“Shpërblimi financiar” po bëhet trend në Zvicër për të gjetur banesë

Kriza e banesave në qytetet e mëdha të Zvicrës po bëhet aq e fortë sa shumë persona tashmë po ofrojnë para për këdo që i ndihmon të gjejnë një apartament me qira.

Sipas raportimeve, gjithnjë e më shumë njerëz po publikojnë njoftime në rrjetet sociale dhe platformat online duke premtuar një “finder’s fee” – një shpërblim financiar për personin që arrin t’u sigurojë banesë pa procedurat e zakonshme dhe listat e gjata të pritjes, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Shumat ndryshojnë sipas qytetit dhe vështirësisë së tregut. Në Lucern, ku niveli i banesave të lira është nën 1%, disa kërkues ofrojnë deri në 1,000 franga zvicerane për ndihmë. Në Cyrih, shpërblimet për apartamente në lagje të preferuara arrijnë rreth 500 franga.

Sipas ekspertëve, kjo praktikë po krijon një “avantazh shtesë” për personat me më shumë para, në një treg që tashmë konsiderohet jashtëzakonisht konkurrues.

Megjithatë, sistemi nuk është i paligjshëm nëse pagesa ofrohet vullnetarisht. Juridikisht, ai trajtohet si pagesë për një shërbim të kryer, edhe pse kritikët thonë se praktikisht favorizon më të pasurit dhe e bën tregun e banesave edhe më të padrejtë.

Zvicra po përballet prej vitesh me mungesë të madhe apartamentesh, sidomos në qytetet si Cyrih, Gjenevë dhe Lozanë, ku qiratë dhe konkurrenca për banesa kanë arritur nivele rekord.

 

 

 

Shoferët mbi 75 vjeç në Zvicër duhet të dëshmojnë se janë ende të aftë për vozitje

Në Zvicër, çdo person mbi moshën 75-vjeçare që dëshiron të vazhdojë të drejtojë automjetin duhet t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor çdo dy vjet për të dëshmuar se është ende i aftë për vozitje, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Kontrolli zakonisht kryhet nga mjeku dhe përfshin:

shikimin dhe dëgjimin

refleksin dhe koordinimin

kujtesën dhe orientimin

si dhe sëmundje që mund të ndikojnë në sigurinë në trafik, si demenca, problemet neurologjike apo sëmundjet e zemrës.

Megjithatë, një studim i ri i realizuar nga Zurich University of Applied Sciences (ZHAW) dhe Lausanne School of Social Work and Health ka kritikuar sistemin aktual, duke thënë se procedurat ndryshojnë shumë nga një kanton në tjetrin dhe nuk janë mjaftueshëm të standardizuara.

Sipas studiuesve, aktualisht nuk ekziston një sistem plotësisht “i drejtë, i besueshëm dhe i bazuar shkencërisht” për vlerësimin e aftësisë për vozitje tek të moshuarit. Ata kërkojnë:

rregulla të njëjta në gjithë Zvicrën

më shumë teste praktike në trafik real

dhe përfshirjen e specialistëve si neuropsikologë dhe instruktorë vozitjeje.

Ekspertët argumentojnë se testet vetëm teorike ose njohëse nuk mjaftojnë për të vlerësuar nëse një person mund të vozisë në mënyrë të sigurt në situata reale në trafik.

Debati është bërë më i ndjeshëm në Zvicër për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së numrit të shoferëve të moshuar. Organizatat e pensionistëve theksojnë se mosha nuk duhet të jetë kriteri i vetëm, pasi shumë persona mbi 75 vjeç vazhdojnë të jenë plotësisht të aftë për vozitje.

Nga ana tjetër, ekspertët e sigurisë rrugore paralajmërojnë se me rritjen e moshës shtohen problemet me reagimin, shikimin dhe orientimin, çka mund të rrisë rrezikun e aksidenteve.

Ora të rralla shiten për mbi 33 milionë franga në ankandin në Gjenevë

Shtëpia prestigjioze e ankandeve Christie’s ka regjistruar një tjetër rekord në ankandin e saj të orëve luksoze në Gjenevë, ku shitjet totale kaluan mbi 33 milionë franga zvicerane.

Sipas raportimeve, ankandi “Rare Watches” tërhoqi koleksionistë dhe investitorë nga e gjithë bota, ndërsa disa modele të rralla u shitën për shuma marramendëse, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Ylli i ankandit ishte një model shumë i rrallë i Rolex, i cili u shit për disa milionë franga, duke konfirmuar edhe një herë dominimin e markave zvicerane në tregun global të orëve luksoze.

Në ankand u shitën gjithashtu modele historike nga marka si:

Patek Philippe

Audemars Piguet

dhe Cartier.

Ekspertët thonë se tregu i orëve luksoze po vazhdon të mbetet shumë i fortë, pavarësisht pasigurive ekonomike globale. Sipas tyre, orët e rralla po konsiderohen gjithnjë e më shumë si investime alternative, njësoj si arti apo makinat klasike.

Gjeneva mbetet një nga qendrat kryesore botërore për ankandet e orëve luksoze, ku çdo vit realizohen shitje me dhjetëra miliona franga dhe ku mblidhen koleksionistët më të mëdhenj të industrisë.

Linja hekurudhore Gjenevë-Lozanë drejt mbingarkesës

Një nga linjat më të rëndësishme hekurudhore në Zvicër, ajo mes Gjenevës dhe Lozanës, po përballet me presion gjithnjë e më të madh për shkak të rritjes së numrit të udhëtarëve dhe mungesës së kapaciteteve.

Sipas një analize të RTS mbi të dhënat publike, disa trena të mbrëmjes në këtë linjë tashmë janë ndër më të mbushurit në gjithë vendin, ndërsa numri i udhëtarëve pritet të afrohet në rreth 90 mijë pasagjerë në ditë, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet e transportit në kantonet Gjenevë dhe Vaud paralajmërojnë se investimet në infrastrukturë nuk kanë arritur të ndjekin ritmin e rritjes ekonomike dhe demografike të rajonit. Sipas tyre, rrjeti është aq i ngarkuar sa edhe incidente të vogla mund të shkaktojnë vonesa në të gjithë sistemin.

Këshilltari shtetëror i Gjenevës, Pierre Maudet, deklaroi se rrjeti është “i saturuar”, ndërsa projektet për zgjerimin e kapaciteteve kanë pësuar vonesa të vazhdueshme.

Politikanët në Zvicrën frankofone po kritikojnë gjithashtu Bernën, duke thënë se politikat federale të transportit po favorizojnë rajone të tjera dhe po lënë pas pjesën perëndimore të vendit.

Linja Lozanë-Gjenevë konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme hekurudhore në Romandie dhe lidh Gjenevën me pjesën tjetër të rrjetit kombëtar, përfshirë lidhjet drejt Cyrihut, Bernit, Bazelit dhe Italisë.

Vlerësohet Shaqiri në Zvicër

Futbollisti shqiptar, Xherdan Shaqiri është vlerësuar si lojtari më efikas në Zvicër në këtë sezon.

Lojtari shqiptar i Baselit, ka kontribuar drejtpërdrejt në pothuajse 40% të golave të ekipit, transmeton albinfo.ch.

“Këtë edicion, ish-lojtari i përfaqësueses zvicerane ka ndihmuar Baselin t’i fitojë 21 pikë, duke kontribuar drejtpërdrejt në pothuajse 40% të golave të ekipit. Ky është bilanci më i mirë në ligë”, shkruan “kicker.ch” të mërkurën.

Në këtë edicion, Shaqiri në kampionat ka shënuar 11 gola dh ka dhuruar 10 asistime.

Vihet në pikëpyetje testi i aftësisë për vozitje për të moshuarit në Zvicër

Në Zvicra, personat mbi 75 vjeç që dëshirojnë të vazhdojnë të drejtojnë automjetin duhet t’i nënshtrohen çdo dy vjet një kontrolli mjekësor për të vlerësuar aftësinë e tyre për vozitje, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, një studim i realizuar nga Zurich University of Applied Sciences (ZHAW) ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si kryhen këto teste. Sipas hulumtimit, praktikat aktuale janë të fragmentuara dhe ndryshojnë në varësi të kantonit, rajonit gjuhësor dhe grupit profesional që është përgjegjës për kryerjen e testimit.

Drejtuesja e studimit, Brigitte Gantschnig, theksoi se mungesa e standardizimit në procedurat e vlerësimit nënkupton se aktualisht nuk ekziston një sistem plotësisht i drejtë dhe i besueshëm për të përcaktuar aftësinë për drejtim në gjithë vendin.

Sipas saj, kjo situatë tregon nevojën për një proces të harmonizuar dhe rregulla të qarta në nivel kombëtar, në mënyrë që testimi i aftësisë për vozitje të jetë më i drejtë, më i besueshëm dhe i bazuar në kritere shkencore për të gjithë drejtuesit e moshuar në Zvicër./Albinfo.ch

Mbi 61 mijë aplikime të aprovuara për votuesit jashtë Kosovës

Procesi i regjistrimit të votuesve jashtë vendit në Kosova po vazhdon normalisht, ndërsa numri i aplikimeve të aprovuara ka kaluar shifrën prej 61 mijë, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se periudha e aplikimit ka nisur më 6 maj 2026 dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2026.

Sipas të dhënave të publikuara deri më 13 maj në orën 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar gjithsej 67,685 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 61,500 aplikime. Ndërkohë, 5,858 kërkesa janë refuzuar, ndërsa 301 janë ende në proces shqyrtimi.

Nga aplikimet e miratuara, mënyrat e votimit janë ndarë si më poshtë:

14,566 qytetarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike
1,605 votues kanë zgjedhur të dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë
45,329 qytetarë do ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutitë postare jashtë vendit

Autoritetet zgjedhore theksojnë se procesi po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe mbetet i hapur për të gjithë qytetarët e regjistruar jashtë vendit deri në afatin e përcaktuar./Albinfo.ch

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër do të bëjë bashkë odat ekonomike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet bizneseve shqiptare në diasporë dhe atyre në vendet e rajonit.

Këtë e ka bërë të ditur Fehmi Fetahi, president i Bordit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër, i cili theksoi se qëllimi kryesor i këtij organizimi është rrjetëzimi i kompanive, shkëmbimi i përvojave dhe krijimi i mundësive të reja për investime dhe partneritete ekonomike.

Sipas Fetahit, diaspora shqiptare në Zvicër përfaqëson një potencial të madh ekonomik dhe përmes këtij rrjeti synohet që bizneset shqiptare të lidhen më ngushtë me tregjet e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ai ka nënvizuar se bashkëpunimi ndërmjet odave ekonomike do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e projekteve të përbashkëta, promovimin e investimeve dhe fuqizimin e rolit të diasporës shqiptare në ekonominë rajonale.

Ngjarja do të mbahet më 17 tetor në Langenthal, duke filluar nga ora 17:00, ku pritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të odave ekonomike, afaristëve dhe investitorëve shqiptarë nga Zvicra dhe rajoni.

Agjenda dhe lokacioni i saktë i ngjarjes do të bëhen publike shumë shpejt.

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Zvicër po vazhdon aktivitetet e tij në funksion të krijimit të platformave të bashkëpunimit ndërmjet afaristëve shqiptarë në diasporë dhe institucioneve ekonomike në trojet shqiptare.

 

Lexoni po ashtu:

Kosova mund të përfitojë më së shumti investime nga bizneset e shqiptarëve të Zvicrës

7 kilometra kolonë para tunelit të Gotthardit

Një kolonë e gjatë automjetesh është krijuar para Tuneli i Gotthardit në Zvicra, ku të enjten në mëngjes janë regjistruar rreth 7 kilometra trafik i ngadalësuar, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve të trafikut, drejtuesit e automjeteve duhet të përgatiten për më shumë se një orë pritje, ndërsa fluksi i madh i udhëtarëve pritet të vazhdojë gjatë ditës.

Arsyeja kryesore e këtij trafiku të dendur lidhet me festën e Ngjitja e Krishtit (Christi Himmelfahrt), e cila shënohet të enjten dhe është ditë pushimi në shumë pjesë të vendit. Shumë qytetarë në Zvicër kanë shfrytëzuar këtë festë për të marrë edhe ditën e premte pushim, duke krijuar kështu një fundjavë të zgjatur katërditore.

Kjo ka bërë që një numër i madh udhëtarësh të nisen drejt jugut, veçanërisht në drejtim të Ticino dhe Itali, duke shkaktuar radhë të gjata dhe vonesa në një nga korridoret më të rëndësishme rrugore të Evropës./Albinfo.ch

Kur një zviceran ngrihet në mbrojtje të shqiptarëve: Mesazhi i fortë i Ueli Leuenbergerit

Në një kohë kur debati për emigracionin në Zvicër po bëhet gjithnjë e më i ashpër, një zë zviceran ka zgjedhur të flasë ndryshe-jo me frikë, por me realizëm dhe humanizëm.

Në një reagim të publikuar në faqen e tij në Facebook, ish-politikani dhe aktivisti zviceran Ueli Leuenberger ka reaguar ndaj iniciativës së SVP/UDC-së për “10 milionë banorë”, duke paralajmëruar se një klimë e tillë politike mund të krijojë mosbesim dhe stigmatizim ndaj komuniteteve të huaja, përfshirë edhe shqiptarët në Zvicër.

Mesazhi i tij ka prekur shumë shqiptarë të diasporës, sepse vjen në një moment kur mijëra familje shqiptare kanë dekada që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë në jetën zvicerane.

“Shqiptarët nuk janë kërcënim. Ata janë pjesë e Zvicrës moderne,” shkruan ai në reagimin e tij.

Dhe vërtet, sot shqiptarët në Zvicër nuk janë më vetëm histori emigracioni. Ata janë mjekë, infermierë, studentë, sipërmarrës, punëtorë ndërtimi, shoferë transporti, artistë, gastronomë dhe pjesë aktive e shoqërisë zvicerane.

Shumë prej tyre kanë ndërtuar jetën e tyre në Zvicër prej dekadash. Kanë paguar taksa, kanë hapur biznese, kanë edukuar fëmijët e tyre dhe kanë kontribuar çdo ditë në ekonominë dhe diversitetin e vendit.

Pikërisht për këtë arsye, reagimi i Ueli Leuenberger po shihet si më shumë se një qëndrim politik. Për shumë shqiptarë, ai është një mesazh respekti dhe njohjeje ndaj një komuniteti që shpesh ka punuar në heshtje, por që ka dhënë shumë për Zvicrën.

Në reagimin e tij, ai paralajmëron se iniciativa të tilla rrezikojnë të forcojnë paragjykimet, të vështirësojnë integrimin dhe të krijojnë ndasi mes njerëzve, në vend që të zgjidhin problemet reale të shoqërisë.

Sipas tij, sfidat si mungesa e banesave, fuqia blerëse apo presioni mbi infrastrukturën nuk zgjidhen duke fajësuar të huajt, por përmes politikave sociale dhe investimeve konkrete.

Në një Evropë ku retorika kundër emigrantëve po rritet, mesazhe të tilla kanë peshë të veçantë. Sepse ndonjëherë, mbrojtja më e fortë për një komunitet vjen pikërisht nga ata që zgjedhin ta shohin atë me drejtësi dhe jo me frikë.

Autoritetet zvicerane: Nuk ka rrezik për epidemi nga hantavirusi

Autoritetet shëndetësore në Zvicra kanë bërë të ditur se aktualisht nuk ekziston rrezik për një epidemi nga Hantavirus, pavarësisht disa rasteve të raportuara së fundmi, përcjell albinfo.ch.

Deri tani, një person i infektuar me këtë virus është i shtruar në spital në Cyrih, ndërsa katër persona të tjerë po mbahen nën vëzhgim mjekësor. Megjithatë, sipas autoriteteve, këto raste nuk tregojnë për një përhapje të gjerë të virusit në vend.

Claudio Zaugg, shef i seksionit për sëmundje të reja infektive në Federal Department of Public Health (FOPH), theksoi se raste të izoluara me hantavirus shfaqen herë pas here në Zvicër.

Sipas tij, kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë për një virus të ri apo të panjohur, siç ishte rasti me COVID-19.

“Disa raste të izoluara shfaqen rregullisht në vendin tonë. Prandaj jemi të sigurt në aftësinë tonë për t’i kontrolluar këto raste,” deklaroi Zaugg.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se sistemi shëndetësor i Zvicrës është i përgatitur për të monitoruar dhe menaxhuar raste të tilla, duke mbajtur situatën nën kontroll dhe duke parandaluar përhapjen e mundshme të virusit./Albinfo.ch

Özdemir zgjidhet kryeministër i Baden-Württembergut

Politikani i Partisë së Gjelbër, Cem Özdemir, është, duke filluar nga sot, kryeministër i ri i Landit (Republikës) Baden-Württemberg. Anëtarët e parlamentit e zgjodhën atë si kreun e qeverisë në Stuttgart, trnsmeton albinfo.ch.

Özdemir është kështu kreu i parë i qeverisë me rrënjë turke në historinë gjermane. Ai pason Ministrin-President Winfried Kretschmann, i cili po jep dorëheqjen pas 15 vitesh në detyrë, dhe është vetëm kreu i dytë i Partisë së Gjelbër të njërit prej 16 shteteve federale të Gjermanisë.

93 parlamentarë votuan pro, 26 kundër dhe pati 4 abstenime. Koalicioni i të Gjelbërve dhe Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) – i quajtur koalicioni Gjelbër-Zi sipas ngjyrave të partive të tyre – mban shumicën prej 112 vendesh në parlament pas zgjedhjeve të shtetit në mars, shkruan sda.ch.

Özdemir udhëheq një koalicion të rinovuar Gjelbër-Zi në Baden-Württemberg. Të Gjelbrit dhe CDU-ja kanë qeverisur së bashku në kryeqytetin e Shtutgartit për dhjetë vjet. Në zgjedhjet shtetërore më 8 mars, të Gjelbrit dolën me një diferencë të ngushtë si partia më e fortë me 30.2 për qind të votave, të ndjekura nga CDU-ja me 29.7 për qind. Të dyja partitë mbajnë nga 56 vende secila në parlamentin e ri shtetëror.

Për publikun shqiptar mund të jetë interesant lajmi se bashkëshortja me të cilën Özdemir është kurorëzuar pak muj më parë, është shqiptarja nga Kanadaja me emrin Flavia Zaka, shkruan albinfo.ch. Ajo punon si avokate dhe është specializuar në çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut.

Dasma e çiftit “të ri” fillimisht e mbajtur sekret për arsye sigurie, u zhvillua në bashkinë e Tübingen-it dy javë para zgjedhjeve shtetërore në Baden-Württemberg dhe menjëherë e nxori atë në qendër të vëmendjes: Fotot e dhëndrit, Cem Özdemir, dhe nuses, e cila mbante një buqetë me trëndafila, ishin thjesht, tepër të bukura për t’u injoruar, shkruan morgenpost.de.

Flavia Zaka është shtetase kanadeze dhe tashmë është bërë Zonja e Parë e Baden-Württembergut. Ajo vjen nga Shqipëria; në moshën dymbëdhjetë vjeç, Flavia emigroi në Kanada me prindërit dhe motrën e saj. Zhvendosja e saj përfundimtare në Baden-Württemberg për të qenë me Cem Özdemirin ishte rastësi e pastër.

A është Limaj shkak i mospublikimit të listës nga PDK?

Një nga temat më të diskutuara ditëve të fundit ka qenë mundësia e përfshirjes së Fatmir Limaj në listën e kandidatëve për deputetë të Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përcjell  albinfo.ch.

Megjithatë, në këto zgjedhje Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së, pasi një vendim i tillë është marrë nga kryesia e kësaj partie. Ndërkohë, PDK ende nuk e ka publikuar listën finale të kandidatëve për deputetë, çka ka nxitur spekulime nëse mospërfshirja e Limajt është arsyeja kryesore e vonesës.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar Ardian Gaxherri, i cili deklaroi se brenda PDK-së ekziston një përçarje serioze.

“Është një lëmsh i madh aty në PDK, janë ndarë në dysh, të rinjtë me themeluesit. Unë besoj që do të kenë presion nga njerëz me ndikim dhe prapë ta fusin Fatmir Limajn, sepse mendoj që ky është një budallallëk shumë i madh që ka bërë PDK-ja. Ku do me i marrë PDK-ja votat?”, deklaroi Gaxherri.

Ai shtoi se përfshirja e Limajt do t’i sillte PDK-së rreth 30 mijë vota, duke e konsideruar largimin e tij si një vendim të dëmshëm për rezultatin zgjedhor të partisë.

PDK pritet që në ditët në vijim të bëjë publike listën përfundimtare të kandidatëve, ndërsa debati për mungesën e Limajt vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes politike./Albinfo.ch

Forbes: Arben Ademi, sipërmarrësi shqiptar nga Zvicra në industrinë e luksit

I lindur nga prindër emigrantë shqiptarë, Arben Ademi është rritur mes dy botëve, njëra e karakterizuar nga sakrifica dhe disiplina, ndërsa tjetra nga ambicia dhe besimi se diçka e madhe mund të ndërtohet nga hiçi, transmeton albinfo.ch.

Pa lidhje, pa kapital dhe pa privilegje, ai hyri në industrinë e parfumeve i udhëhequr vetëm nga një mendësi. Me këtë qasje, Ademi vendosi të konkurrojë me shtëpitë më të mëdha të luksit në botë.

Sot, brendi i tij Gisada Switzerland është i pranishëm në mbi 100 vende dhe në mijëra pika shitjeje premium në mbarë botën. Rruga e tij përfaqëson një brez të ri themeluesish në industrinë e luksit: të vetë-bërë, me vizion global dhe dëshmi se luksi nuk është domosdoshmërisht i trashëguar, por mund të ndërtohet nga fillimi./Albinfo.ch

 

Arben Ademi

Superkupa Kosovë–Diasporë organizohet për herë të parë në Gjenevë

Konsullata e Republikës së Kosovës në Gjenevë ka qenë pjesë e aktivitetit tradicional “Superkupa Kosovë–Diasporë”, i cili këtë vit u organizua për herë të parë në Gjenevë, duke shënuar një moment të veçantë për komunitetin shqiptar në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Ky aktivitet u organizua nga FC Kosova Genève dhe Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, nën ombrellën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në ndeshjen finale për trofe u përballën FC Prishtina dhe FC Kosova Genève, duke dhuruar emocione të mëdha dhe një atmosferë të jashtëzakonshme sportive, e cila u përjetua me entuziazëm nga të pranishmit.

Organizimi i Superkupës në Gjenevë u vlerësua si një ngjarje me rëndësi të veçantë, që forcon lidhjet mes sportit në Kosovë dhe diasporës shqiptare, duke promovuar unitetin dhe frymën e bashkëpunimit.

Konsullata falënderoi organizatorët, klubet pjesëmarrëse dhe të gjithë bashkatdhetarët për kontributin dhe pjesëmarrjen në këtë ngjarje që i jep vlerë komunitetit shqiptar në Zvicër./Albinfo.ch

 

https://www.facebook.com/share/18WA7dcBQ7/?mibextid=wwXIfr

Shqetësime për sigurinë e të dhënave në projektin digjital shëndetësor të Zvicrës

Ekspertët në Zvicër kanë ngritur shqetësime serioze për mbrojtjen e të dhënave personale në kuadër të projektit të ri shtetëror për krijimin e një platforme kombëtare të të dhënave shëndetësore.

Platforma, e planifikuar të funksionalizohet deri në vitin 2034, synon të lehtësojë shkëmbimin e informatave mes mjekëve, spitaleve dhe institucioneve shëndetësore. Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se përdorimi i teknologjive të kompanive amerikane mund të rrezikojë privatësinë e pacientëve.

Sipas ekspertëve të digjitalizimit dhe mbrojtjes së të dhënave, ligjet amerikane mund t’u japin autoriteteve të SHBA-së qasje në serverë, edhe kur të dhënat ruhen në Zvicër.

Autoritetet zvicerane kanë deklaruar se projekti do të zhvillohet në përputhje me rregullat e mbrojtjes së të dhënave dhe standardet federale të sigurisë.

Zvicër: Kostoja e shëndetësisë në qendrat e azilit del jashtë kontrollit të plotë të Konfederatës

Zyra Federale e Auditimit (ZFA) ka kritikuar menaxhimin e kostove të shëndetësisë në qendrat federale të azilit në Zvicër, duke konstatuar se Konfederata i kontrollon këto shpenzime vetëm pjesërisht.

Sipas një raporti të publikuar të hënën, shpenzimet shëndetësore në këto qendra janë të larta dhe mungojnë mekanizma efektivë për kontroll të plotë financiar. ZFA vlerëson se shteti mund të kishte kursyer disa qindra mijë franga nëse do të aplikohej një zbritje (deduktibël) më e përshtatshme në sigurim.

Mungesë mjetesh për kontroll të kostove

Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) është përgjegjës për shpenzimet shëndetësore në qendrat federale të azilit. Ai lidh kontrata me siguruesit dhe monitoron kostot, por sipas raportit, i mungojnë mjete të besueshme për kontroll sistematik.

ZFA thekson mungesën e një baze të unifikuar të të dhënave dhe të një sistemi kombëtar kontrolli, çka ka bërë që edhe gabime në faturime nga siguruesi të mos zbulohen me kohë.

Pozicion pothuaj-monopol i siguruesit CSS

Raporti kritikon gjithashtu marrëdhënien mes SEM dhe kompanisë së sigurimeve CSS. Në vitin 2019, CSS u përzgjodh për të siguruar të gjithë azilkërkuesit në qendrat federale, pas një tenderi të pasuksesshëm dhe pa një analizë të plotë të alternativave.

Sipas ZFA, kjo ka krijuar një pozicion pothuaj monopol për CSS, duke e bërë Konfederatën shumë të varur dhe duke dobësuar fuqinë e saj negociuese.

Situata u bë veçanërisht problematike në vitin 2021, kur CSS propozoi rritjen e zbritjes nga 300 në 1.500 franga. Kjo rriti përfitimet e siguruesit, por edhe kostot për shtetin. ZFA vlerëson se një analizë më e thelluar do të kishte kursyer rreth 1.5 milion franga vetëm në vitin 2023.

Kritika për mungesë koordinimi dhe kursimesh

ZFA kritikon gjithashtu SEM për mosshfrytëzimin e praktikave të mira të kursimit që janë zbatuar në disa qendra azili. Këto masa nuk janë dokumentuar dhe as zbatuar në mënyrë të unifikuar në nivel kombëtar, duke humbur potencial të rëndësishëm për efikasitet.

Reagimi i SEM

Sekretariati Shtetëror për Migracion ka pranuar kritikat dhe ka deklaruar se tashmë ka ndërmarrë masa për përmirësimin e kontrollit të kostove në sektorin shëndetësor. Po ashtu, është arritur një model i ri sigurimi për vitin 2026, ku zbritja është ulur sërish në 300 franga.

Reagimi i CSS

Nga ana e saj, CSS i ka kundërshtuar disa nga gjetjet e raportit. Sipas kompanisë, gjatë viteve 2019 dhe 2020, shpenzimet për përfitime kanë qenë më të larta se të ardhurat nga primet. Për këtë arsye, në marrëveshje me SEM është vendosur rregullimi i zbritjes.

CSS thekson se qëllimi i saj ka qenë që primet të mbulojnë kostot në afatgjatë.

Debati për “Zvicrën me 10 milionë banorë” dhe ndikimi i mundshëm në marrëdhëniet me BE-në

Zvicra po përgatitet për një votim të rëndësishëm mbi iniciativën popullore “Jo Zvicrës me 10 milionë banorë”, e cila synon të kufizojë popullsinë rezidente në maksimum 10 milionë persona. Sipas propozimit, nëse vendi kalon 9.5 milionë banorë, Këshilli Federal do të detyrohej të ashpërsojë ndjeshëm politikat e imigracionit dhe, në rast ekstrem, mund të rrezikohej edhe marrëveshja për lëvizjen e lirë të personave me Bashkimin Evropian.

Iniciativa po ndiqet nga afër në Bruksel, si nga Komisioni Evropian ashtu edhe nga eurodeputetët që merren me marrëdhëniet me Zvicrën, por në shtetet anëtare të BE-së ajo ende nuk ka shkaktuar debat të gjerë, pasi pasojat e saj konsiderohen afatgjata dhe ende të pasigurta, transmetkn albinfo.ch.

Sipas korrespondentëve të BE-së, çështje si imigracioni dhe strehimi janë problem edhe brenda BE-së, veçanërisht në qytetet e mëdha ku çmimet e banesave dhe presioni mbi infrastrukturën janë në rritje. Megjithatë, ndryshe nga Zvicra, këto tema nuk lidhen drejtpërdrejt me lëvizjen e lirë të punëtorëve brenda BE-së, e cila konsiderohet një nga arritjet kryesore të integrimit evropian.

Në rast se Zvicra do të ndërpriste marrëveshjen për lëvizjen e lirë të personave, BE-ja pritet të përpiqej të ruante marrëdhëniet ekzistuese, por raportet dypalëshe do të bëheshin më të ndërlikuara dhe më pak të parashikueshme. Një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të rëndësishme për tregun e punës, bizneset dhe qytetarët në të dyja anët.

Ndërkohë, marrëveshjet e reja bilaterale mes Zvicrës dhe BE-së parashikojnë një mekanizëm të ri për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, me qëllim shmangien e bllokimeve politike që kanë karakterizuar marrëdhëniet deri tani.

Në rast të ndërprerjes së lëvizjes së lirë, qytetarët zviceranë nuk do të kishin më qasje automatike në tregun e punës së BE-së dhe do të riktheheshin kontrollet kufitare, duke ndryshuar ndjeshëm marrëdhëniet aktuale ekonomike dhe shoqërore mes palëve

Zvicër: Krijohet platformë e re për ruajtjen e dialekteve frëngjishtfolëse

Kantonet Valais, Fribourg, Vaud dhe Jura kanë prezantuar në Sion platformën “Patoisromands.ch”, një nismë ndërkantonale që synon ruajtjen dhe promovimin e dialekteve të Zvicrës frëngjishtfolëse.

Platforma është krijuar si përgjigje ndaj rrezikut të zhdukjes së këtyre dialekteve, të cilat sot fliten gjithnjë e më pak për shkak të mungesës së transmetimit nga një brez në tjetrin. Ato janë njohur zyrtarisht si gjuhë rajonale ose minoritare në vitin 2018 dhe përbëjnë një trashëgimi të rëndësishme kulturore.

“Patoisromands.ch” ofron një hapësirë digjitale të përbashkët që synon të rrisë dukshmërinë e dialekteve, të mbledhë burime ekzistuese dhe të lehtësojë qasjen për përdoruesit. Platforma përfshin materiale informuese, arkiva audio dhe tekstuale, si dhe module mësimi online.

Po ashtu, ajo prezanton edhe përdorimet bashkëkohore të dialekteve përmes projekteve kulturore dhe artistike.

Projekti është zhvilluar nga një grup ndërkantonal dhe mbështetet nga Zyra Federale e Kulturës, kantonet pjesëmarrëse, si dhe institucione akademike dhe të trashëgimisë kulturore.

Kryeparlamentari i Maqedonisë në Bern: Diskutime për etikën parlamentare dhe konsensusin politik

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në aktivitetet e zhvilluara në Bern në kuadër të programit “Diskutimet Malore për Etikën Parlamentare”.

Gjatë fjalës së tij, Gashi theksoi rëndësinë e gatishmërisë dhe vullnetit politik për arritjen e konsensusit rreth çështjes së etikës parlamentare, duke e cilësuar atë si thelbësore për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet demokratike.

Ai shprehu optimizëm se procesi i diskutimeve do të kontribuojë në reflektimin mbi vlerat demokratike, me fokus në integritetin parlamentar dhe përgjegjësinë publike, transmeton albinfo.ch.

Diskutimet mbi Kodin Etik pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Në këtë kontekst, Gashi falënderoi partnerët ndërkombëtarë, Ambasadën e Zvicrës dhe NDI, për mbështetjen e këtij procesi.

Programi synon avancimin e standardeve të etikës parlamentare dhe forcimin e kulturës së përgjegjësisë institucionale në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Skadimi i patentave të barnave rrit konkurrencën, por çmimet e ilaçeve nuk pritet të bien ndjeshëm

Shumë ilaçe shumë të shitura në botë, të njohura si “bllokbaster”, po humbasin mbrojtjen e tyre me patentë. Kjo do të thotë se kompani të tjera mund t’i prodhojnë ato si barna gjenerike, që zakonisht janë më të lira.

Kjo situatë po ndikon te kompanitë e mëdha farmaceutike si Novartis dhe Roche, të cilat kanë raportuar rënie të të ardhurave. Arsyeja kryesore është pikërisht hyrja në treg e barnave gjenerike që konkurrojnë me ilaçet e tyre origjinale.

Megjithatë, ekspertët thonë se kjo është një fazë e përkohshme. Kompanitë farmaceutike po zhvillojnë vazhdimisht barna të reja për të zëvendësuar ato që humbasin patentën, prandaj ndikimi në afatgjatë pritet të balancohet.

Nga ana tjetër, barnat gjenerike mund të ndihmojnë në uljen e disa çmimeve, por nuk pritet që të ulin ndjeshëm koston totale të ilaçeve në Zvicër. Kjo për shkak se në treg po dalin edhe barna të reja shumë të shtrenjta, ndërsa konsumi i ilaçeve po rritet.

Në përgjithësi, skadimi i patentave po sjell më shumë konkurrencë në treg, por jo domosdoshmërisht ulje të madhe të çmimeve për pacientët.

“Mes Poezisë dhe Algoritmave”, mbrëmje poetike dhe tryezë tematike në Cyrih

Më 30 maj 2026, në Zurich do të organizohet mbrëmja poetike dhe tryeza tematike me titull “Mes Poezisë dhe Algoritmave”, një aktivitet kushtuar reflektimit mbi raportin ndërmjet krijimtarisë njerëzore, artit dhe epokës digjitale.

Programi do të përfshijë poezi, diskutime tematike dhe pika muzikore, duke sjellë një hapësirë dialogu mes letërsisë, mendimit kritik dhe zhvillimeve teknologjike bashkëkohore.

Aktiviteti mbahet më 30 maj 2026, duke filluar nga ora 19:00, në adresën Eugen-Huberstrasse 19a, 8048 Zürich.

Mbrëmja organizohet në bashkëpunim ndërmjet Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih dhe Shoqata e Krijuesve Shqiptarë në Zvicër.

Organizatorët kanë ftuar të interesuarit që ta konfirmojnë pjesëmarrjen deri më 23 maj 2026 në adresën elektronike: [email protected].