Lajme
Vatra, 100 vjet në shërbim të kombit
Shqiptarët në New York vazhdojnë festimet me rastin e 100 vjetorit të krijimit të federatës Vatra. Mes tyre ndodhen këto ditë shqiptarë nga të gjitha anët e Amerikës por edhe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mal i Zi e Lugina e Preshevës. Në konferencën shkencore dje, që zgjati thuajse gjithë ditë, morën pjesë ose përshëndetën edhe kryeministri i Shqipërise, Sali Berisha, nën kryeministrja e Maqedonisë, Teuta Arifi, ministri i Kosovës për diasporën Ibrahim Makolli, përfaqësues të arbëreshëve të Italisë dhe udhëheqës nga të katër besimet fetare. I pranishëm ndodhej gjithashtu ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksander Arvizu, raporton Zëri i Amerikës.
Në një nga hotelet e njohura në Manhattan, The Helmsley Park Lane, dje më 28 prill u zhvillua Konferenca Shkencore “Federata Pan-shqiptare e Amerikës ”VATRA, 100 vjet në shërbim të Kombit”. Në konferencë paraqitën kumtesa studiues të njohur të botës akademike shqiptare, të cilët me analizat e tyre ritheksuan rolin e kësaj federate që nga arritja e saj thelbësore, themelimi i shtetit shqiptar, deri në këtë 100 vjetor.
Konferencën e deklaroi të hapur kryetari i Vatrës, doktor Gjon Buçaj. Pas interpretimit të hymneve kombëtare amerikane e shqiptare, nga artistët e njohur Merita Halili dhe Raif Hyseni, klerikë të larte shqiptarë nga të katër besimet fetare përshëndetën e u lutën për shqiptarët dhe Vatrën në këtë 100 vjetor.
I pranishëm në konferencë, kryeministri Sali Berisha tha se në këtë ditë nderohen të gjithë sepse e tillë gjithëpërfshirëse është Vatra. Berisha falënderoi shqiptarët e Amerikës për emrin e mirë që i japin vendit të tyre dhe theksoi se Shqipëria krenohet me ‘ta.
Historia e Vatrës, është edhe histori e marrëdhënieve shqiptare amerikane tha zoti Frank Shkreli duke u paraqitur pjesëmarrësve, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ambasadori amerikan e cilësoi këtë përvjetor si një rast për të reflektuar e gjithashtu për të ritheksuar se përpjekjet dhe marshimi i shqiptarëve drejt një jete çdo ditë më të mirë vazhdon e kurrë nuk do të ndalet.
Prof. Dr. Nicholas Pano preku veçanërisht atë aspekt të Vatrës që lidhet me përvojën e tij jetësore si shqiptaro amerikan me prindër veprimtarë që në fillimet e Vatrës. Elez Biberaj foli mbi rolin e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me ekzistencën dhe nëpërmjet të cilit, tha ai, qeveria amerikane tregon drejtpërdrejt kujdesin e saj për aspiratat e kombit shqiptar për demokraci e begati, ashtu siç ka treguar interes e angazhim kur ka qenë nevoja edhe për lirinë e këtij kombi.
Shkrimtari Naum Prifti foli mbi rolin e Nolin në kuadër të Vatrës por edhe si përkthyes i kryeveprave botërore dhe sesi ai ua përshtati ato nevojave dhe kulturës shqiptare. Ndërsa, autori i librit Faik Konica – Jeta ne Ushington, Ilir Ikonomi tregoi sesi konkretisht Vatra me përfaqësuesit e saj kontribuoi në njohjen de-jure të shtetit shqiptar nga Shtetet e Bashkuara dhe si ndikoi drejtpërdrejt kjo Vatër në hapjen e ambasadës së parë amerikane në Tiranë, 90 vjet më parë në korrik të vitit 1922.
Punimet e konferencës vazhduan gjatë gjithë ditës ku studiues, historianë, intelektualë trajtuan secili aspekte të vecanta të veprimtarisë 100 vjecare të Vatrës. Për shembull, studiuesi Idriz Lamaj e përqëndroi kumtesën në trajtimin që Vatra u bëri pretendimeve territoriale greke në vitet 1920, kur Vatra i paraqiti memorandumin e saj Lidhjes se Kombeve. Ishte ky memorandum që çoi në vendimin ndërkombëtar për t’a detyruar Greqinë të tërhiqte trupat e saj nga Korça, Gjirokastra e gjithë Shqipëria jugore, tha zoti Lamaj.
Trajtesat shkencore që u paraqitën në Konference, Vatra ka në plan t’i botojë në formë libri në nje vëllim të posaçëm me titull: Vatra 100 vjet në shërbim të kombit. /zëri i amerikes/
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nikol Tuka shkëlqen në koncertin dedikuar Beethoven-it me Orkestrën Simfonike të RTSH-së Nën dirigjimin e Facundo Agudin, Orkestra Simfonike e RTSH-së solli një mbrëmje të veçantë artistike, me... -
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë -
7-vjeçari nga Kosova përfundon me sukses programin HarvardX për programim -
Islandë
Nga Kosova në Islandë: Historia e suksesit e vëllezërve Dardan dhe Armend Zogaj -
Gjermani
Hapet Shkolla Shqipe “URA” në Esslingen për fëmijët e diasporës
Jeta në Austri
-
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë Punimi i tij shkencor mbi konceptin e lirisë sipas Erich Fromm u vlerësua me çmim dhe... -
Miki Ramadani kandidate e Partisë Komuniste për Këshillin Komunal në Graz -
Shqiptarët protestojnë sërish në Vjenë: “Jemi në mbështetje të popullit në Shqipëri” -
Skanerët e rinj të aeroportit të Vjenës lejojnë lëngjet deri në dy litra -
Më pak se 50% i kalojnë provimet e integrimit A2/B1 të Austrisë












