Lajme

Dënohen me kusht dy kujdestaret, fajtore për vdekjen e Liorit të vogël

Vendimi u dha të hënën: dënime me burg prej njëmbëdhjetë gjegjësisht dhjetë muajsh, me kusht, për dy kujdestaret

Ka ndodhur më 6 tetor 2022 në Verna Park në Rüsselsheim: Liori 17 muajsh vdiq sepse dy punonjëse të kujdesit për fëmijët shkelën detyrën e tyre të kujdesit. Vogëlushi ra në një pellg; Përpjekjet për reanimim dështuan, transmeton albinfo.ch. Dy kujdestaret duhej t’i përgjigjeshin akuzës për vrasje nga pakujdesia përpara Gjykatës së Landit të Darmstadt, dega Rüsselsheim.

Vendimi u dha të hënën: dënime me burg prej njëmbëdhjetë gjegjësisht dhjetë muajsh, me kusht, për dy kujdestaret.

Madje, dënimi i shqiptuar është më i lartë se ai që ka kërkuar prokurori. Kërkesa e tij ishte një gjobë prej 150 tarifash ditore prej 25 ose 15 euro sipas rastit. Edhe avokatët mbrojtës të dy punonjëseve të kujdesit të fëmijëve kishin kërkuar dënim me gjobë, ndërsa avokati i prindërve të Liorit të vogël, të cilët vijnë nga Kosova, ka kërkuar dënimin me dy vjet burg efektiv për të dyja gratë.

Vendimi erdhi i shoqëruar prej lotëve – si nga prindërit e fëmijës së vogël, ashtu edhe nga dy kujdestaret, të cilat po ashtu ende po vuajnë nga aksidenti, shkruan fr.de. “Ky vendim nuk mund të sjellë asnjë kënaqësi për atë që ndodhi” tha gjyqtarja, e cila vetë foli me një zë të dridhur duke iu referuar rastit si një “çështje tepër e vështirë”.

Seanca gjyqësore nuk mundi të sqaronte plotësisht se si ndodhi saktësisht aksidenti në park, transmeton albinfo.ch. Asnjë dëshmitar tjetër nuk mund të konfirmonte deklaratat e dy grave – një ruse 60-vjeçare dhe një rumune 38-vjeçare.

Në atë kohë, ato kujdeseshin për gjithsej shtatë fëmijë në një program fillestar, prindërit e të cilëve merrnin pjesë në një kurs gjuhe. Ato i futën të vegjlit në një autobus për fëmijë dhe i çuan në një kënd lojrash në Verna Park. Aty i nxorën katër vajzat dhe tre djemtë e vegjël, duke i lënë të luanin – edhe pse e dinin se aty ishte një pellg 30 metra larg.

Një koncept sigurie i hartuar nga instituti i gjuhës gjithashtu thoshte se ky numër i vogëlushëve në fakt nuk duhej të dilnin nga autobusi i fëmijëve. Në konceptin në fjalë thuhet “dy fëmijë për çdo kujdestar”, kujton një punëtor me kohë të pjesshme që ishte ftuar si dëshmitar.

Kur më e moshuara nga dy kujdestarët duhej të largohej dhe u zhduk pas një shkurre, fatkeqësia filloi – edhe pse deklaratat e të dyve ndryshojnë. 60-vjeçarja tha se i ishin dashur pesë deri në gjashtë minuta derisa ajo të kthehej në sheshin e lojërave dhe menjëherë vuri re se Liori i vogël nuk ishte më aty. Ajo fillimisht e kërkoi atë në një rrugë aty pranë, më pas e gjeti në pellg, e nxori nga uji dhe filloi ta ringjallte, përcjell albinfo.ch. Kujdestarja më e re, nga ana tjetër, dëshmoi se pasi kishin shkuar në tualet për dy-tre minuta, të gjithë fëmijët ishin ende aty dhe Liori qe larguar vetëm më pas.

“Dëmi që ndodhi ishte i parashikueshëm”, ka thënë gjyqtari. “Një fëmijë 17 muajsh nuk mund të kuptojë se uji është një burim rreziku.”