Kosova

Zvicër: Kush e paguan spitalin nëse një turist vdes? Rasti i një nëne nga Kosova

Diskutimi se kush do ta paguante faturën e spitalit rezultoi në një betejë ligjore disavjeçare që përfundoi në gjykatën federale. Me humbje

Një grua kosovare e moshuar u desh të shtrohej në spital gjatë qëndrimit të saj në Freiamt (regjion në kantonin Aargau), ku dhe vdiq. Vajza e saj dhe spitali më pas luftuan për të siguruar mbulimin e kostove të trajtimit spitalor duke rënë dakord që Zyra e Mirëqenies Sociale e komunës së Villmergenit duhet ta paguajë atë.

Nëna 80-vjeçare e vajzës kishte udhëtuar nga Kosova për të kaluar festat e fundvitit me vajzën e saj në Villmergen, transmeton albinfo.ch. Por, më 25 dhjetor ajo pësoi një goditje në tru dhe iu desh të shtrohej në spital. Vetëm nëntë ditë më vonë ajo vdiq nga efektet e goditjes në tru. Pos pikëllimit të madh për vajzën dhe të afërmit e saj në Kosovë, vdekja la pas edhe një faturë spitali prej 34,000 frangash.

Diskutimi se kush do ta paguante këtë shumë rezultoi në një betejë ligjore disavjeçare që përfundoi në gjykatën federale, pothuajse katër vjet më vonë.

Historia e gjatë filloi me një kërkesë që spitali dhe vajza e të ndjerës ia paraqitën Zyrës së Mirëqenies Sociale të Villmergenit, shkruan Zofinger Tagblatt . Aty kërkuan që të mbuloheshin kostot e trajtimit, por pa sukses. Një letër e dytë nga spitali me shumën e saktë prej 33,984 frangash u refuzua gjithashtu nga zyra në fjalë.

Një maratonë ankesash ka pasuar nëpër autoritete dhe gjykata të ndryshme. Në fund të fundit, Gjykata Administrative e Kantonit të Aargaut vendosi në favor të komunës. Por vajza e të ndjerës dhe spitali paraqitën një ankesë në Gjykatën Federale, shkalla më e lartë e gjyqësisë në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Vendimi i gjykatës  tani është shpallur dhe publikuar.

Teorikisht, spitali dhe vajza kishin të drejtë për rimbursim, por…

Nga njëra anë, vendimi vlerëson ankesën e vajzës. Ajo argumentoi se nëna e saj në nevojë do të kishte të drejtë për ndihmë emergjente, pra mbështetje financiare, gjatë jetës së saj sipas ligjit zviceran. Me vdekjen e saj, kjo e drejtë u kaloi të afërmve të saj. Prandaj, shërbimet sociale të Villmergenit duhet të mbulojnë më pas kostot e trajtimit.

Por, më parë Gjykata Administrative dhe tani edhe Gjykata Federale e hodhën poshtë këtë kërkesë. Derisa e kishte paraqitur kërkesën në Villmergen, vajza nuk kishte përmendur se ajo vetë ndodhej në një situatë emergjente, përcjell albinfo.ch. Prandaj, ajo nuk ka të drejtë për përfitime sociale.

Përveç kësaj, pas vdekjes së nënës, nuk ekzistonte më ndonjë emergjencë për t’u zgjidhur. Për të kërkuar ndihmë urgjente, personi në fjalë duhet të ketë të drejtë për ndihmë, kujdes dhe burime në Zvicër, thuhet në vendim.

Mjete të tilla përfshijnë, për shembull, ushqimin ose strehimin, të cilat shërbejnë si ndihmë e përkohshme për të siguruar mbijetesën. “Në këtë kuptim, Gjykata Supreme Federale ka vendosur vazhdimisht se, në parim, nuk mund të kërkohen përfitime për situata të vështira që janë kapërcyer”, thuhet në të.

Nga ana tjetër, duhej të vlerësohej edhe ankesa e spitalit në lidhje me mbulimin e kostove të trajtimit të shkaktuara. Edhe në këtë rast, Gjykata e Lartë Federale u pajtua me Gjykatën Administrative dhe e rrëzoi ankesën e spitalit. Spitali nuk ka të drejtë për rimbursim të kostove sepse nuk i ka respektuar afatet e nevojshme gjatë dorëzimit të kërkesës përkatëse.

Në teori, kur trajtojnë një turist, ofruesit e shërbimeve mjekësore mund të kërkojnë rimbursimin e kostove të trajtimit nga autoriteti i mirëqenies sociale në emër të personit në fjalë,  me kusht që personi ose përfaqësuesi i tij të bjerë dakord, transmeton albinfo.ch. Por, në rastet kur një person i prekur vdes, këtu lind një boshllëk ligjor: ligji kantonal nuk parashikon ndonjë rregullim të qartë për raste të tilla.

Për të shmangur përballimin e këtyre kostove vetë, si në shembullin e kosovares spitali mund të paraqesë një kërkesë në emrin e vet. Edhe gjykata administrative u pajtua me këtë. Megjithatë, kjo duhet të bëhet brenda 60 ditëve nga fillimi i trajtimit  dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kërkesa e spitalit dështoi në këtë rast.

Aplikimi i dytë i plotë erdhi shumë vonë

Spitali paraqiti kërkesën e parë te shërbimet sociale të Villmergenit vetëm pesë ditë pas vdekjes së gruas. Në atë kohë, kërkesa përfshinte edhe nënshkrimin e vajzës, “pa deklaruar shprehimisht në emër të kujt ishte bërë kërkesa”, argumentohet në vendim.

Ndërkaq, kërkesa e dytë, këtë herë e plotë dhe e paraqitur vetëm në emër të spitalit, u dorëzua vetëm më 16 maj. Në një kohë kur, afati 60-ditor kishte kaluar tashmë.

Sipas Gjykatës Federale, fakti që Gjykata Administrative e Aargaut e hodhi poshtë kërkesën e spitalit është i ligjshëm. Ajo hodhi poshtë ankesën e spitalit kundër këtij vendimi, si dhe atë të Liridonës.