Gonxhe Halimi nga Gjilani diplomon si studentja më e dalluar në SHBA në Shkenca Kompjuterike

Një tjetër histori suksesi nga Kosova vjen nga Gjilani. Studentja Gonxhe Halimi ka përfunduar me sukses studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është diplomuar si studentja më e dalluar e gjeneratës në drejtimin Inxhinieri Kompjuterike (Software Engineering), me minor në Rrjeta Kompjuterike (Networking), transmeton albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga nëna e saj përmes një postimi në Facebook, ku shprehu emocionet dhe krenarinë për arritjen e vajzës së saj.

“Një moment krenarie dhe emocionesh të papërshkrueshme. Sot vajza jonë Gonxhe Halimi diplomoi në SHBA si studentja më e dalluar e gjeneratës, duke na bërë jashtëzakonisht krenarë me suksesin, përkushtimin dhe fjalimin e saj frymëzues”, thuhet në postim.

Ajo theksoi se kjo ditë ishte kurorëzim i punës dhe sakrificës së vazhdueshme të Gonxhes, duke e cilësuar diplomimin si një moment të veçantë për familjen.

“E gjithë puna, sakrifica dhe ëndrrat e saj u kurorëzuan në këtë ditë të veçantë. Urime për këtë arritje të madhe, jemi krenarë me ty”, ka shkruar ajo.

Suksesi i Gonxhe Halimit vlerësohet si një shembull frymëzues për të rinjtë në Kosovë, duke dëshmuar se me punë dhe përkushtim është e mundur të arrihen rezultate të larta edhe në universitetet më të avancuara jashtë vendit./Albinfo.ch

Mira Murati dëshmon në gjyqin Musk-Altman: “Sam Altman krijonte kaos në OpenAI”

Gjyqi i shumëpërfolur mes dy figurave të mëdha të teknologjisë, Elon Musk dhe Sam Altman, ka nxjerrë në pah tensionet dhe prapaskenat e ngritjes së kompanisë OpenAI, ndërsa procesi gjyqësor ka hyrë këtë javë në fazën e tretë, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve të The Guardian, avokatët e Musk kanë përdorur dëshmi nga ish-drejtues të kompanisë, mesazhe private, shënime dhe email-e të brendshme për ta portretizuar Altmanin si një udhëheqës të pabesueshëm dhe të paqëndrueshëm në vendimmarrje.

Në qendër të kësaj jave ishte dëshmia me video e Mira Muratit, ish-drejtoreshës së teknologjisë në OpenAI, e cila u largua nga kompania në vitin 2024. Murati, e cila dikur konsiderohej një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Altmanit, deklaroi në gjykatë se ai kishte krijuar “kaos” brenda kompanisë dhe kishte një mënyrë komunikimi të dyfishtë.

Sipas saj, Altman kishte një model sjelljeje ku “i thoshte një gjë një personi dhe krejt të kundërtën një tjetri”, duke shkaktuar pasiguri dhe tensione në menaxhim.

Gjykata shqyrtoi gjithashtu mesazhe tekstuale të vitit 2023, të dërguara nga Altman drejt Muratit gjatë periudhës kur bordi i OpenAI e kishte shkarkuar përkohësisht nga pozita e CEO-s, duke e akuzuar për mungesë transparence. Në ato mesazhe, Altman i kërkonte Muratit informacion për vendimin e bordit dhe për fatin e tij në kompani.

“A mund të tregosh në mënyrë të përgjithshme nëse është mirë apo keq?” i kishte shkruar Altman, ndërsa Murati i ishte përgjigjur: “Në përgjithësi, shumë keq.”

Dëshmia e Muratit ishte vetëm njëra nga disa deklarata që kanë ngritur dyshime për stilin e udhëheqjes së Altmanit. Ish-anëtarja e bordit, Helen Toner, deklaroi se ekzistonte “një model shqetësues lidhur me ndershmërinë dhe sinqeritetin e tij”, ndërsa ish-anëtarja tjetër, Natasha McCauley, pretendoi se Altman kishte shkaktuar “kriza të përsëritura” në kompani.

Në seancat e fundit është thirrur për të dëshmuar edhe bashkëthemeluesi i OpenAI dhe ish-shefi shkencor, Ilya Sutskever, i cili ka deklaruar se kishte pasur shqetësime serioze për mënyrën se si Altman e drejtonte kompaninë dhe për vërtetësinë e tij.

Ndërkohë, Altman i mohon akuzat e Musk dhe pritet të dëshmojë në ditët në vijim. Procesi gjyqësor lidhet me pretendimet e Musk se OpenAI ka shkelur marrëveshjet themeluese, duke u larguar nga misioni jofitimprurës dhe duke u kthyer në një strukturë fitimprurëse./Albinfo.ch

Melisë Sejdiu dhe Rea Hadri pranohen në Universitetin e Pittsburghut

Dy studente nga Kosova, Melisë Sejdiu dhe Rea Hadri, kanë shënuar një arritje të rëndësishme akademike duke u pranuar në studimet master në Universitetin e Pittsburghut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me bursë të plotë në vlerë rreth 70 mijë dollarë, transmeton albinfo.ch.

Ky sukses vjen pas performancës së tyre të jashtëzakonshme në garën ndërkombëtare “Vis Moot”, ku në vitin 2024 u renditën në vendin e tretë në nivel botëror, duke përfaqësuar Kosovën në një nga kompeticionet më prestigjioze në fushën e së drejtës.

Pranimi në një universitet të njohur amerikan dhe sigurimi i bursës së plotë konsiderohet një arritje e madhe, që dëshmon përkushtimin, talentin dhe punën e palodhur të dy studenteve.

Ky zhvillim shihet gjithashtu si një shembull frymëzues për të rinjtë në Kosovë, duke dëshmuar se me angazhim, disiplinë dhe rezultate konkrete, mundësitë për avancim akademik dhe sukses ndërkombëtar janë të arritshme./Albinfo.ch

Raporti i UNICEF-it: Sistemi arsimor zviceran po dështon në barazinë e mundësive

Një studim i fundit i UNICEF-it ka nxjerrë në pah dallime të mëdha sociale në sistemin arsimor të Zvicrës, duke ngritur shqetësime serioze për barazinë e mundësive mes të rinjve. Sipas raportit, 91 për qind e të rinjve nga familje të privilegjuara zotërojnë aftësitë bazë në matematikë dhe lexim, ndërsa vetëm 46 për qind e të rinjve nga shtresat më të pafavorizuara arrijnë të njëjtin nivel.

Profesoresha e proceseve edukative në Universitetin e Cyrihut, Katharina Maag Merki, e cilësoi këtë rezultat si “shumë serioz”, duke theksuar se pasojat ndikojnë në gjithë jetën e të rinjve.

“Ky hendek nënkupton që shumë të rinj nuk përgatiten mjaftueshëm për jetën profesionale, për zgjedhjen e profesionit apo për sfidat që duan të përballojnë. Raporti tregon se ndikohen edhe kënaqësia me jetën dhe shëndeti i tyre”, deklaroi ajo për mediat zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Sipas saj, problemi nuk qëndron vetëm te dallimet mes familjeve, por te mënyra se si sistemi arsimor i përforcon këto dallime. Ajo kritikoi veçanërisht ndarjen e nxënësve pas klasës së gjashtë, duke thënë se ky sistem selektiv pengon shumë fëmijë të talentuar të ndjekin rrugë të barabarta arsimore.

“Dallimet mes familjeve janë normale, por mënyra se si ato ndikojnë në suksesin shkollor është kryesisht rezultat i sistemit tonë”, u shpreh Maag Merki.

Ajo kërkoi reforma më të thella në arsimin e hershëm dhe modele më gjithëpërfshirëse në shkollat e mesme të ulëta. Sipas saj, disa kantone zvicerane tashmë kanë nisur të aplikojnë klasa me nivele të përziera, ku nxënësit mësojnë së bashku pa ndarje të hershme sipas performancës.

Ky model, sipas profesoreshës, ka treguar rezultate pozitive edhe në vende të tjera evropiane, ku përzgjedhja akademike bëhet shumë më vonë.

Intervista u realizua nga gazetarja Isabelle Maissen për transmetuesin publik zviceran

Pavarësisht rritjes së numrit të trenave, trafiku në Gotthard mbetet i rënduar

Pavarësisht shtimit të numrit të trenave nga Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB), fundjava e gjatë e festës së Ngjitjes së Krishtit (Ascension Day) ka sjellë sërish trafik të rënduar në rrugët e Zvicrës, veçanërisht në tunelin e Gotthardit.

Pas kolonave që arritën pothuajse 10 kilometra të mërkurën, fluksi i madh i automjeteve drejt jugut vazhdoi edhe të enjten, sidomos në autostradën A2 dhe në tunelin e Gotthardit.

Sipas TCS, rreth mesditës ishte krijuar një kolonë prej 10 kilometrash mes Erstfeldit dhe Göschenenit, para hyrjes veriore të tunelit. Shoferët detyroheshin të prisnin afro 1 orë e 40 minuta për të kaluar.

Autoritetet rekomandojnë përdorimin e rrugëve alternative përmes autostradës A13 dhe tunelit të San Bernardinos. Edhe aty, megjithatë, kolona e automjeteve kishte kaluar 4 kilometrat rreth orës 11:30.

Për udhëtarët që nisen nga pjesa frankofone e Zvicrës, TCS sugjeron gjithashtu kalimin përmes Simplonit ose tunelit Grand-St-Bernard, ndonëse edhe në këto rrugë janë regjistruar ngadalësime të qarkullimit.

Sa i përket transportit hekurudhor në zonën e Simplonit, qarkullimi i trenave është reduktuar për shkak të punimeve infrastrukturore.

Megjithatë, situata këtë vit konsiderohet më e lehtë krahasuar me vitin e kaluar dhe sidomos me dy vite më parë, kur kolonat në Gotthard kishin kaluar 16 kilometrat.

Një nga arsyet mund të jetë edhe shtimi i kapaciteteve në transportin hekurudhor. Për fundjavën e Ascensionit dhe atë të Pentekostit, SBB ka rritur kapacitetin e trenave me 25%, kryesisht drejt Ticinos, duke ofruar rreth 130 mijë ulëse shtesë.

Megjithatë, kompania hekurudhore paralajmëron se në disa linja kapacitetet mbeten të kufizuara dhe gjetja e vendeve të lira mund të jetë ende e vështirë.

A do t’ju ndihmojë ofrimi i një “tarife për gjetësit” të siguroni një apartament në Zvicër?

Tregu zviceran i banesave, veçanërisht në qytetet e mëdha, është shumë konkurrues. A i rrit pagesa e një ‘tarife për kërkuesin’ shanset tuaja për sukses?

Duke pasur parasysh mungesën e pronave me qira në qendrat urbane dhe përreth tyre, një numër gjithnjë e në rritje i kërkuesve të apartamenteve në Zvicër reklamojnë në mediat sociale dhe platforma të tjera digjitale gatishmërinë e tyre për të paguar një tarifë kujtdo që i ndihmon të gjejnë një akomodim pa të gjitha shqetësimet që zakonisht përfshihen në proces, siç janë listat e gjata të pritjes.

Sipas një raporti të kohëve të fundit, tarifat për këtë shërbim variojnë nga shifra tre deri në katër shifrore, varësisht nga sa i ngushtë është tregu i banesave në një komunitet të caktuar.

Për shembull, ‘norma e shitjes’ për Lucernin, ku shkalla e vendeve të lira është më pak se 1 përqind, është 1,000 franga, sipas një reklame të tillë.

Në Cyrih, kjo shumë është 500 franga për një apartament në lagjet 2, 3, 6 ose 8.

Përveç kësaj, shuma ndryshon në varësi të kritereve të kërkimit: tarifa e ofruar për një apartament ‘pa telashe’ do të jetë më e ulët se për kërkesa të veçanta, të tilla si pamje, ballkon ose vende parkimi, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

A ia vlen?

Nuk ka shifra zyrtare që tregojnë nëse pagesa të tilla ndihmojnë në gjetjen e qirave.

Megjithatë, raporti thekson se ky sistem “e përkeqëson problemin e një tregu tashmë konkurrues: ata që kanë para kanë avantazhin. Bazuar në të ardhurat ose pasuritë e tyre, ata kanë më shumë gjasa të sigurojnë një kontratë të re qiraje sesa qiramarrësit në rrethana të pasigurta financiare. Tarifa e gjetësit u jep atyre një avantazh shtesë.”

A është ky sistem i ligjshëm?

Edhe pse ngjan me ryshfet, tarifa e gjetësit nuk është e paligjshme nëse ofrohet vullnetarisht.

Sistemi nuk është ndryshe nga një pagesë për çdo shërbim të ofruar.

Megjithatë, u jep përparësi ndaj apartamenteve të pakta atyre me xhepa më të thellë, gjë që mund të shihet si e padrejtë dhe joetike.

Kurti për ngjarjen në Skenderaj: Veprimet e tilla nuk na trembin, organet e rendit të veprojnë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar të papranushëm sulmin ndaj kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për deputet, Hysni Mehanit në Skenderaj.

Sipas tij, sulmet e tilla nuk i trembin e as nuk i shtyjnë të tërhiqen nga gara politike në asnjë qytet.

“Teksa po përgatiteshim për mbledhjen e Qeveris, na erdhi lajmi se kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet”, ka thënë Kurti, transmeton albinfo.ch.

Tutje, ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që me urgjencë të marrin veprime ndaj përgjegjësve të këtij sulmi.

“Nga kjo mbledhje u bëjmë thirrje organeve të rendit që me urgjencë të marrin veprime ndaj përgjegjësve të këtij sulmi”, ka thënë ai.

“Një brez mes rrënjëve dhe integrimit”, temë bosht e numrit të ri të albinfo.ch

Është thënë gjithmonë se njerëzit që braktisin atdheun dhe vendosen në një vend të huaj, ballafaqohen mbase përgjithmonë me një jetë mes dy botëve: as atje as këtu ose edhe atje edhe këtu. Por më pak flitet për brezin pas tyre, të dytë a të tretë, i lindur e i rritur në vendin ku e kanë sjellë prindërit. Edhe pjesëtarët e këtyre brezave, që ndryshe në Zvicër njihen si “Secondos” duhet të “luftojnë” mes dy identiteteve, ndonëse konflikti është më i butë se ai me të cilin është përballur brezi i parë.

Kësaj teme, një brez në mes të rrënjëve dhe integrimit i është kushtuar numri më i ri i revistës sonë, i cili posa ka dalë ng shtypi.

Në artikullin bazë që rrah këtë temë,  përmes rrëfimeve personale, tregohet se si dy kultura mund të bashkëjetojnë dhe të krijojnë një brez të ri të integruar dhe të suksesshëm.

Përmes 12 rrëfimeve personale, kjo temë sjell një pyetje thelbësore: a është të jesh shqiptar dhe zviceran një sfidë që duhet balancuar, apo një privilegj që krijon mundësi të reja, perspektiva më të gjera dhe një identitet më të pasur?”. Kjo është dilema e cila u del përpara të rinjve me prejardhje shqiptare që duan të çajnë rrugën e integrimit në Zvicër.

Përveç temës bosht, në këtë numër të revistës mund të lexoni edhe shumë materiale të tjera interesante, intervista, portrete etj., me temë nga diaspora.

Platforma e re zvicerane paralajmëron për rreziqet e pirjes së duhanit pasiv

Të shqetësuar nga refuzimi i qeverisë zvicerane për të ratifikuar Konventën Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit, aktivistët e parandalimit në Zvicër po lançojnë një platformë të re. Passivesmoke.ch përqendrohet në rreziqet e pirjes së duhanit pasiv dhe avullimit.

Të dhënat e reja të publikuara nga Addiction Switzerland si pjesë e anketës “Shëndeti dhe Stili i Jetës” konfirmojnë zhvillime shqetësuese në modelet e konsumit, veçanërisht midis të rinjve, thuhet në një deklaratë të lëshuar të mërkurën nga Shoqata Zvicerane për Parandalimin e Duhanit (AT).

Cigaret elektronike tani po bëhen porta kryesore e nikotinës për shumë adoleshentë, me përdorimin e kombinuar të disa produkteve që po përparon me shpejtësi.

AT thekson se pirja e duhanit mbetet rreziku më i madh shëndetësor i parandalueshëm në Zvicër. Përhapja e cigareve elektronike, snusit, qeseve të nikotinës dhe produkteve të tjera po rritet me shpejtësi: 45% e 18-24-vjeçarëve tashmë i konsumojnë ato, një shifër e përshkruar si “shqetësuese” nga AT.

Përballë këtyre gjetjeve dhe, sipas pikëpamjes së AT, pasivitetit të një parlamenti të ndikuar nga lobi i duhanit, u vendos që të lançohej Passivesmoke.ch në bashkëpunim me Lidhjen Zvicerane të Mushkërive. Kjo është platforma e parë kombëtare e dedikuar rreziqeve të pirjes së duhanit pasiv dhe avullimit, një temë e lënë pas dore dhe pothuajse e harruar në debatin aktual, sipas AT.

Megjithatë, këto ekspozime të paqëllimshme janë një realitet i përditshëm për shumë njerëz në Zvicër, veçanërisht në ambientet e përbashkëta të jetesës ose hapësirat e përbashkëta të brendshme, thekson deklarata, transmeton albinfo.ch.

Konventa Kornizë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Kontrollin e Duhanit përfshin masa shkencore për të zvogëluar konsumin e duhanit dhe nikotinës, për shembull përmes ndalimeve të reklamave ose rritjes së taksave. Zvicra, thekson AT, është një nga vendet e pakta evropiane që nuk e ka zbatuar këtë angazhim.

Kundër këshillës së qeverisë, shumica në parlament marsin e kaluar vendosi që ratifikimi i konventës do të përbënte një dorëzim të sovranitetit në favor të standardeve ndërkombëtare.

SHBA i jep “dritën e gjelbër” eksportit të armatimit për Kosovën në vlerë mbi 14 milionë dollarë

 

 

Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin e Shteteve të Bashkuara për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, përcjell albinfo.ch.

Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

Sipas dokumentit, ky njoftim mban numrin e transmetimit DDTC 26–017, dhe i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan.

Ligji amerikan kërkon që administrata t’i njoftojë institucionet ligjvënëse për disa shitje ose licenca të propozuara që lidhen me eksportin e pajisjeve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.

Në dokumentin e dorëzuar në Kongres nuk janë dhënë hollësi publike lidhur me llojin e pajisjeve apo shërbimeve të mbrojtjes që përfshihen në këtë licencë për Kosovën./rel

Stuttgart: Kryeministri i ri është me origjinë nga Turqia, zonja e parë një shqiptare

Cem Özdemir është zgjedhur kryeministër i landit gjerman Baden-Württemberg, një nga rajonet më të pasura dhe më industriale në Gjermani. Ai është politikani i parë me origjinë turke që mban këtë post, duke shënuar një moment historik për politikën gjermane, transmeton albinfo.ch.

Özdemir vjen nga një familje emigrantësh që erdhën nga Turqia në Gjermani në vitet ’60. Ai u rrit në kushte të thjeshta, me prindër punëtorë, dhe pas një fëmijërie jo të lehtë arriti të studiojë dhe të ndërtojë karrierë politike. Ai u bë një nga figurat kryesore të Partisë së Gjelbër në Gjermani, duke shërbyer edhe si ministër i Bujqësisë në qeverinë federale.

Gjatë karrierës së tij politike, Özdemir ka qenë deputet në Bundestag, kryetar i të Gjelbërve dhe një zë i rëndësishëm në debatet për mjedisin, migracionin dhe integrimin. Ai është gjithashtu i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj autoritarizmit dhe për mbështetjen e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe çështjen e Kosovës.

Para zgjedhjes së tij si kryeministër, ai u martua me Flavia Zaka, një juriste me origjinë shqiptare nga Kanadaja, e cila pritet të marrë rolin simbolik të “zonjës së parë” të landit.

Baden-Württemberg është një nga qendrat kryesore ekonomike të Gjermanisë, me kompani të mëdha si Mercedes, Porsche dhe Bosch, dhe një ekonomi që arrin qindra miliarda euro prodhim vjetor.

Özdemir njihet si politikan pragmatik, mbështetës i industrisë dhe njëkohësisht kritik ndaj ekstremizmit dhe mosintegrimit. Ai vazhdon të jetë një figurë që bashkon prejardhjen e tij emigrante me rolin e lartë në politikën gjermane, duke u kthyer në një shembull të integrimit dhe suksesit politik në Evropë. /Albinfo.ch

Rreth 18 minatorë të Trepçës ende të bllokuar në minierë

Rreth 18 minatorë të Trepça vazhdojnë të jenë të bllokuar në minierë, pas një incidenti që ndodhi gjatë punës në nëntokë, përcjell albinfo.ch.

Kështu bëri të ditur kryetari i Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi, i cili tha se fillimisht mbi 40 minatorë kishin mbetur të bllokuar.

Sipas tij, një pjesë e minatorëve kanë arritur të dalin nga miniera në këmbë, ndërsa rreth 18 prej tyre vazhdojnë të jenë ende brenda.

“Mbi 40 minatorë kanë qenë të bllokuar. Një pjesë prej tyre kanë arritur të dalin në këmbë, ndërsa sipas informacioneve rreth 18 vazhdojnë të jenë ende brenda, ata të cilët kanë qenë më të dobët me shëndet”, deklaroi Jonuzi.

Ai shtoi se gjendja e përgjithshme shëndetësore e minatorëve është e mirë dhe se ekziston komunikim i vazhdueshëm me ta.

Megjithatë, Jonuzi theksoi se sa më shumë kohë që minatorët qëndrojnë në minierë, aq më e vështirë bëhet situata.

“Gjendja e përgjithshme e tyre është e mirë. Kemi komunikim me ta, por sa më tepër kohë që kalojnë brenda situata rëndohet. Kanë nevojë për furnizime, ushqim dhe ujë, sepse janë në rezervat e fundit”, tha ai./Albinfo.ch

Shqipëria sonte në skenën e Eurovisionit, Alis performon me këngën “Nan”

Sonte, Shqipëria ngjitet në skenën e madhe të Eurovision Song Contest me artistin shkodran Alis, i cili përfaqëson vendin me këngën Nan, transmeton albinfo.ch.

Kënga përcjell një mesazh të fortë emocional dhe trajton mallin e nënës për fëmijët që jetojnë në mërgim, një temë që prek veçanërisht komunitetet shqiptare jashtë vendit.

Performanca e Alisit pritet me interes të madh nga publiku shqiptar dhe fansat e festivalit evropian të muzikës. Mbështetja për artistin ka qenë e dukshme edhe në rrjetet sociale dhe në komunitetet shqiptare në diasporë. Me stilin e tij unik dhe interpretimin emocional, ai synon të sjellë një paraqitje dinjitoze për Shqipëria në një nga skenat më prestigjioze muzikore në Evropë.

Sonte, Alis do të performojë i 13-ti në renditje, njëherësh edhe numri me të cilin publiku mund ta votojë.

Për ta mbështetur nga Kosova, votimi mund të bëhet online përmes platformës zyrtare të festivalit, edhe pse vendi ende nuk merr pjesë në këtë garë. Votimi hapet menjëherë pas përfundimit të të gjitha performancave të mbrëmjes.

Ndërkohë, shqiptarët në diasporë mund të votojnë përmes SMS-ve dhe thirrjeve telefonike, duke ndjekur udhëzimet e televotimit në shtetet ku ndodhen./Albinfo.ch

Filmi “Zgjoi” prezantohet në Padovë para audiencës italiane dhe diasporës shqiptare

Filmi i mirënjohur kosovar “Zgjoi” është shfaqur më 11 maj 2026 në Teatrin “Ruzante” në Padovë, duke u prezantuar para një audience të përbërë nga qytetarë italianë dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Itali, transmeton albinfo.ch.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Diamant Kastrati, së bashku me bashkëshorten. Në sallë ishin të pranishëm gjithashtu profesorë dhe studentë nga Universiteti i Padovës, ndërmarrës dhe veprimtarë të njohur nga qyteti, si dhe Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe, historia jetësore e së cilës ka shërbyer si frymëzim për filmin e regjisores Blerta Basholli.

Shfaqja e filmit u organizua në kuadër të javës së kulturës “Young Europeans: Kosovo Week”, një iniciativë e studentëve shqiptarë në Universitetin e Padovës. Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Universitetit të Padovës, Qendrës për Hulumtimin e të Drejtave të Njeriut “Antonio Papisca” dhe Komunës së Padovës.

Programi i kësaj jave kulturore përfshin edhe aktivitete të tjera që synojnë promovimin e kulturës dhe historive të suksesit nga Kosova. Ndër to është edhe ekspozita fotografike “Kosovo Through New Lenses” e autorit Arben Llapashtica, e cila është hapur gjatë kësaj jave.

Ndërkohë, më 15 maj 2026 do të mbahet paneli i diskutimit “Game Changers: Building a Country Through Youth”, ku do të prezantohen histori suksesi të të rinjve nga Kosova, Shqipëria dhe Presheva, duke vënë në pah rolin e tyre në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit./Albinfo.ch

Arsimi dual në Kosovë, përvoja suedeze dhe fuqizimi i vajzave në shkollat profesionale

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Suedi, Shkendije Geci-Sherifi, priti në ambientet e Ambasadës një grup vajzash nga shkollat profesionale anembanë Kosovës, së bashku me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave partnere që veprojnë në fushën e arsimit profesional dhe fuqizimit të grave, përcjell albinfo.ch.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, mësimdhënës të shkollave profesionale, përfaqësues të organizatës Kosova Women 4 Women, si dhe të organizatës LuxDev.

Vizita u zhvillua në kuadër të projektit “Skills for Sustainable Jobs in Kosovo”, i cili zbatohet nga LuxDev, me Kosova Women 4 Women si organizatë partnere kyçe dhe me mbështetje institucionale nga MASHTI.

Një nga pikat kryesore të takimit ishte prezantimi i znj. Esen Kazazi Santuri, mësimdhënëse në gjimnazin Praktiska Gymnasiet Södertälje në Suedi, e cila mbajti një ligjëratë mbi funksionimin e shkollave profesionale në Suedi. Ajo foli për modelin e arsimit dual, kombinimin e mësimit teorik me praktikën profesionale, bashkëpunimin e ngushtë me tregun e punës dhe mundësitë që u ofrohen nxënësve për zhvillim dhe punësim.

Mësimdhënësja suedeze ishte e shoqëruar edhe nga dy nxënëse të shkollës së saj, të cilat ndanë përvojat personale nga edukimi profesional dhe përfitimet që ky sistem u krijon të rinjve në Suedi.

Gjatë takimit, ambasadorja Geci-Sherifi prezantoi gjithashtu një pasqyrë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, ndërsa pjesëmarrëset nga Kosova ndanë punën dhe angazhimin e tyre në avancimin e arsimit profesional, si dhe në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e vajzave në sektorë të ndryshëm profesionalë./Albinfo.ch

Rita Ora mahnitëse me pamjen e saj në Royal Albert Hall, performon në gala për Mbretin Charles III

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora ka qenë ndër emrat më të komentuar në mbrëmjen gala të organizuar për 50-vjetorin e “The King’s Trust”, e mbajtur në sallën prestigjioze Royal Albert Hall në Londër, transmeton albinfo.ch.

Artistja mori pjesë në këtë event si e ftuar speciale dhe performuese, duke u ngjitur në skenë përkrah muzikantit britanik Jools Holland, me të cilin solli një interpretim të veçantë në stilin blues, të shoqëruar me harmonikë dhe orkestër live.

Pas përfundimit të mbrëmjes, Rita Ora ndau disa momente në rrjetet sociale, duke e cilësuar pjesëmarrjen si një nder të madh.

“Është gjithmonë shumë speciale të performosh për Lartmadhërinë e Tij Mbretërore”, shkroi ajo, duke falënderuar gjithashtu Jools Holland për bashkëpunimin dhe energjinë e sjellë në skenë.

Përveç performancës, vëmendje të veçantë mori edhe takimi i saj me Mbretin Charles III, ku këngëtarja u pa duke bërë një përkulje elegante përpara monarkut britanik, një gjest respekti që u komentua gjerësisht nga mediat dhe fansat.

Mbrëmja shënoi 50-vjetorin e The King’s Trust, organizatë e themeluar nga Mbreti Charles me qëllim mbështetjen e të rinjve në arsim, punësim dhe zhvillim profesional në Mbretërinë e Bashkuar.

Eventi mblodhi figura të njohura nga muzika, arti dhe jeta publike britanike, ndërsa performanca e Rita Orës u vlerësua si një nga momentet më të spikatura të natës./Albinfo.ch

Rita Ora

Eralda Qirjo dhe Arben Neza zgjidhen në Këshillin Bashkiak të Enfield-it në Londër

Dy kandidatët me origjinë shqiptare, Eralda Qirjo dhe Arben Neza, kanë fituar mandatet e tyre në zgjedhjet lokale të mbajtura më 7 maj 2026 për Këshillin Bashkiak të Enfield-it në Londër, transmeton albinfo.ch.

Të dy kandidatët garuan nën siglën e Partia Konservatore, duke përfaqësuar zona të ndryshme të kësaj bashkie në veri të Londrës.

Fushata e tyre elektorale u fokusua në çështje praktike dhe të drejtpërdrejta për komunitetin lokal, përfshirë përmirësimin e sigurisë publike, menaxhimin më efikas të shërbimeve komunale, përdorimin transparent të fondeve publike, mbrojtjen e hapësirave të gjelbra si dhe rritjen e përfshirjes qytetare në vendimmarrje.

Fitorja e tyre shihet si një arritje e rëndësishme për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në politikën lokale britanike, duke reflektuar rritjen e angazhimit të diasporës në jetën publike të Mbretërisë së Bashkuar./Albinfo.ch

Buka mund të lidhet me shtim në peshë edhe kur konsumohet me masë, sipas studimit të ri

Një studim i raportuar nga “Science Daily”, bazuar në kërkime të shkencëtarëve japonezë në Universitetin Metropolitan të Osakës, sugjeron se shtimi në peshë mund të lidhet jo vetëm me sasinë e kalorive të konsumuara, por edhe me mënyrën se si organizmi përpunon karbohidratet e rafinuara si buka dhe mielli.

Eksperimenti i kryer te minjtë laboratorikë tregoi se ata që ushqeheshin me produkte me bazë mielli (si buka, mielli i grurit dhe i orizit) i preferonin këto ushqime dhe konsumonin më pak ushqim standard. Pavarësisht se nuk pati rritje të madhe të kalorive totale, ata shtuan peshë dhe yndyrë trupore.

Sipas studiuesve, kjo lidhej kryesisht me uljen e shpenzimit të energjisë nga organizmi, si dhe me ndryshime metabolike, përfshirë akumulimin e yndyrës në mëlçi dhe ndryshime në aktivitetin e gjeneve që lidhen me metabolizmin e yndyrave.

Po ashtu u vunë re ndryshime në përbërjen e gjakut, si rritje e acideve yndyrore dhe ulje e aminoacideve thelbësore, çka sugjeron një prirje të trupit për të ruajtur yndyrën në vend që ta djegë atë.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se nuk është vetë buka shkaktari, por konsumi i lartë i karbohidrateve të rafinuara në përgjithësi. Ata shtojnë se rezultatet janë ende të kufizuara te kafshët dhe nevojiten studime të mëtejshme te njerëzit për të nxjerrë përfundime të sakta.

“Nan” me pritshmëri të larta në skenën europiane, Alis elektrizon Eurovision Village me performancë

Në prag të gjysmëfinales së 14 majit, Eurovision Song Contest 2026 po hyn në fazën më të rëndësishme dhe më emocionuese të tij, ndërsa Shqipëria shfaqet me pritshmëri të mëdha për përfaqësimin në këtë edicion.

Artisti Alis ka sjellë një atmosferë të veçantë në Eurovision Village në Vienë, ku ka surprizuar publikun me një performancë të fuqishme dhe plot emocion. Interpretimi i tij është pritur me entuziazëm nga të pranishmit, duke krijuar menjëherë një lidhje të fortë me audiencën ndërkombëtare.

Ndërkohë, dy provat e para në skenën kryesore të festivalit janë zhvilluar me sukses, duke treguar përgatitje serioze dhe nivel të lartë artistik. Kënga “Nan” vjen si një rrëfim emocional dhe autentik, që ka ngritur pritshmëritë për një paraqitje dinjitoze në këtë kompeticion europian.

Më 14 maj, vëmendja e publikut shqiptar dhe e diasporës do të jetë e përqendruar në skenën e madhe në Vienë, ku Alis synon të japë maksimumin për të siguruar një vend në finalen e Eurovisionit.

Basel-Landschaft voton për rolin e qytetarëve në politikën energjetike

Në mes të qershorit, qytetarët e kantonit Basel-Landschaft do të votojnë për nismën “Politika energjetike vetëm me popullin”, e cila synon që vendimet kryesore në sektorin e energjisë të mos merren vetëm nga qeveria dhe parlamenti, por të kalojnë përmes ligjeve dhe një përfshirjeje më të madhe të qytetarëve.

Nisma është nxitur pas debatit rreth ligjit kantonal të energjisë, i miratuar dy vite më parë, i cili përfshinte masa si ndalimi i sistemeve të ngrohjes me gaz dhe detyrime për përdorimin e energjisë së rinovueshme. Një pjesë e këtyre masave u vendosën përmes dekreteve qeveritare, ndaj të cilave nuk mund të organizohej referendum, gjë që ka shkaktuar debat politik.

Mbështetësit e nismës argumentojnë se vendime të tilla duhet të kenë më shumë legjitimitet demokratik dhe të mos merren “mbi kokën e qytetarëve”, duke kërkuar që çështjet e rëndësishme energjetike të kalojnë gjithmonë përmes ligjit. Kundërshtarët, përfshirë qeverinë kantonale dhe disa parti politike, paralajmërojnë se kjo do të ngadalësonte vendimmarrjen dhe mund të pengonte arritjen e objektivave klimatike.

Votimi i 14 qershorit pritet të ketë ndikim jo vetëm në politikën energjetike, por edhe në mënyrën se si ndahen kompetencat mes institucioneve dhe qytetarëve në kanton.

Cilat janë trendet e udhëtimit për vitin 2026

Sipas Raportit të Trendeve 2026 të Hilton, udhëtarët sot po mendojnë më shumë për arsyen pse bëjnë pushime, sesa për vendin ku do të shkojnë.

Bazuar në të dhënat e një ankete me më shumë se 14,000 udhëtarë nga vende si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja dhe Australia, raporti tregon se udhëtimet nxiten nga motive emocionale, përfshirë dëshirën për pushim dhe etjen për përvoja kuptimplota, raporton Euronews, transmeton albinfo.ch.

“Ndërsa udhëtarët kërkojnë më shumë kuptim nga udhëtimet e tyre, besimi dhe familjariteti nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme,” tha Chris Nassetta, president dhe drejtor ekzekutiv i Hilton.

“Raporti i këtij viti tregon se 74% e udhëtarëve vlerësojnë rezervimin me marka që i njohin dhe u besojnë, një sinjal i qartë se komoditeti dhe qëndrueshmëria janë thelbësore në peizazhin e sotëm të udhëtimeve. Më shumë se kurrë, është ndjesia pas udhëtimit ajo që udhëheq vendin ku nis rrugëtimi.”

Ja të gjitha trendet që duhet të dini.

Mikpritja e qetë

Udhëtarët e sotëm po kërkojnë paqe dhe qetësi gjatë udhëtimit të tyre, si edhe kohë për veten.

Nga të anketuarit, gati gjysma, 48%, thanë se do të shtonin ditë të tjera udhëtimi para ose pas pushimeve familjare, ndërsa 54% thanë se do të bënin një udhëtim pune për të marrë një pushim nga familja, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Rreth 27% e udhëtarëve të biznesit po i japin përparësi kohës vetëm gjatë udhëtimeve të punës, 19% zgjedhin gjumin në vend të shoqërimit, ndërsa 30% zgjedhin një vakt ose meze të vonë pas eventeve në grup.

Planifikimi përmes syve të fëmijëve

Ndërsa në të kaluarën prindërit zgjidhnin destinacionin e udhëtimit sipas preferencave të tyre dhe fëmijët thjesht i shoqëronin, sot brezi i ri është i përfshirë aktivisht në planifikimin e pushimeve.

Sipas anketës, 73% e atyre që udhëtojnë me fëmijët ose nipërit e mbesat presin t’i inkurajojnë aktivisht ata që të ndihmojnë në planifikimin e pushimeve familjare.

Edhe udhëtimet “skip-gen”, pra udhëtimet ku fëmijët shkojnë vetëm me gjyshërit, janë në rritje, me gati 30% të udhëtarëve që thonë se do t’i dërgonin fëmijët vetëm me gjyshërit.

Familjet po përpiqen gjithashtu të jenë më të pranishme, me 58% të prindërve që thonë se do të vendosnin periudha pa ekran gjatë pushimeve.

Turizmi i trashëgimisë familjare

Udhëtimet që bëjmë si fëmijë lënë një përshtypje të qëndrueshme, me dy të tretat e udhëtarëve që thonë se zgjedhjet e tyre për hotelet janë ndikuar nga prindërit, ndërsa 73% thonë se stili i tyre i përgjithshëm i udhëtimit është ndikuar nga familja.

Për më tepër, njerëzit po lejojnë trashëgiminë e tyre familjare të zgjedhë destinacionin, me 52% të të anketuarve që thonë se po planifikojnë udhëtime për të mësuar rreth rrënjëve familjare.

Rikthehen udhëtimet rrugore në SHBA

Me Route 66 që feston 100-vjetorin këtë vit, nuk duhet t’ju habisë fakti që udhëtimet rrugore në SHBA janë në rritje.

Sipas Hilton, 61% e udhëtarëve nuk do të ngisnin makinën për më shumë se pesë orë pa ndaluar për të qëndruar në hotel, ndërsa 90% thonë se një shtrat i rehatshëm është përparësia kryesore pas një dite në rrugë.

“Shpërblimi financiar” po bëhet trend në Zvicër për të gjetur banesë

Kriza e banesave në qytetet e mëdha të Zvicrës po bëhet aq e fortë sa shumë persona tashmë po ofrojnë para për këdo që i ndihmon të gjejnë një apartament me qira.

Sipas raportimeve, gjithnjë e më shumë njerëz po publikojnë njoftime në rrjetet sociale dhe platformat online duke premtuar një “finder’s fee” – një shpërblim financiar për personin që arrin t’u sigurojë banesë pa procedurat e zakonshme dhe listat e gjata të pritjes, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Shumat ndryshojnë sipas qytetit dhe vështirësisë së tregut. Në Lucern, ku niveli i banesave të lira është nën 1%, disa kërkues ofrojnë deri në 1,000 franga zvicerane për ndihmë. Në Cyrih, shpërblimet për apartamente në lagje të preferuara arrijnë rreth 500 franga.

Sipas ekspertëve, kjo praktikë po krijon një “avantazh shtesë” për personat me më shumë para, në një treg që tashmë konsiderohet jashtëzakonisht konkurrues.

Megjithatë, sistemi nuk është i paligjshëm nëse pagesa ofrohet vullnetarisht. Juridikisht, ai trajtohet si pagesë për një shërbim të kryer, edhe pse kritikët thonë se praktikisht favorizon më të pasurit dhe e bën tregun e banesave edhe më të padrejtë.

Zvicra po përballet prej vitesh me mungesë të madhe apartamentesh, sidomos në qytetet si Cyrih, Gjenevë dhe Lozanë, ku qiratë dhe konkurrenca për banesa kanë arritur nivele rekord.