Lajme
Haradinaj e humbi betejën e parë për formimin e Qeverisë
LVV dhe LDK nuk e kanë marrë seriozisht ftesën të cilën një ditë më parë ua ka bërë Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas këtyre dy partive, Ramush Haradinaj nuk mund të flet si PAN
I nominuari i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj ka dështuar në betejën e parë për krijimin e një koalicioni të gjerë qeverisës, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i subjekteve politike, të cilave u prin Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të diskutuar për formimin e Qeverisë së re.
Këto dy parti, LVV dhe LDK nuk e kanë marrë seriozisht ftesën të cilën një ditë më parë ua ka bërë Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN.
Përfaqësuesit e Vetëvendosjes thanë se janë të gatshëm të takohen me Ramush Haradinajn, por vetëm nëse ky i fton si lider i AAK-së dhe jo si i PAN-it. Vetëvendosje nuk dëshiron të jetë në të njëjtën qeveri ku është edhe parti e Kadri Veseli, PDK. Kjo e fundit, sipas Vetëvendosjes, është parti e inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion.
Njëjtë për PDK-në mendojnë edhe përfaqësuesit e LDK-së. Edhe ata e pranojnë Ramush Haradinajn, por jo edhe Kadri Veselin.
Ndërkaq, Avni Arifi, këshilltar i Haradinajt, ka theksuar se ky i fundit, do t’i ftojë në takim të gjitha partitë parlamentare. Lidhur me refuzimin e dy subjekteve politike, të cilat pas koalicionit PAN, kanë numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, Arifaj ka theksuar se megjithatë presin një përgjigje formale nga ato.
“Ne u kemi bërë ftesë formale dhe presim përgjigje formale. Propozimet e para ua bëjmë partive parlamentare, që të jenë pjesë e qeverisjes. Nëse kemi refuzim, atëherë do të shikojmë mundësinë e ndërtimit të partneritetit me deputetë, jashtë grupeve parlamentare”, ka thënë Arifaj.
Ai ka shtuar se i nominuari për kryeministër, Haradinaj, ka pasur takime me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës, përveç përfaqësuesve të komunitetit serbe, të cilëve, siç tha ai, së shpejti do t’iu bëhet ftesë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, i cili gjatë ditës së hënë është takuar me zotin Haradinaj, të martën është takuar edhe me liderin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollin. Subjekti politik që drejton Pacolli është në koalicionin parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Detajet e këtij takimi nuk janë publikuar, por ambasadori Delawie u ka thënë shkurt mediave se “do t’i takoj të gjithë”, citon REL.
Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhje, me çka është hapur rruga për konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit, si dhe formimin e Qeverisë së re, partitë politike do të përballen me realitetin, siç e vlerësojnë, jo të lehtë.
Politologu Belul Beqaj, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se skena politike në Kosovë gjendet përballë dy varianteve për krijimin e institucioneve të reja.
“Varianti i parë, pra, që PAN-i ta formojë Qeverinë, duket se nuk do të jetë ashtu siç kanë qenë deklaratat. Së paku, edhe nëse formohet, do të jetë shumë i brishtë koalicioni qeveritar dhe si i tillë lë për të dëshiruar se mund të ketë jetë të gjatë. Në variantin e dytë, pavarësisht se çfarë mendon personalisht presidenti (Hashim Thaçi), besoj që – duke i parë kontaktet e deritanishme me ndërkombëtarët – bashkësia ndërkombëtare, shtetet e QUINT-it, do ta detyrojnë Thaçin që t’i japin mundësinë që të formohet Qeveria nga Vetëvendosja, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe subjektet tjera”, tha Beqaj.
Ai beson që pavarësisht se cili subjekt apo koalicion do të qeverisë në këtë mandat, nuk do ta ketë jetën e gjatë, por në anën tjetër as një bllokadë për formimin e Qeverisë dhe shkuarja sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk janë zgjidhje për situatën dhe përballë proceseve që e presin Kosovën.
E-Diaspora
-
Në një shkollë të Bronx-it, shqipja mësohet krahas anglishtes Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në... -
Brajan Gruda e zgjedh Gjermaninë, përpara Shqipërisë -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Gjeneva miraton rezolutën “Shqipëria nuk është në shitje”
Jeta në Austri
-
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, tubime janë paralajmëruar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe... -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions











