Lajme
Sallonet e Prishtinës
Në kafiterinë “Dit’ e Nat’” shpesh diskutohen tema shumë të mëdha që organizohen nga Institutit për Demokraci e Zhvillim (D4D)
Me shijen e çajit e birrës e nën aromën e librave rreth vetes, kafiteria “Dit’ e Nat’” në qendër të Prishtinës, të krijon ngrohtësinë e shtëpisë.
Edhe pse vetëm pak metra larg ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në këtë kafiteri, pushtetin e vërtetë, nuk e ka politika.
Në këtë vend prej vetëm pak metrash katrorë, “sundojnë” Organizatat e ndryshme Joqeveritare, shoqëria civile, gazetarë, intelektualë apo turistë të ndryshëm.
Në kafiterinë “Dit’ e Nat’”, gjithmonë është edhe ditë edhe natë. Ajo është e hapur për të gjithë dhe në çdo kohë. Por edhe pse në vend të vogël, shpesh diskutohen tema shumë të mëdha.
Kështu ngjau edhe të martën e kësaj jave. Aty u fol për temën “Dështimi i tranzicionit: Roli i parisë së Tiranës”. Shkas për këtë diskutim, u bë një libër i Shinasi Ramës, i cili edhe pse ende nuk është botuar, pritet të shkundullojë politikën në Shqipëri.
Ish studenti i Lëvizjes së Dhjetorit të vitit 1990 kur u rrëzua edhe sistemi diktatorial i Enver Hoxhës, librin e vet e ka titulluar “Përrallat e Tranzicionit Shqiptar”.
Se çfarë do të jenë këto “përralla” ende nuk dihet saktë, por në atë mbrëmje, secili u mundua të japë një mendim për tranzicionin shqiptar.
Për Shinasi Ramën, profesor i politikës (Klinik) në New York University në SHBA dhe i cili mban titullin e doktorit të Shkencave Politike nga Columbia University, tranzicionet shqiptare kanë pasur tri faza kryesore.
Sipas tij, e para ishte shpërngulja me dhunë drejt Turqisë, pastaj gastarbajterët drejt vendeve perëndimore dhe e treta kulmoi me traumë ikjesh, si në Shqipëri në fillim të viteve 90-ta ashtu edhe në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Rama ishte kategorik se jo gjithmonë shqiptarët e Kosovës kanë mësuar nga ata të Shqipërisë. “Grevën e urisë, ne studentët e dhjetorit 90, e kemi mësuar nga minatorët e Trepçës që u ngujuan në minerë në vitin 1989”, tha Rama, para një audience të vogël, por shumë aktive.
Rama beson se sistemi totalitar i Enver Hoxhës në vetvete ishte kriminal. Por në një dimension tjetër, edhe pushtetin sotëm në Tiranë e cilësoi të tillë. “Sistemi totalitar ishte kriminal drejt mbylljes, duke thënë se jetojmë të lumtur, e ky i sotmi është kriminal sepse pretendon e me hyrjen në BE, do të jemi të lumtur”, tha Rama.
Shqetësues për të mbetet se në fillim jashtë vendit kanë emigruar vetëm 4 përqind e intelektualve, kurse pas vitit 2004, kjo ka arritur në 14 përqind. Në tranzicionin që po kalon Shqipëria dhe Kosova, megjithatë Rama tha se në Prishtinë ka shpresë sepse ka lëvizje sikurse “Vetëvendosja”, që nuk pajtohen me gjithçka që thotë e bënë pushteti.
Por Azem Vllasi, ish lider Komunist i Kosovës, në kohën e ish Jugosllavisë dhe tash avokat i njohur në vend mendon se tranzicionet shqiptare, nuk kanë ndonjë dallim të madh prej atyre që kanë kaluar Bullgaria apo Rumania, kur u shemb ish Bashkimi Sovjetik. “Shoqëria shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri kanë problem të madh të meritokracisë. Ata mendojnë se gjithçka nis prej tyre dhe mbaron me ta”, thotë Vllasi, duke shkaktuar shpesh të qeshura tek të pranishmit me batutat e tij.
Por shumë më keq e shikon tranzicionin në Kosovë, profesori Leon Malazogu. Sipas tij, tranzicioni gati është i dështuar. “Këtu është tendenca për të gllabëruar gjithçka publike. Secili tenton të mbledh gjithçka nga shteti. Këtu nuk ka ngapak humbës ose fitues, por ose humbës total ose fitues total”, thotë Malazogu. Sipas tij, kjo bënë që të krijohet përshtypja që në rast se ndërrohen pozitat e këtyre dy palëve, atëherë prapë situata të përsëritet.
Por jo të gjithë e shohin tranzicionin vetëm zi. Gazmend Pula, ish Ambasador i Kosovës në Tiranë, mendon se sidomos Shqipëria ka arritur shumë. Si shembull mori ekonominë, ku sipas tij, nga 200 dollarë të ardhurat për frymë në vitin 1990, tash në Shqipëri ato kanë mbërritur në 4 mijë e 500 dollarë. “Bruto prodhimi shoqëror ka shkuar në 13 miliardë dollarë, e nëse i shtohen edhe të ardhurat e padeklaruara ai shkon në 20 miliardë dollarë”, tha ai, duke përmend edhe albafetizimin sipas të cilit është në shkallën mbi 99 përqind.
Megjithëkëtë, konstatimet e tij u kundërshtuan nga të pranishmit që vinin nga Tirana, duke theksuar realiteti në teren nuk është fare në përputhje me shifrat.
Në panel ishte edhe publicisti Baton Haxhiu, drejtor i televizionit Klan Kosova dhe njohës i mirë i rrethanave politike si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Diskutime të tilla organizohen me nismën e Institutit për Demokraci e Zhvillim (D4D), në një format gjysëm-formal e pa praninë e mediave, që mbledh rreth vetes ekspertë dhe analistë, politikanë dhe publicistë për të reflektuar dhe shkëmbyer mendime mbi temat e përzgjedhura.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nikol Tuka shkëlqen në koncertin dedikuar Beethoven-it me Orkestrën Simfonike të RTSH-së Nën dirigjimin e Facundo Agudin, Orkestra Simfonike e RTSH-së solli një mbrëmje të veçantë artistike, me... -
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë -
7-vjeçari nga Kosova përfundon me sukses programin HarvardX për programim -
Islandë
Nga Kosova në Islandë: Historia e suksesit e vëllezërve Dardan dhe Armend Zogaj -
Gjermani
Hapet Shkolla Shqipe “URA” në Esslingen për fëmijët e diasporës
Jeta në Austri
-
Austria
Liridon Hoti diplomon Master në Filozofi në Vjenë Punimi i tij shkencor mbi konceptin e lirisë sipas Erich Fromm u vlerësua me çmim dhe... -
Miki Ramadani kandidate e Partisë Komuniste për Këshillin Komunal në Graz -
Shqiptarët protestojnë sërish në Vjenë: “Jemi në mbështetje të popullit në Shqipëri” -
Skanerët e rinj të aeroportit të Vjenës lejojnë lëngjet deri në dy litra -
Më pak se 50% i kalojnë provimet e integrimit A2/B1 të Austrisë













