Lajme

Koridori 8, Turizmi dhe Marrëveshja e Ohrit në qendër të bisedimeve

Presidentët Topi dhe Ivanov kërkojnë intensifikimin e raporteve ekonomike mes dy vendeve

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka pritur në Pallatin e Brigadave në Tiranë Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Shqipëri dhe në Maqedoni dhe u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Të dy presidentët kanë vlerësuar raportet e shkëlqyera politike që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona, por kanë theksuar se duhet intensifikuar niveli i bashkëpunimit ekonomik.“Patjetër që midis vendeve tona ka shumë mundësi, sepse niveli i bashkëpunimit ekonomik, për fat të keq nuk i përgjigjet nivelit shumë të mirë të marrëdhënieve politike. Kemi diskutuar edhe njëherë për çështjen e “Korridorit 8”.

Është diskutuar vazhdimisht dhe ne dëshirojmë të ritheksojmë që duhet më shumë veprim në këtë linjë, në bashkëpunim edhe me Bullgarinë dhe Italinë. Është një korridor mjaft i rëndësishëm, që nuk ka të bëjë thjesht me infrastrukturën rrugore, por edhe me mundësitë për të investuar edhe në fushën e energjitikës”, tha presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Nga ana tjeter, Ivanov, kërkoj që dy vendet të lidhin ura të reja bashkëpunimi ekonomik dhe se rajoni i Ballkani vetëm në këtë mënyrë mund të këtë një të ardhme të sigurtë. “Vitin e kaluar kishim një shkëmbim tregtar prej 56 milionë Eurosh, dhe sufiçiti ishte në anën tonë – diçka që nuk është e mirë dhe një nga arsyet apo shkaqet për këtë, është edhe infrastruktura jo e mirë mes dy shteteve tona.

Prandaj pikërisht edhe “Korridori 8” është me interes jetik, që të mundësojë bashkësitë tona afariste për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin tregtar mes dy shteteve, me qëllim që prodhimet dhe shërbimet maqedonase të jenë të arritshme edhe këtu, në Shqipëri si dhe anasjelltas, që prodhimet dhe shërbimet shqiptare të jenë të arritshme në Republikën e Maqedonisë”, tha presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

“Më gëzon fakti që turistët maqedonas vijnë gjithnjë e më tepër në bregdetin shqiptar, por shohim edhe interesin e turistëve shqiptarë, të cilët vijnë dhe praktikojnë turizmin, veçanërisht atë të dimrit, në Maqedoni. Ashtu siç biseduam, pikërisht këto tema ekonomike janë përparësore në bashkëpunimin tonë të ardhshëm, me qëllim që të dyja ekonomitë tona të shfrytëzojnë të gjitha potencialet që ofrohen nga të dyja vendet. Pikërisht për këtë qëllim biseduam edhe për lidhjen infrastrukturore, për ndërlidhjen energjitike që rajoni ynë të mundet të shkojë përpara me zhvillimin e vet ekonomik” shtoi Gjorgje Ivanov.

Gjithashtu, Presidenti Topi i kërkoi homologut të tij implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, jo vetem në mënyrë teorike por edhe në menyrë praktike, ndërsa Ivanov deklaroi:” Marrëveshja e Ohrit është një shembull pozitiv që do të reflektohet në të tërë rajonin. Dhe ne me të vërtetë do të ishim shumë të lumtur në se ato parime të Marrëveshjes së Ohrit do të respektoheshin në të gjitha vendet e rajonit, për arsye se e ardhmja jonë e përbashkët është ajo që na detyron për këtë”.

Gjatë kësaj vizite dy ditore, Ivanov do të takojë edhe krerë të tjerë të shtetit shqiptarë, ku perfshihet kryeministri, Sali Berisha, kryetari i opozitës, Edi Rama dhe do në fund do të pres edhe përfaqësues të pakicës maqedonase qe jetojnë në Republikën ë Shqipëri.

Liridon Cecja