Lajme

Blerta Krasniqi doktoron në Poloni në fushën e Logopedisë

Shqiptarja nga Kosova përfundoi me sukses studimet e doktoratës në Universitetin Kombëtar të Komisionit të Edukimit në Krakov, duke shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e logopedisë.

Bashkëkombësja jonë nga Prishtina, Blerta Krasniqi, ka shënuar një sukses të rëndësishëm akademik në Poloni, duke mbrojtur me sukses tezën e doktoraturës në fushën e Logopedisë pranë Universitetit Kombëtar të Komisionit të Edukimit në Krakov, transmeton albinfo.ch.

Ky sukses përfaqëson një arritje të madhe personale dhe shkencore për Blerta Krasniqin, por njëkohësisht është edhe një moment krenarie për komunitetin shqiptar, duke dëshmuar potencialin, përkushtimin dhe profesionalizmin e të rinjve tanë në institucionet prestigjioze ndërkombëtare.

Arritje të tilla janë dëshmi e punës së palodhur dhe e vlerave që shqiptarët përfaqësojnë në fushën e arsimit, shkencës dhe kërkimit akademik, duke lënë gjurmë pozitive kudo që veprojnë.

Mbrojtja e doktoraturës në një nga universitetet e njohura të Polonisë shënon një etapë të rëndësishme në rrugëtimin profesional të Dr. Blerta Krasniqit dhe hap mundësi të reja për angazhime të mëtejshme në fushën shkencore dhe akademike./Albinfo.ch