Integrimi

KSHZ dhe shoqatat, debat mbi komunikimin në diasporë

Në konferencën e dytë të organizuar nga Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, temë bosht ishte – Komunikimi dhe bashkëpunimi i diasporës shqiptare në Zvicër

Në lokalet e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih u mbajt Konferenca e dytë e Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër ose më mirë të themi një takim pune i Kuvendit me përfaqësues shoqatash.

Pasi që në konferencën e parë ishin debatuar tema nga fusha e sigurimeve, e mësimit të gjuhës amtare, të taksave, të komunitetit shqiptar në Maqedoni etj., në këtë konferencë temë bosht ishte – Komunikimi dhe bashkëpunimi i diasporës shqiptare në Zvicër.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Kuvendit, Jeton Kryeziu bëri të ditur se edhe

kjo konferencë, sikur edhe ajo para gjashtë muajsh është në funksion të njohjes së ndërsjellë të individëve dhe shoqatave për funksionalizimin e projekteve të ndryshme që mund dhe duhet të jenë në të mirë, jo vetëm të diasporës, por edhe të vetë shtetit të origjinës.

„Futja e shoqatave shqiptare që veprojnë në Zvicër nën një çati të përbashkët nuk duhet kuptuar si shërbëtore të Kuvendit, por përkundrazi Kuvendi të jetë në shërbim të shoqatave, dhe bashkërisht të jemi në shërbim të popullatës shqiptare në Zvicër“, qartëson kryetari Jeton Kryeziu dilemat e disa skeptikëve që paragjykojnë punimet e Kuvendit.

Sidoqoftë, promotorët e këtij Kuvendi, Jeton Kryeziu, kryetar, pastaj nënkryetarët Lurata Reçi e Avni Binaku si dhe anëtarët e Kryesisë: Orhan Spahiu e Samir Zejneli, përkundër angazhimeve të tyre profesionale në vendet e tyre respektive, po japin maksimumin për të gjetur format e funksionimit të këtij kuvendi.

Moderatori i takimit, nënkryetari i Kuvendit, Avni Binaku, dha një pasqyrë lidhëse të punës mes dy konferencave. Ai insistoi nga të pranishmit që, secili në mënyrën e vet, të japë kontributin për funksionimin e Kuvendit përmes plasimit të ideve dhe konkretizimit të mundësive për një bashkëpunim të frytshëm.

Konsulli i Kosovës në Cyrih Islam Spahiu në fjalën e tij u pozicionua edhe vetë si pjesë e diasporës, duke bërë të ditur qëndrimin e tij një kohë të gjatë edhe në Gjermani. Diskutimi i tij u përqendrua në gjendjen faktike të shqiptarëve, për të thënë se shqiptarët gjatë shekujve kanë vuajtur për çështje të mëdha. Tashmë kur çështjet e mëdha kryesisht janë vënë në binarë të tyre, pra Shqipëria tashmë ka një kohë që është shtet më vete, si dhe Kosova ka një përpjekje për ta stabilizuar situatën e një shteti të sapolindur, tani duhet t’u rrekemi çështjeve “të vogla”, më konkretisht çështjeve të përditshmërisë e që konsistojnë në organizimin e diasporës drejt një përparimi në shumë fusha për t’u barazuar me kombet e civilizuara evropiane.

Zoti Spahiu përgëzoi kryesinë e Kuvendit për angazhimin vetëmohues dhe vullnetar, por shprehu edhe një vetëkritikë ndaj institucioneve shtetërore, duke aluduar në marrjen e më shumë detyrave për t’u vënë në ballë të kërkesave të Diasporës shqiptare në Zvicër. Ndër të tjera z. Spahiu tha se tashmë ka perënduar qasja folklorike ndaj diasporës dhe se duhet t’i kthejmë sytë kah gjeneratat e reja që po shkollohen dhe po krijojnë autoritetin e tyre këtu e që mund të jenë të vlefshëm edhe për vendin e tyre të origjinës

Në emër të ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër z. Ilir Gjoni, foli zëvendësi i tij, Kastriot Noli. Ai shprehu shqetësimin për përfshirjen e vogël të nxënësve shqiptarë në arsimin plotësues shqip në Zvicër, bazuar në faktin se nga 26 kantone të Zvicrës vetëm në 14 sish zhvillohet mësimi plotësues i gjuhës amtare, dhe se këtu përfshihen rreth 2000 fëmijë prej 30 mijë sa ka nxënës shqiptarë në shkallë shteti.

z.Noli shprehu brengën e tij për prirjen që tregon  gjenerata e dytë dhe e tretë për fshehjen e identitetit të tyre shqiptar. Prandaj duhet të kalojmë në projekte konkrete, tha ai, duke vënë në dispozicionin angazhimin e tij dhe të institucionit ku ai vepron, për të aftësuar mësues të mësimit shqip qoftë nga Shqipëria ose nga Kosova.

Albana Krasniqi – Malaj, drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë e që në takim ishte edhe si anëtare e Komisionit për Emigracion pranë autoriteteve zvicerane, parapëlqeu që të merren modele edhe të komuniteteve të tjera që jetojnë në Zvicër, siç është ai hebraik, italian, spanjoll etj. në mënyrë që suksesi i punës së këtij kuvendi të jetë më i madh. Duke qenë edhe vetë themeltare e këtij kuvendi, ajo përkujtoi edhe zotimin e këtij kuvendi që të jetë më gjithëpërfshirës edhe rajonal edhe gjinor por edhe profesional.

Për të pasur sukses puna e këtij kuvendi ajo tha se punët duhet të nisin nga baza, duke marrë si shembull punën e LAPSh-it.

Sot qëndrojmë në një udhëkryq ku duhet të gjejmë një zgjidhje që të mund të konsolidohet kuvendi dhe të ketë një fuqi ndërmjetësimi midis të gjithëve, sepse ai është fuqi ndërmjetësimi midis Kosovës, midis Shqipërisë, midis Maqedonisë për njerëzit që vijnë nga këto vende, por është po ashtu urë lidhëse midis komunitetit shqiptar dhe Konfederatës zvicerane. Dhe Konfederata zvicerane gjithnjë e më tepër ka nevojë për një zë që të mund ta ketë si referencë, sepse në nivel federal e ka vështirë të gjejë një bashkëbisedues ku do të drejtohej për ndonjë çështje me interes të përbashkët, dhe kjo për momentin është një nevojë e pa përmbushur.

Sa i përket hapave të ardhshëm këtu është dyjëzimi i rrugëve: a do të jetë një çati ku do të organizohet nga lartë apo do të krijojë prurje nga baza, tha mes tjerash zonja Krasniqi-Mala.

Florim Hyseni, përfaqësues i Shoqatës „Kërçova“ në Zvicër, duke marrë për bazë funksionimin e shoqatës ku ai vepron, propozoi që në kuvend të ketë ulësen e vet secila shoqatë që vepron në Zvicër. Të gjitha ato shoqata do të bëjnë një regjistrim vjetor te kuvendi ku edhe do të paguajnë për anëtarësim me çka dhe krijohet një fond. Pastaj do të jetë detyrë e kuvendit përfaqësimi i shoqatave në instanca të ndryshme, siç është Lobi atlantik shqiptar në Lörach ose gjetiu.

„Kështu funksionon aktualisht shoqata „Kërçova“ e cila në gjirin e vet ka një mori shoqatash nga fshatrat e rrethit të Kërçovës“, tha z. Hyseni. Një lehtësim i veprimit të kuvendit do të ishte edhe krijimi dhe fuksionimi i sektorëve të ndryshëm, siç janë arsimi, kultura, biznesi etj. Pra kjo formë e komunikimit është edhe më e drejtpërdrejtë, por edhe më frytdhënëse për funksionimin e kuvendit, mendon z. Florim Hyseni nga shoqata „Kërçova“.

Anëtari i Kryesisë së kuvendit Orhan Spahiu potencoi mungesën e komunikimit mes shoqatave dhe së bashku me ato me kuvendin. Përndryshe, secila shoqatë në vete vazhdon të funksionojë me një ritëm të pandalshëm prej kohësh. Ai mori shembullin e shoqatës së fshatit të tij të origjinës ku problemi i pjesëmarrjes në takime është i vogël, por kur kërkohet një ndihmë konkrete ose ndonjë manifestim ata të gjithë janë të gatshëm për veprim.

Ky dhe raste të tjera të ngjashme lënë të kuptohet se njerëzit në diasporë duan ta organizojnë angazhimin e tyre në një formë më pragmatike, duke anashkaluar takimet vullnetare në mbledhje të ndryshme.

Krijimi edhe i një kuvendi tjetër në Zvicër është po ashtu pengesë e funksionimit të këtij kuvendi, tha Brahim Avdyli

Me krijimin e shtetit të Kosovës, duket se mërgata shqiptare paksa është qetësuar, thotë Dr. Xhevat Hasani i shoqatës „Parandalo“. Tashmë shihet një rritje pozitive në sport, por sidoqoftë duhet të punohet në vetëdijësimin e prindërve që të dërgojnë fëmijët e vet në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Nuk duhet të jemi pesimist së tepërmi, ngase ka rezultate të kapshme në shumë fusha, tha z. Hasani.

Në këtë pikë  Nexhat Maloku nga LAPSH-i njoftoi se mësimi plotësues shqip funksionon tash e 30 vjet, por meqë mësimi është vullnetar e jo obligativ dhe se duhet të financohet nga vetë prindërit është vështirë të përballohet.

Na takim folën edhe B. Hasanaj, S. Zejneli etj.