Integrimi
Me mësueset e shqipes në Zvicër: Doruntina Demelezi
"Të jesh mësuese e shqipes në Zvicër është privilegj dhe nder për çdo shqiptar jashtë vendit: me integrim në shoqërinë pritëse, duke ruajtur gjuhën shqipe"
E intervistuara e fundit në serinë e intervistave me mësueset në mësimin plotësues në gjuhën shqipe në kuadër të LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër, është Doruntina Demelezi në Nyon – Vaud.
albinfo.ch: Doruntina, nga cili vend keni prejardhjen?
D. Demelezi: Kam lindur në fshatin Sllatinë e Poshtme të Vitisë. Në Sllatinë kalova fëmijërinë. Atje më lindi pasioni për të u bërë mësuese. Jam e diplomuar si mësuese në nivelin Bachelor në Fakultetin e Edukimit -drejtimi fillor në Universitetin e Prishtinës.
albinfo.ch: E keni ushtruar profesionin?
D. Demelezi: Po. Kam përvojë profesionale në Kosovë në shkollën “Dëshmorët e Vitisë”në Sllatinë. Ndërsa këtu në Zvicër kam filluar të punoj mësuese e mësimit plotësues të gjuhës shqipe nga muaji shtator i vitit 2022 në Nyon.
albinfo.ch: Si e përjetoni festën e 7 Marsit? Cila është e veçanta e kësaj dite? A keni përgatitur me nxënës ndonjë veprimtari?
D. Demelezi: 7 Marsi – Dita e Mësuesit është një festë e veçantë sepse në këtë datë nderohen, kujtohen dhe respektohen të gjithë mësuesit/et. E veçanta e kësaj dite është që çdo nxënës tregon mirënjohjen dhe vlerësimet më të larta ndaj mësueseve të tyre. Ato që u ndriçojnë dhe u hapin dyert e jetës për dije dhe dituri mësimore e jetësore. Kemi përgatitur si çdoherë aktivitete të ndryshme kulturore si mesazh urimi, poezi, recitime, vallëzime, gjithë këto kushtuar mësueseve për kontributin e tyre që kanë dhënë apo japin në arsimin kombëtar.
albinfo.ch: Në ketë ditë festive çfarë të kujtohet para së gjithash ?
D. Demelezi: Padyshim se kujtoj mësuesin time të klasës së parë Habib Ymeri për të cilin gëzoj respekt e vlerësime të pafundme.
albinfo.ch: A ju kujtohet dita e parë si mësuese kur dhe ku?
D. Demelezi: Patjetër që po, me shumë emocione të përziera sa frikë e sa dëshirë të flakët nisa këtë rrugëtim, sepse ka qenë dhe do mbetet ëndrra ime e fëmijërisë e cila nuk u ndryshua asnjëherë me gjithë kalimin e këtyre viteve. Dita e parë mësuese ka qenë në janar 2017 në Kosovë.
albinfo.ch: Çfarë do të thotë të jesh mësuese e gjuhës shqipe në Zvicër?
D. Demelezi: Privilegj dhe nder i theksuar për çdo shqiptar që jeton dhe vepron jashtë vendit të tij duke u integruar në shoqërinë pritëse dhe duke ruajtur gjuhën shqipe. Një përgjegjësi tepër e madhe për të punuar e për të dhënë maksimumin tonë për të kontribuar dhe ngritur e mbajtur lartë vlerat dhe historinë madhështore të Gjuhës Shqipe.
albinfo.ch: A ju kanë sjellë nxënësit lule këtu në shkollën shqipe, a vazhdon tradita?
D. Demelezi: Po tradita vazhdon si çdoherë me vlerësime e nderime çdo herë nga nxënësit më të mrekullueshëm që posedon shkolla jonë e dashur Shqipe. Kënaqësi shumë e veçantë të festosh gjithmonë këtë festë me nxënësit që përcjell gjuhën shqipe nga një gjeneratë në tjetrën.
albinfo.ch: Brezi i shqiptarëve kur u hap Mësonjëtorja e parë u sakrifikuan shumë për gjuhën shqipe, Rilindësit ishin brezi më shembullor i kombit shqiptar. Ata e donin kombin më shumë se jetën. A gjenden sot shqiptarë me ideale mahnitëse për gjuhën dhe kulturën shqiptare?
D. Demelezi: Gjuha shqipe në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, siç e dimë ishte e ndaluar dhe shqiptarët u sakrifikuan shumë për gjuhën shqipe. Rilindësit e shquar të popullit tonë arritën të hapin Mësonjëtoren e parë më 7 mars të vitit 1887 në Korçë.
Sot, vlerësojmë dëshirën, mundin, kohën, sakrificat dhe solidaritetin e mësuesve, prindërve dhe fëmijëve për të qenë sa më pranë shkollës shqipe. Gjuha shqipe është një për bashkues i të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhën, andaj duhet ruajtur dhe mësuar më tej. Kjo na mbush me krenari sepse edhe larg atdheut shqiptarët kanë për detyrë ta ruajnë e të kultivojnë gjuhën dhe kulturën kombëtare. Edhe ne sot duhet të përpiqemi e të ndjekim rrugën që na trasuan Rilindësit e mëdhenj të kombit shqiptarë të cilët punuan aq shumë për çështjen kombëtare duke hapur shkolla shqipe për të zhvilluar kulturën tonë përmes gjuhës shqipe të shkruar.
Intervistoi: Nexhmije Mehmetaj
E-Diaspora
-
Shqipëri: Për 72 orë 10 mijë të regjistruar për votim jashtë vendit Në më pak se 72 orë që nga momenti hapjes së procesit të regjistrimit të votuesve...
-
Birr (AG): Tubim përkujtimor për viktimat e gjenocidit në Kosovë
-
Winterthur ZH: Kosovari i kërkuar dorëzohet pas sulmit ndaj gruas
-
Shkronjat shqipe në La Chaux-de-Fonds, një lidhje mes brezash
-
Pronari i agjencisë mbetet në paraburgim: Biznese me mafien e drogës
Jeta në Austri
-
Vjena ka investuar 53 milionë euro në infrastrukturën e çiklizmit në 2024 Vjena investoi pothuajse 53 milionë euro në rrugë të reja çiklizmi në vitin 2024, duke shtuar...
-
Çfarë do të thonë për ju shkurtimet buxhetore të Austrisë
-
Një grua austriake është rrëmbyer në Nigeri
-
Zgjerohen zonat e ndalimit të armëve në Vjenë
-
Ndryshimet që blerësit dhe qiramarrësit mund të presin në Austri në vitin 2025