Lajme

Fondi kreditor SSF, shtytës i bizneseve në vendlindje

Nga themelimi, SSF ka mbështetur 94 projekte me 32 milionë franga. Në Kosovë po mbështeten 2 projekte me shumën prej 1.2 milionë frangash

SECO (Sekretariati i Shtetit për Ekonomi) udhëheq që nga viti 1997 fondin kreditor SSF (Seco Start up Fond) i cili ofron kredi me kushte të volitshme, për investime private në vendet në zhvillim, ku hyn edhe Ballkani dhe vendet prej nga vijnë shqiptarët në Zvicër.

Përgjegjësi për kontakte financiare i këtij fondi dr. Reinhard Behrens sqaron për albinfo.ch nevojën dhe arsyet që kanë sjellë themelimin e fondit. Ato, sipas tij, kanë të bëjnë me vështirësitë specifike që përcjellin ekonominë në vendet e Evropës Juglindore. “Depërtimi në tregjet e vendeve të Evropës Juglindore është, në të shumtën e rasteve, një rrugë shkëmbore.

Kështu, me fondin Start-up Fund (SSF) SECO (Sekretariati Shtetëror për Ekonomi) ka në dispozicion një instrument që mund ta lehtësojë këtë rrugë. SSF jep kredi për bashkëfinancimin e projekteve investuese për fazën nisëse të ndërmarrjeve të vogla  dhe të mesme (KMU) zvicerane në vendet të cilat, sipas investuesve, janë në një fazë interesante të zhvillimit ose të tranzicionit”.

SFF në Maqedoni, i pranishëm nga viti 2001. Në Kosovë prani e vonë por solide

“Që nga themelimi i tij, në vitin 1997, SFF ka mbështetur 94 projekte në një vëllim prej 32 milionë frangash, para së gjithash në fushat si bujqësia, prodhimi i ushqimit, ndërtimi, përpunimi i metalit, energjia dhe makineria”, shprehet Behrens rreth kohës sa vepron ky fond dhe numrit të projekteve të mbështetura.

Por, në çfarë vëllimi dhe forme është SFF i pranishëm në vendet prej nga vijnë shqiptarët, respektivisht në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri? “SFF është prej kohës i pranishëm në regjion. Ai ka mbështetur në Maqedoni që në vitin 2001 një kompani të vogël për zhvillimin e softuerit (Netsetera). Ndërsa në vitin 2006 po atje u mbështet edhe një projekt për prodhim të materialeve të ndërtimit”, thotë përfaqësuesi për medie.

Sa i përket Kosovës, siç sqaron ai, investimet janë ende në nismën e tyre, bëhet fjalë për dy projekte të këtij viti. “Në Kosovë, gjatë këtij viti janë mbështetur dy projekte; njëri në lëmin e prodhimit të ushqimit dhe tjetri në prodhimin e masës drusore speciale për djegie me emrin pellet.  Shuma e gjithëmbarshme e kredive për projektet e deritashme në Kosovë mbërrin në 1.2 milionë franga”.

Ndryshe, sipas Behrens “vendet e Evropës Juglindore në të cilat financojmë me prioritet projekte janë: Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Mirëpo, SFF-së mund t`i ofrohen projekte për bashkëfinancim edhe nga vende dhe regjione tjera, për çka nevojitet që te SECO të bëhet kërkesa për një leje të veçantë. (Përjashtimet janë eventualisht të mundshme për shtetet që sipas OECD-së janë të radhitura në “low income countries” (vende me të ardhura të ulëta)).

SSF është e angazhuar edhe në disa vende të Azisë/ vendet e ish BRSS-së, pastaj edhe në Amerikën Latine dhe Afrikë”.

Investuesi potencial duhet të tregojë seriozitet dhe përgjegjshmëri

Ndërsa kushtet që duhen plotësuar për të fituar kredinë nga SFF, si natyra e projektit, shuma e parave në dispozicion, afati i kthimit të tyre etj. janë të precizuara mirë dhe ato duhet të respektohen nga secili që pretendon një kredi të tillë. Kështu, siç thotë Behrens: “SFF financon vetëm ato Start-up Projekte që nuk kanë më shumë se tre vjet që janë operative. Shuma e parave që jepen në formë të kredisë është e kufizuar në 500 mijë franga për projekt. Paratë e dhëna si kredi duhet të kthehen brenda një afati prej pesë vitesh. Investuesit janë të detyruar që të financojnë vetë së paku 50 për qind të projektit dhe ata janë përgjegjës për kthimin e parave të kredisë”.

Ai precizon më tutje se “te projektet duhet të jetë fjala për investime në ndërtimin e një operacioni të ri komercial. SFF nuk mbështet aktivitete distribuuese të natyrës thjeshtë tregtare. Zgjidhja dhe përkujdesja bëhet nga shoqëria private për menaxhimin e financave FINANCEcontact. Informatat më të detajuara lidhur me këtë gjenden në faqen e internetit www.secostartupfund.ch.”

I pyetur se çfarë duhet të bëjë një investues potencial shqiptar që të fitojë mbështetjen e SFF për të investuar në vendlindje, bashkëbiseduesi ynë thotë: “Personat ose firmat që duan të fitojnë nga SFF bashkëfinancimin e projekteve të tyre në Shqipëri, Kosovë ose Maqedoni, është e detyrueshme që të kenë vendbanimin dhe selinë e kompanisë së tyre në Zvicër dhe të munden të dëshmojnë se posedojnë ose mund të mobilizojnë mjete të mjaftueshme financiare për të ndërtuar projektin e planifikuar.

Ata do të duhej që planet e tyre t`i diskutojnë në një fazë të hershme me përfaqësuesit e Financecontact. Në momentin kur mbështetja nga SFF duket e mundshme, duhet të prezantohet një plan financiar dhe i biznesit”. Dhe, siç siguron Behrens, në rastet kur kushtet janë tëe plotüesuara, realizimi i kredisë bëhet relativisht shpejtë dhe pa komplikime. “Një grup i pavarur ekspertësh vlerëson çdo tre muaj kërkesat e ardhura për mbështetje të projekteve, ashtu që për lejimin e kredisë dhe për pagesën e saj nga SECO mund të vendoset brenda një kohe vërtetë të shkurtë”.

Kredia, pothuajse pa kamatë!

Bashkatdhetari ynë nga Vitia, Bashkim Zejnullahu është njëri nga dy përfituesit e deritashëm të kredisë së dhënë nga SFF. Përvojat e tij me këtë fond, të përcjella në një bisedë të zhvilluar pak kohë më parë për albinfo.ch, janë mjaft pozitive. Duke folur për projektin e mbështetur nga SFF, që ka të bëjë me prodhimin e pelletit (një lëndë për djegie), Bashkimi thotë: “Linja më e re, do të jetë rezultat i bashkëpunimit të frytshëm me SSF, respektivisht me SECO-n. Për të ngritur në këmbë këtë projekt, jemi mbështetur nga Seco. Ajo na ka ndihmuar duke na ofruar një kredi për ndërtimin e linjës dhe blerjen e makinerisë për prodhimin e pelletit. Kushtet e kredisë në vlerë prej 500 mijë frangash janë tepër të volitshme, po thuaj pa kamatë”.