Një ndërprerje masive e energjisë ka përfshirë Spanjën, Portugalinë dhe disa zona të jugut të Francës, duke shkaktuar kaos në transport dhe komunikacion. Aksidenti u regjistrua rreth orës 12:50 të së hënës, kur u ndërprenë shërbimet e internetit dhe transporti publik, përfshirë ndalimin e trenave dhe evakuimin e metrosë së Madridit. Pavarësisht reagimeve urgjente, autoritetet dhe operatorët e energjisë nuk kanë mundur të japin ende një shpjegim të qartë për shkaqet, ndërsa hetimet janë në zhvillim e sipër nga Instituti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili po shqyrton mundësinë e një sulmi kibernetik.
Spanja dhe Portugalia të prekura; aeroportet dhe bizneset në errësirë.
Sipas raportimeve nga “El País”, ndërprerja ka prekur rëndë edhe aeroportin e Madridit dhe shumë biznese të tjera, të cilat janë lënë në errësirë. Situata është përkeqësuar në Portugali, ku aeroporti i Lisbonës u mbyll dhe komunikimet midis veriu dhe jugut të vendit u ndërprenë. Në Francë, rajone si Perpinjoni dhe Narbona kanë raportuar ndërprerje të energjisë, ndërsa operatori RTE ka konfirmuar se situata është stabilizuar në këto zona, përcjell albinfo.ch.
Zjarri në malin Alarik – një shkak i mundshëm i ndërprerjes.
Një zjarr masiv në malin Alarik, që dëmtoi një linjë të rëndësishme energjetike midis Francës dhe Spanjës, mund të ketë qenë shkaku i ndërprerjes. Eduardo Prieto, CEO i Red Eléctrica në Spanjë, tha se rikthimi i plotë i energjisë mund të zgjaste nga gjashtë deri në dhjetë orë.
Paralajmërime dhe pasojat në infrastrukturën e komunikimit.
Autoritetet spanjolle kanë kërkuar nga qytetarët të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Po ashtu, në Portugali, TAP ka paralajmëruar pasagjerët që të mos udhëtojnë deri në një njoftim të dytë. Interneti dhe rrjetet celulare janë prekur; megjithatë, disa shërbime telefonike janë ende funksionale në Spanjë.
Ndërkohë, kanë kaluar më shumë se dy orë nga fillimi i “blackout-it”, dhe shumë elementë të ngjarjes mbeten ende të paqartë, përfshirë shkakun e saktë dhe nëse ky incident është rezultat i një ndërprerjeje natyrore apo një sulmi kibernetik të organizuar. Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet e energjisë dhe ato të sigurisë po marrin masa për të menaxhuar situatën.