Literaturë
Kam një jetë dhe atë jam duke ua dhënë vazhdimisht atyre që i kam brenda jetës!
Arsim Jonuzi, gjuhëtar, trajnues dhe poet, e sheh komunikimin si një proces të thellë që lidh gjuhën me shpirtin e njeriut
Arsim Jonuzi e trajton gjuhën si një formë kuptimi dhe artikulimi të përvojës njerëzore. I formuar në filologji dhe i orientuar drejt komunikologjisë, ai zhvillon një praktikë që përfshin edukimin, trajnimin dhe reflektimin mbi komunikimin. Në këtë intervistë për albinfo.ch, ai ndalet te rrugëtimi i tij profesional, te raporti mes gjuhës dhe mendimit, si dhe te sfidat që sjell koha digjitale në mënyrën se si ndërtohet dhe transmetohet komunikimi.
albinfo.ch: Kush është Arsim Jonuzi, për ata që nuk ju njohin?
Arsim Jonuzi: I lindur dhe i rritur në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut, i stacionuar në një zyrë modeste në cep të qytetit, aty ku e kaloj kohën e shtrenjtë dhe kohën e lirë, në të shumtën e rasteve. I gjendur kryesisht edhe në Shkup, përkatësisht gjetiu, ku e kërkon nevoja për të realizuar projekte e shërbime profesionale. Jam i diplomuar për filologji (i përkushtuar për gjuhët shqip-maqedonisht-anglisht), në specializim e sipër për komunikologji, psikokomunikologji e pedagogji digjitale. Përvijoj ofshama shpirtërore kryesisht në formë poezish, merrem me moderime ngjarjesh të ndryshme familjare e shoqërore. Përndryshe, nëse do të duhej ta thosha të gjithën me një fjalë, ajo është edukator.
albinfo.ch: Cili ka qenë momenti që ju ka orientuar drejt gjuhës dhe komunikimit si mision jetësor?
Arsim Jonuzi: Për gjuhët kam zhvilluar emocione lidhëse që nga shkollimi fillor. Përgjatë shkollimit të mesëm herë-herë mendoja se e doja psikologjinë. Megjithatë, në koordinim me familjen, atëbotë e lashë psikologjinë. Vazhdova për gjuhësinë. E lashë me mendimin se po braktisja një dashuri së cilës do t’i mbetem borxh. E vërteta m’u zbardh më vonë, kur më doli përpara komunikologjia. Më jep eksitim kur i dëgjoj ose i lexoj njerëzit duke u shprehur. Rëndom, njerëzit e thonë atë që është në sipërfaqe; atë të vërtetën që u qëndron brenda errësirës së shpirtit të vet e lënë të pathënë ose të maskuar. E unë pikërisht kësaj dukurie iu jam rrekur.
albinfo.ch: A mendoni se përkthyesit dhe interpretët rrezikojnë të mbeten pa punë, duke qenë se inteligjenca artificiale po arrin nivele gjithnjë e më të larta saktësie në përkthim?
Arsim Jonuzi: Ndoshta mbeten pa punë, por jo pa bukë. Njerëzit, përkatësisht profesionistët e çdo fushe, duhet të jenë vigjilentë përballë trendeve dhe mundësive që sjell çdo kohë. Nuk duhet “fetishizuar” një profesion i vetëm. Çdo profesion ka fusha të afërta, disiplina apo industri që janë të përafërta me të. Duhet eksploruar.
albinfo.ch: Çfarë mund të na thoni për Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës në RMV?
Arsim Jonuzi: Ishin disa miq e mikesha të mitë që më rekomanduan të shkoja aty dhe të pranohesha duke e dëshmuar kapacitetin profesional. Kur m’u desh të ndaja rrugët si punonjës me orar të plotë, mund të numëronim mbi 100.000 faqe punë të kryera, që përfshinin përkthim, redaktim gjuhësor dhe analiza përkthimore. Shumë herë jam angazhuar edhe si bashkëpunëtor i jashtëm, këshilltar dhe trajnues.
albinfo.ch: Ju jeni edhe mësimdhënës gjuhësh. Çfarë ka në spikamë këtu?
Arsim Jonuzi: Për herë të parë kam dhënë mësim që në shkollë të mesme. Nuk mëtoj të kem qenë shumë cilësor në qasjen time atëbotë, por definitivisht me shumë më tepër entuziazëm se sot. Nëse do të duhej ta barazoja veten me një fjalë, do të ishte edukator. Shqiptarëve ua ligjëroj maqedonishten dhe anglishten, ndërsa të huajve shqipen. Qasja ime është e thjeshtëzuar: ua mësoj fjalët më të domosdoshme dhe rregullat themelore të gramatikës.
albinfo.ch: Po trajnimet dhe angazhimet në panele?
Arsim Jonuzi: Fillimisht jam certifikuar vetë, pastaj i kam zbatuar njohuritë dhe më pas i kam ndarë me të tjerët. Trajnoj në menaxhimin e kohës, të folurit publik, komunikimin strategjik dhe orientimin në karrierë. Shumë njerëz janë të pakënaqur me gjendjen e tyre sepse u mungon një pjesë e dijes. Mësimi mund të vijë nga përvoja personale ose nga përvojat e të tjerëve. Deri më tani u kam ndihmuar qindra personave të orientohen në rrugëtimin e tyre.
albinfo.ch: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve që duan të ndjekin rrugën tuaj?
Arsim Jonuzi: Mëso vazhdimisht. Nuk e di kurrë kur do të të duhet një mësim që sot mund ta shpërfillësh. Të rinjtë sot kanë shumë burime, por shpesh nuk gjejnë kohë për lexim. Nëse nuk mund të lexosh shumë, lexo pak, por mos e lër kurrë pas dore.
albinfo.ch: Çfarë përvoje dhe perspektive të re ju ka dhënë angazhimi në mediumin ku punoni?
Arsim Jonuzi: Angazhimi në mediumin ku jam i angazhuar, në kuadër të redaksisë në gjuhën shqipe dhe maqedonase, ka qenë një përvojë e rëndësishme profesionale për mua. Gjatë kësaj periudhe, kam qenë i përfshirë në procesin e redaktimit përfundimtar të teksteve, duke u fokusuar në përputhjen me standardet gjuhësore dhe saktësinë semantike. Puna në këtë ambient më ka dhënë mundësinë të zhvilloj më tej qasjen time profesionale, veçanërisht në raport me verifikimin e informacionit dhe trajtimin e tij në mënyrë të kujdesshme dhe të strukturuar.
albinfo.ch: Duke pasur parasysh zhvillimet dhe rrethanat aktuale, a e keni menduar ndonjëherë emigrimin si alternativë?
Arsim Jonuzi: T’ju them të drejtën, asnjëherë nuk e kam menduar. Kam shumë të afërm që kanë emigruar dhe përvojat e tyre janë të ndryshme. Unë kam zgjedhur të jetoj dhe të kontribuoj këtu ku jam, duke bërë përpjekje për kontribut edhe në hapësirën digjitale. Besoj se kontributi duhet dhënë aty ku është më i nevojshëm, në përputhje me rrethanat personale dhe familjare.
Të tjera nga Literaturë
E-Diaspora
-
Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi interpretoi veprën monumentale të Bach-ut në Gjermani Artistja shqiptare solli para publikut gjerman “Goldberg Variationen”, një nga kryeveprat më të njohura të muzikës... -
Gjermani
Shqiptarja Lindita Nebiu Hyseni ligjëruese në Universitetin SRH në Mynih -
Profesoresha nga Kosova ligjëron në Universitetin e Regensburgut në Gjermani -
Venera prezanton Kosovën në kongresin botëror të endokrinologjisë në SHBA -
KQZ numëron mbi 96 për qind të votave me postë
Jeta në Austri
-
Mbylljet e Transportit Publik të Vjenës në vitin 2026: Ndërprerje të S-Bahn, U3, U4 Tranziti i Vjenës përballet me mbyllje të mëdha deri në vitin 2027 pasi përmirësimet e hekurudhës... -
Austria bie dakord për rregulla të reja për vetëvrasjen e asistuar -
Mbyllet procesi i votimit në Vjenë: Votuan 907 qytetarë -
Përfundon procesi i votimit në qendrat diplomatike të Kosovës në Evropë -
Procesi i votimit në Ambasadën e Kosovës në Austri, i rregullt dhe pa pengesa














