Lajme

Hillary Clinton uron qytetarët e Kosovës në trevjetorin e pavarësisë

Clinton: SHBA-të janë të përkushtuara për ardhmërinë e Kosovës

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e trevjetorit të pavarësisë, duke nënvizuar se SHBA-të janë të përkushtuara për ardhmërinë e Kosovës.

“SHBA-të janë të përkushtuara për të ardhmen e juaj dhe ne jemi të nderuar të jemi miqtë e juaj dhe partnerë. Ju po e vijëzoni të ardhmen e re për vendin tuaj dhe për rajonin”, ka shkruar Clinton.

Në urime thuhet se përvjetori është rast i përshtatshëm për liderët e zgjedhur të Kosovës që ta forcojnë përsëri përkushtimin e tyre për qeverisje të mirë dhe transparencë, që janë esenciale për përmbushjen e integrimit euro-atlantik.

Po ashtu në urim Sekretarja e Shtetit, ka shkruan se ishte “e impresionuar me premtimet e një vendi aq të ri”, gjatë vizitës së saj në tetor të vitit të kaluar, kur ajo ishte pritur me brohoritje nga masa e njerëzve, që i valonin flamujt amerikanë dhe mbanin parulla të falënderimit për SHBA-të.