë familje në Kosovë vazhdojnë të kenë mbështetje të përhershme nga familjarët e tyre që përkohësisht punojnë në vendet e BE-së, apo më larg.
“Por mungon një plan i Qeverisë, me të cilin dërgesat e emigrantëve do të orientoheshin në investime”, thotë ekonomisti Meha.
Pavarësisht dërgesave në shuma të mëdha që bëjnë mërgimtarët, zyrtarët qeveritarë duket të mos jenë shumë të kënaqur me një pjesë të tyre, të cilët nuk investojnë në vend, por thjesht dërgojnë para të gatshme.
Mustafë Hasani
Hapja e bizneseve, ndihmon ekonominë
Mustafë Hasani, drejtor i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka deklaruar se ka mjaft shembuj të investimeve të diasporës në Kosovë përmes hapjes së kompanive të vogla familjare.
”Ka raste edhe të kthimit nga diaspora dhe hapjes së biznesit në Kosovë apo edhe përmes procesit të privatizimit, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e sektorit privat dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ka thënë ai.
Si shembull të suksesshëm ku mërgimtarët kanë investuar, Hasani ka përmendur blerjen e makinerive të rënda të eksploatimit të dheut.
“Kontributi i diasporës nuk mund të matet vetëm përmes remitancave që përbëjnë më shume se 15 për qind të Bruto-Produktit Shoqëror në Kosovë. Ata janë në njëfarë mënyrë infuzion financiar për vendin”, ka thënë drejtori Mustafë Hasani.
Sidoqoftë, rritja ekonomike nga dërgesat e emigrantëve duket se nuk është rritje e qëndrueshme, pasi një pjesë e madhe e atyre parave konsumohen dhe nuk përdoren për aktivitete ekonomike të cilat do të kishin vlerë të shtuar dhe efekt më afatgjatë në ekonomi.
E vetmja mënyrë që ekonomia e Kosovës të përfitojë më mirë nga fuqia financiare e diasporës së madhe të vendit është investimi i tyre në biznese të ndryshme dhe hapja e vendeve të reja të punës.
Madje Sokol Havolli, ekonomist i Bankës Qendrore të Kosovës, thekson se suksesi i investimeve të diasporës është gjithmonë sinjali më i mirë edhe për investitorët e huaj, sidomos kur merret parasysh fakti se bizneset e mërgimtarëve janë në shumicën e rasteve pjesë e asociacioneve tregtare dhe organizatave tjera të bizneseve dhe industrive të ndryshme, njësoj sikur bizneset gjermane, zvicerane apo austriake.
E-Diaspora
-
Sot nis Alba Festival në zemër të Cyrihut Pritet numër i lartë i pjesëmarrësve sonte në Alba Festival. ...
-
Plagosje me armë në Itali, dyshohet për një shqiptar
-
Bota e logjistikës ajrore: Prapa kuintave të kompanisë Cargologic në Cyrih
-
‘Çka Ka Qëllu’ sërish në top listën e restoranteve më të mira të Nju-Jorkut
-
Me artin e saj, Nexhibe Imeri u jep një zë grave të diskriminuara
Jeta në Austri
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen? Reshjet e shkurtra dhe intensive të verës në rajonet alpine të Evropës ka të ngjarë të...
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€