Kosova
Problematikat me votën e diasporës, më shumë regjistrime, më pak zarfe të mbërritura

Tashmë dihet se në zgjedhjet e 11 majit diaspora voton për herë të parë, duke i bërë këto zgjedhje historike për vendin dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë, të cilët do të shprehin vullnetin e tyre me votë, përcjell albinfo.ch.
Megjithatë në faqen e KQZ-së dedikuar zgjedhësve nga jashtë shihet se votat e diasporës të mbërritura në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbeten ende në nivele të ulëta krahasuar me regjistrimet e emigrantëve.
Referuar KQZ-së, lista e zgjedhësve nga jashtë vendit është 245.935 persona, 224.628 zarfe janë marrë nga zgjedhësit dhe 144.783 zarfe kanë mbërritur në KQZ.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një deklaratë të martën ka renditur disa nga problematikat që janë hasur në procesin e votimit në diasporë. 21 mijë fletë votimi nuk janë shpërndarë tha ai, ndërsa 11 mijë prej tyre rrezikojnë të mos shpërndahen deri ditën e fundit pasi zgjedhësit kanë pasaktësi në të dhënat e regjistruara.
“21 mijë zarfe kompania nuk i ka shpërndarë akoma. 11 mijë janë për shkak të problematikave për saktësi adrese, e-mail, kontakti apo numër telefoni, pra nuk janë mundur të gjenden zgjedhësit dhe janë në zyrat e tyre. I kemi bërë thirrje para disa ditësh këtyre votuesve që të shkonin te shërbimi DHL i vendit përkatës dhe të interesoheshin. Pjesa tjetër janë që DHL i ka telefonuar apo njoftuar dhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe deri në datën 8 maj kanë kohë për të shkuar. Kompania pret që vetë zgjedhësit të shkojnë vetë”, tha Celibashi.
Numri më i madh i të regjistruarve në diasporë që nuk kanë votuar ende vijon të jetë në Greqi, aty ku pjesëmarrja është 9.6%, ndërsa përqindja e të regjistruarve është 27.8%. Konkretisht janë 68.380 emigrantë të regjistruar në Greqi, por i kanë kthyer mbrapsht këto zarfe 23.640 qytetarë që jetojnë e punojnë në shtetin helen.
Partia Demokratike i është drejtuar me një shkresë KQZ ku kërkon “vënien në dispozicion të të gjitha komunikimeve, provave dhe dokumentacionit me të cilin operatori postar vërteton dorëzimin e zarfit dhe materialit zgjedhor te çdo zgjedhës”. Ndërkaq, drejtuesja politike për diasporën, Jozefina Topalli tha në një dalje për mediat se persona të caktuar në shkelje të ligjit po manipulojnë vullnetin e emigrantëve dhe se zarfet po tërhiqen nga persona të tjerë, ndërsa ngriti gishtin e akuzës ndaj socialistëve.
“Kemi raste si në Itali, që një zonjë që punon në ambasadën në Romë, shkon e mbledh zarfet dhe i dorëzon zarfet në mënyrë antiligjore. Quhet Marjeta Mikeli dhe kjo është e pabesueshme, jo se nuk e kanë bërë gjatë regjistrimit, por tani kanë kaluar çdo masë. Por nëse Itali është më e kufizuar, por zonja do të merret nën hetim, ajo që po ndodh në Greqi është në të gjithë territorin e shtetit grek dhe shqetësimi është jashtëzakonisht i madh. Kemi informacione që marrin makina me qira dhe i çojnë në Greqi për të mbledhur votat”, tha Topalli.
Kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje emigrantëve në Greqi që mos të humbasin mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre. Rama përgënjeshtroi akuzat e opozitës se vota e emigrantëve në Greqi po manipulohet.
“Ju lutem shumë të gjithëve dhe në mënyrë të veçantë atyre që janë regjistruar për të më mbështetur mua dhe PS të mos lënë pa votuar. Salamandra blu kishte nxjerrë ca zarfa në rrugë dhe pretendonte që ishin zarfa të kapur, nuk e di se si. Mund t’i fotografosh në rrugë dhe të thuash që këto po t’i bën narkoregjimi, por këto nuk i ha njeri”, tha Rama.
Ndërsa, Celibashi ka theksuar se KQZ trajton çdo ankesë bazuar në prova konkrete dhe jo në deklarata politike të partive. KQZ u ka bërë apel qytetarëve që të raportojnë në sistemin PER (Platformën Elektronike për Regjistrimin e votuesve nga jashtë) çdo problem në lidhje me marrjen e dokumentacionit zgjedhor. Theksohet se vetëm në këtë mënyrë KQZ merr njoftim për problemin në fjalë dhe mund ta adresojë atë. Ndërkaq fleta e votimit mund të dërgohet mbrapsht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duke llogaritur kohën që ajo të mbërrijë në këtë institucion, jo më vonë se ora 19:00 e datës 11 maj.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Ka rrahur rëndë një person: Kosovari dëbohet për pesë vjet nga Zvicra Gjykata Kantonale ka lënë në fuqi vendimin e fajësisë dhe dënimin me tre vjet burg por...
-
Për një ditë, 13 kosovarë nga Kantoni Valis morën pasaporten zvicerane
-
Historike: Tre shqiptarë janë zgjedhur në Këshillin Bashkiak të këtij qyteti në Itali
-
Mjeku nga Kosova bëhet shqiptari i parë që publikon punim shkencor në Harvard
-
Portret profesional në Linkedin dhe CV – fotosesion me Rromir Imamin
Jeta në Austri
-
Pritësit e Airbnb në Vjenë përballen me rregulla më të ashpra dhe gjoba të larta Vjena po shton presionin mbi tregun e qirave afatshkurtra, duke vënë në shënjestër platforma si Airbnb...
-
Qeveria austriake pezullon rritjen e ndihmave familjare për dy vitet e ardhshme
-
A mund të kthejë Gjermania azilkërkuesit në kufirin austriak?
-
Austria planifikon ngrirjen e përfitimeve familjare për shkak të masave shtrënguese
-
Fuqia punëtore emigrante e Austrisë: Kush gjen punë shpejt dhe kush jo?