Lajme

Ramë Dardania merr pjesë në festivalin ndërkombëtar të artit, në Kotor

“Për mua është shumë domethënëse që emri Dardania të jetë aty, në zemër të Kotorit, përkrah artistëve nga vende të ndryshme", thotë artisti

Artisti shqiptar Ramë Dardania do të jetë pjesë e edicionit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Artit “Zasjaće Palaci”, që do të zhvillohet më 18 dhe 19 shtator 2026 në Kotor, Mal të Zi.

Përzgjedhja e tij është bërë nga juria e Galerisë së Qytetit të Kotorit, pas shqyrtimit të aplikimeve të artistëve pjesëmarrës. Dardania është në mesin e një grupi artistësh ndërkombëtarë që do të prezantojnë punën e tyre gjatë dy netëve të festivalit.

Pas një vargu ekspozitash në muze, galeri dhe hapësira të ndryshme të artit, pjesëmarrja në Kotor shënon një tjetër kapitull në rrugëtimin artistik të Rame Dardanisë.

Veçantia e këtij festivali qëndron edhe te mënyra e prezantimit: qyteti i vjetër i Kotorit dhe arkitektura e tij historike do të bëhen pjesë e skenës artistike, duke krijuar një takim mes artit bashkëkohor dhe trashëgimisë së qytetit.

“Për mua është shumë domethënëse që emri Dardania të jetë aty, në zemër të Kotorit, përkrah artistëve nga vende të ndryshme. Pas gjithë këtyre viteve pune dhe ekspozitave, çdo prezantim i ri ka emocionin e vet, por ky moment është i veçantë”, thotë Ramë Dardania për albinfo.ch. Prania e tij në Kotor është një tjetër mundësi që arti shqiptar të shihet dhe të komunikojë me një publik ndërkombëtar, këtë herë në një prej qyteteve historike më karakteristike të Adriatikut.