Lajme

Shqipëria i rezistoi “cunamit ekonomik”

Shqipëria ka marrë pjesë në Samitin e biznesit ‘SHBA – Ballkan’, i cili u organizua në Baltimore në shtetin e Marylandit. Në këtë aktivitet të rëndësishëm, ku ishin të pranishëm krerë të shteteve, ministra dhe personalite nga rajoni i Ballkanit, vendi ynë u përfaqësua nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço. Tema kryesore e bisedimeve ishte “Partneriteti Transatlantik dhe Rizgjimi i Marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Nasip Naço vlerësoi raportet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet vendeve të Ballkanit, duke theksuar se ky rajon është një mozaik kulturash, traditash dhe gjuhësh, ndërsa tha se Shqipëria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e një Ballkani, ku konfliktet të zëvëndësohen me begati dhe vendi ynë, ndryshe nga shumë shtete të tjera ka arritur ta përballoj me sukses stanjacionin ekonomik global.

“Shqipëria ka njohur rritje ekonomike me ritmet më të larta në Europën Juglindore me një mesatare prej rreth 6% në vit, e cila në vitin 2008 kulmoi në 8%. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto (GDP) për frymë u rrit ndjeshëm nga 1200$ në vitin 2000 në rreth 4100$ në vitin 2008. Në vitin 2009, edhe pse e gjithë bota ishte në “ethet” e krizës financiare-ekonomike, Shqipëria arriti të kishte rritjen ekonomike të GDP-së më të lartë në Europë, me rreth 3.3%. Shqipëria e kaloi me sukses “stuhinë” e krizës ekonomike globale kryesisht falë stimulit fiskal të qeverisë në drejtim të investimeve dhe mbështetjes së biznesit vendas dhe të huaj, sigurimit të një sistemi bankar të shëndoshë, mbikëqyrjes bankare rigoroze dhe praktikave të kujdesshme të kreditimit”, tha Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës së Shqipërisë”, pohoi Nasip Naço.

Gjatë fjalimit të tij, Nasip Naço u bëri një panoramë ndryshimeve infrastrukturore, që kanë ndodhur në Shqipëri vitet e fundit, ku veçoi rrugën Durrës – Kukës, e cila sipas tij është një ndër arteriet më të rëndësishme në Ballkan që do të shkurtoj distancën ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe do ti jap një ritëm të ri shkëmbimeve tregtare ne rajon dhe me gjërë. “Shqipëria ka transformuar dhe modernizuar infrastrukturën rrugore nga Veriu në Jug. Në vitin 2009, ne inauguruam një nga autostradat më të rëndësishme në Ballkan (Durrës-Kukës), e ndërtuar nga një joint-venture me drejtimin e një kompanie Amerikane me reputacion ndërkombëtar, siç është Bechtel”, tha Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

Nga ana tjetër, ai përmendi disa reforma kryesore që kanë ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në tërheqjen e investitorëve të huaj.“Reformat rregullatore në vitet e fundit janë fokusuar në “përmirësimin rrënjësor të klimës së biznesit” në vend duke u mbështetur në modelin “one-stop-shop”. Thelbi i këtyre reformave është reduktimi në maksimum i barrierave administrative dhe kostove për hapjen dhe drejtimin e një biznesi. Raporti i Bankës Botërore “Doing Business” për vitin 2008, e renditi Shqipërinë në vendin e dytë në botë për sa i përket, reformave në përmirësim të klimës së biznesit dhe mbrojtjen e interesave të investitorëve të huaj. Investimet e huaja direkte gjatë kësaj dekade janë rritur vazhdimisht dhe kanë arritur në rreth 9% të GDP-se në vitin 2010, pra në rreth 1 miliard $”, sqaroi Nasip Naço.

Në fund, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, u bëri thirrje investitorëve të huaj, sidomos atyre amerikan që të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri sepse ky vend i vogël në botë ka potenciale energjetike të mëdha e të pashfrytëzuara, veçanërisht në hidrocentrale dhe investimet e tyre do të ishin një vlerë e çmuar për ta shndërruar Shqipërinë në një fuqi energjetike në rajon.