Lajme

Gjermani: Nevoja për pushime është e madhe

Në një kohë që në Gjermani lockdown-i vazhdon, zërat për lirim masash po rriten. Tani është ndezur edhe debati për mundësinë e shkuarjes me pushime në pranverë, pikërisht në kohën e Pashkëve. Politika ende frenon.

Ka kaluar më shumë se një vit nga pandemia e Coronës dhe lodhja nga masat shtrënguese, lockdown, mbyllje e përgjithshme vihet re kudo. Për shkak të frikës nga përhapja e mutacionit britanik të virusit Corona, Gjermania e zgjati lockdownin deri më 7 Mars, me disa lirime të vogla. Zhgënjimi për zgjatjen e sërishme të lockdownit është rritur, ashtu si edhe zërat për hapjen e vendit, megjithë paralajmërimet për pasoja të rrezikshme. Zakonisht periudha e pranverës që përkon me festimin e pashkëve, tradicionalisht në Gjermani është një mundësi për shumë gjermanë që të bëjnë një interval të shkurtër pushimesh në vend apo në jugun e ngrohtë. Vitin e kaluar festimet e pashkëve u sakrifikuan për shkak të pandemisë. Por duket se edhe ky vit nuk ka për të qenë ndryshe, shkruan DW, përcjell Albinfo.ch.

Kryeministri i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer e përjashtoi në fundjavë, mundësinë për pushime në periudhën e pashkëve për shkak të pandemisë. Mobiliteti i madh për shkak të udhëtimeve në prill mund të jetë helm për përballimin e pandemisë. Qeveria gjermane nuk është prononcuar ende për këtë.

“Shumë pak njerëz arrijnë të relaksohen në kohë të Coronës”

Përkundër rezervimit të politikës studiuesit e turizmit dhe udhëtimeve thonë se nevoja për të pushuar është aktualisht më e madhe se kurrë. Edgar Kreilkamp, u shpreh për agjencinë epd, se “pushim do të thotë distancim nga përditshmëria, të relaksohesh të marrësh fuqi, të jesh i lirë, të gjitha përvoja që bëhen bashkë me familjen apo miqtë, e të gjitha aspekte, që mungojnë shumë në kohën e Coronës.” Sipas tij për shkak të kufizimeve të Coronës shumë pak njerëz arrijnë të relaksohen në përditshmëri, “prandaj nevoja për pushime është e madhe.” Pushimet do të ishin një arrati nga Corona, sipas tij. “Mund edhe të thuash, se pushimet e bëjnë të mundur që të durohen më tej kufizimet e Coronës.”

Studiuesi Kreilkamp e kritikoi deklaratën e kryeministrit Kretschmer si të padiferencuar. Sipsa studimeve, infeksionet me Corona për shkak të pushimeve nuk kanë luajtur rol të madh në përhapjen e infektimeve. “Pushimet, restorantet, muzetë nuk janë vatra infektimesh”, theksoi Kreilkamp për epd, duke theksuar aspektin social të udhëtimit. “Ka njerëz që kursejnë një vit për pushimet. Për ta ka rëndësi të madh thjesht të dalin nga ngushtica dhe përditshmëria.”

Por kancelarja Merkel rregullisht paralajmëron për durim. “Ky dimër që kemi përpara do të na kërkojë shumë sakrificë të gjithëve”, tha ajo në nëntor. Por një dimër i gjatë e me shumë kufizime e ka çuar në limit durimin e  qytetarëve. Nga ana tjetër, për shkak se fushata e vaksinimit po ecën shumë ngadalë, shpresat për kthim të shpejtë në normalitet janë të pakta.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI