Kosova
Ambasada amerikane në Kosovë shpreh keqardhje për dështimin e zgjedhjeve në veri
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Kosovë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar prej ekipeve ndërkombëtare të vëzhgimit që dalja ka qenë jashtëzakonisht e ulët në votime
Ambasada amerikane në Kosovë, ka shprehur keqardhje të dielën për vendimin e Listës Serbe dhe figurave tjera politike serbe në Kosovë, që nuk kanë marrë pjesë në procesin e votimit për largimin ose jo të kryetarëve shqiptarë nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Sipas Ambasadës, përmes pjesëmarrjes në votim, serbët kanë mundur të “avancojnë në demokraci efektive dhe përfaqësuese”, transmeton albinfo.ch.
“Pjesëmarrja demokratike ndihmon që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullatave, të cilave u shërbejnë. Votimi është e drejtë kyçe në shoqëritë demokratike”.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se procesi ka dështuar pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46.556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.
Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus 1 votues.
Kjo nënkupton se kryetarët aktualë do t’i vazhdojnë mandatet e tyre.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Kosovë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar prej ekipeve ndërkombëtare të vëzhgimit që dalja ka qenë jashtëzakonisht e ulët në votime.
“Ne jemi të vetëdijshëm që KQZ-ja u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë. Ne i vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë të Kosovës që t’ua mundësojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës në katër komuna, që të marrin pjesë në këtë proces demokratik”.
Ky zëdhënës ka thënë se pozicioni amerikan është i qartë dhe i pandryshuar: SHBA-ja mbështet demokraci diverse, gjithëpërfshirëse dhe multi-etnike, dhe se kryetarët aktualë do të vazhdojnë punën sipas kornizës ligjore të Kosovës.
Autoritetet në Kosovë, po ashtu, kanë shprehur keqardhje për mospjesëmarrje të serbëve lokalë në votimet e organizuara të dielën dhe e kanë akuzuar Serbinë për përfshirje në këtë proces.
Lista Serbe, në anën tjetër, ka thënë se këtë ditë është dëshmuar uniteti i popullit serb.
Në një komunikatë për media, kjo parti ka pretenduar se më 21 prill është dëshmuar se nuk janë Lista Serbe dhe Serbia që po frikësojnë serbët, por kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe siç, ka thënë, njësitë e tij ilegale parapolicore, që sipas Listës Serbe kanë rezultuar me rrugë të zbrazëta në veri.
Përveç SHBA-së, edhe Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për vendimin e marrë prej Listës Serbe.
E-Diaspora
-
Jetullah Haliti-Eti hap ekspozitë të arteve pamore në Sion Titulli i kësaj ekspozite tematike është "Kur flet arti, nderohet kombi dhe atdheu"...
-
VLEN shpall fitoren e quajtur ‘Ndryshimi’, falënderon diasporën
-
Shqiptari i vë flakën vetes në Itali, në sy të gruas së tij
-
Dr. Cristiana Lucchetti: Shqipja, gjuha më e rëndësishme e origjinës në Zvicër
-
Mërgimtarët hasin në probleme gjatë regjistrimit të popullsisë, ReKos 2024
Jeta në Austri
-
Austri
Vjenë: Kori Siparantum, mahnitës në 200-vjetorin e Simfonisë së Nëntë të Beethovenit Kori Siparantum shënoi një moment të pazakontë në historinë muzikore te ne, duke u ngjitur kështu...
-
80 vjedhje, 560 mijë euro dëm: Arrestohen katër shqiptarë në Austri
-
Austri: Ministri i Brendshëm kërkon dëbimin në Kosovë të kriminelëve nga vendet e treta
-
Çfarë është e hapur dhe çfarë është e mbyllur në “Ditën e Ngjitjes” në Austri?
-
Përmbledhje e lajmeve më të fundit për sot në Austri