Lajme
Joe Lang kundër dorëzimit të “Çmimit Diaspora” nga Qeveria Kosovare
Lang: “Përse ky çmim nuk jepet – në mënyrë plotësisht të pavarur nga Qeveria Kosovare – nga një përfaqësuese ose përfaqësues i diasporës?”
Në një shkrim të botuar të dielën që shkoi, në gazetën NZZ am Sonntag, që bënte fjalë për dhënien e “Çmimit të Diasporës” presidentes dhe ministres Micheline Calmy Rey, citohet edhe politikani nga Partia e Gjelbër, Joe Lang.
Deputeti nacional Lang citohet të ketë kundërshtuar ashpër faktin se zonja Rey po e merr këtë çmim nga ministri i një qeverie, të cilën e ngarkojnë akuza serioze. Sipas tij, madje “pranimi i një çmimi të tillë nga ana e zonjës Rey është `goditje prapa shpine` për senatorin zviceran Dick Marty…”
Albinfo.ch ka kontaktuar deputetin Josef Lang, të cilin e ka lutur që të sqarojë kontekstin e kritikave të tij ndaj ministres dhe presidentes së Zvicrës, Calmy Rey.
Albinfo.ch: Z. Lang, a e veni në pikëpyetje, me deklarimin tuaj, synimin e diasporës kosovare në Zvicër që përmes çmimit të përmendur, të shprehë mirënjohjen e saj ndaj Zvicrës dhe zonjës Calmy-Rey?
J. Lang: Me çmimin unë nuk kam asnjë problem. Unë nuk e bëj përgjegjëse diasporën për atë çfarë ka ndodhur dhe po ndodh në Kosovë. Por unë jam kundër që ky çmim të merret nga duart e një qeverie, mbi të cilën ngarkon një dyshim serioz. Përse “Çmimi Diaspora” nuk jepet – në mënyrë plotësisht të pavarur nga qeveria kosovare – nga një përfaqësuese ose përfaqësues i diasporës?
Albinfo.ch: Përse, sipas jush, z. Marty do të duhej të ndjehej “i sulmuar pas shpine”, me faktin që zonja Rey e pranon këtë çmim?
J. Lang: Problemi nuk është pse zonja Calmy-Rey e pranon çmimin. Problemi është se ajo këtë çmim po e merr nga përfaqësuesi i një qeverie, të cilën e ngarkon një dyshim i rëndë. Kjo qeveri dhe qarqet rreth saj nuk janë shprehur me shumë respekt ndaj Dick Marty-t.
Albinfo.ch: Si e shpjegoni lidhjen në mes të akuzave (ende të padëshmuara) kundër kryeministrit të Kosovës dhe çmimit të diasporës? A do të duhej, në këtë kuptim, diaspora kosovare të hiqte dorë nga ndarja e çmimeve të tilla?
J. Lang: Po e përsëris: Problem nuk është as diaspora dhe as çmimi Diaspora. Problem është implikimi, sipas meje, i panevojshëm i Qeverisë së Kosovës. Përse, në sfondin e protestave dhe kritikave nga viti i kaluar, nuk është zgjedhur një rrugë tjetër, e cile nuk do të kontestohej: që “Çmimi Diaspora” të jepej nga vetë diaspora?
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Oda Ekonomike e Kosovës fton bizneset në takimet B2B me diasporën Aktivitetet do të mbahen në Pejë, Gjakovë dhe Gjilan me synim krijimin e partneriteteve të reja... -
Kosovare Asllani vazhdon kontratën me London City Lionesses deri në vitin 2027 -
Zvicër
Vexhid Sejdiu: Shkolla Shqipe në Zvicër mbyll vitin shkollor, nisin regjistrimet për 2026/2027 -
Kosovë
135 futbollistë e futbolliste nga diaspora morën pjesë në kampet e FFK-së -
Mërgimtarët drejt vendlindjes: Ja gjendja aktuale dhe pritjet në pikat kufitare
Jeta në Austri
-
Vjena rrit taksën turistike Vjena po e rrit ndjeshëm taksën lokale për turistët - dhe kështu bëhet qyteti me taksën... -
Problemi i drogës po rritet në Vjenë -
„Dita Kulturore Shqiptare“ në Graz, simbol i bashkimit të shqiptarëve në diasporë -
Austri: Arrestohet kosovari i kërkuar ndërkombëtarisht -
Austria ndryshon rregullat e përfitimeve familjare për refugjatët ukrainas












