Lajme

Filmi kosovar “Agnus Dei”, fiton tri çmime në Britani

Filmi “Agnus De” ka fituar çmimin kryesor si filmi më i mirë, regjisori më i mirë dhe për kompozitorin më të mirë

Pas filmit “Shok” që u nominua për çmimin “Oscar” në cilësinë e filmave të huaj me metrazh të shkurtër, është filmi tjetër kosovar “Agnus Dei” me skenar dhe regji të Agim Sopit, që është shpallur fitues në festivalin prestigjioz “North Wales International Film Festival”, i cili sapo ka përfunduar në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ne Festivalin qe mbahet në vendlindjen e legjendave, Merlin e Mbretit Arthur, filmi ‘Agnus Dei’ ka fituar çmimin kryesor ‘Dragon Shield Award’ si Filmi më i mirë (Best pictures), regjisori Agim Sopi është shpallur si regjisori më i mirë (Best Director), kurse çmimi i tretë ka shkuar për kompozitorin Mendi Mengjiqi (Best music and soundtrack)”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga produksioni i këtij filmi.

Një ditë më parë, filmi “Agnus Dei” ka fituar edhe dy çmime të tjera në një festival tjetër amerikan.

“Në festivalin dyjavorë “Atlas & Aeries International Film Festival” i cili është mbajtur nga data 16 janar deri më 31 janar në Boston të SHBA-ve, “Agnus Dei” ka fituar çmimin për Efektet më të mira special (Best Special Effects) si dhe çmimin për Grimin më të mirë (Best Makeup)”, thuhet në njoftim, citon koha.net

Me këto suksese, “Agnus Dei” radhit pas vete 61 çmime, të fituara në të katër anët e globit, duke qenë pjesë zyrtare e më shumë se 140 festivaleve dhe duke u shikuar nga më shumë se 120 mijë spektatorë të zgjedhur nga e mbarë bota.

Gjatë muajve në vijim, filmin “Agnus Dei” e presin edhe shumë evente të shumë metropoleve botërore. Ky film ka tematikë luftën në Kosovë dhe prapaskenat e saj.