Kosova

3 kushtet për Kurtin

Escobar dhe Lajçak të martën takojnë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe liderët e partive opozitare

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog, ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar mbrëmjen e së hënës u takuan me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, ku temë diskutimi ishin kërkesat e ndërkombëtarëve për Kosovën, që nuk u pranuan nga Kurti, shkruajnë mediat vendore, përcjell albinfo.ch.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira. Nëse do të kishim marrëveshje do ju tregoja”.

Përkundër që janë paralajmëruar pasojat, nuk u komentuan nga të dërguarit. Derisa për kushtet e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje tha se do të diskutohet në takimin e së martës që do kenë me ta.

“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”.

Bashkimi Evropian po punon edhe në organizimin e një takimi në kuadër të dialogut në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciç.

Escobar dhe Lajçak të martën takojnë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe liderët e partive opozitare.