Sport

Dalja nga izolimi dhe trauma e lojës së parë në një “stadium normal”

Formacioni U-17 i regjionit të Gjilanit i cili po qëndron në Zvicër ka humbur ndeshjen e parë nga FC Will me rezultat 2:7

Pajazit Sopi është 38 vjeç, i rritur në Zvicër dhe një pjesë të madhe të kohës së tij ia kushton futbollit. Ai më parë ka luajtur në ekipe të ndryshme futbollistike ndërsa 12 vitet e fundit është aktiv si trajner i FC Schwammendingen të Cyrihut. Duke e njohur nivelin e futbollit të Zvicrës gjegjësisht mënyrën funksionimit të shkollave të futbollit të këtushëm Sopi kishte dëshirë që gjithë këtë t`ua bëjë të njohur edhe futbollistëve nga Kosova. Prandaj, për t`ua mundësuar të fitojnë së paku një shije të futbollit të këtushëm, ai kishte vendosur të sillte këtu një ekip juniorësh nga Kosova.

“Dihen kushte në të cilat luhet futbolli në Kosovë, siç dihet edhe izolimi në të cilin vazhdo të vuajë sporti i atjeshëm. Kjo më shtyri të mendoj për të shpërthyer këtë izolim së paku pjesërisht, duke e sjellë këtu një ekip të rinjsh, konkretisht atë U17 të regjionit të Gjilanit. Ka qenë muaji mars kur u premtova miqve në Kosovë se do të bëj gjithçka për t`i sjellë dhe ja, i solla, me ndihmën e tyre”, thotë për albinfo.ch “Paja”, siç e thërrasin të njohurit.

“Duhet falënderuar sidomos klubin “Schwamendingen” i cili më ka ndihmuar shumë në sigurimin dhe plotësimin e dokumentacionit etj”, shton ai dhe përmend edhe disa firma dhe individë që kanë dhënë ndihma për këtë projekt. Rezultati i këtyre përpjekjeve është i dukshëm: 16 lojtarë, trajnerët dhe stafi teknik i formacionit U17 kanë ardhur në Zvicër. Këtu falë këmbënguljes së Pajazitit dhe përkrahësve të tij, ata do të luajnë 4 ndeshje gjatë 6 ditëve të qëndrimit të tyre.

Humbja e thellë nuk është pasqyrë e nivelit të ekipit

Në ndeshjen e parë, të luajtur të mërkurën mbrëma kundër moshatarëve të tyre të FC Wil-it, U-17-shi nga Kosova pësoi humbje të thellë: 2-7. Zhgënjimi mund të lexohej edhe në fytyrën e “Pajës”, por ai, ashtu si dhe të tjerët, e ka shpjegimin për këtë humbje. “Fajin e ka lodhja e madhe, shqetësimi dhe stresi – çunat nuk kanë fjetur mbrëmë gjithë natën ndërsa sot, sapo mbërritën në hotel, pas fluturimit nga Prishtina në Bazel, u desh të udhëtonin deri në Wil për të luajtur ndeshjen. Edhe këtu ndodhi një aksident i vogël: autobusit i pëlciti goma dhe u desh të gjenim zgjidhje me vetura private të miqve tanë. Të gjitha këto sigurisht u reflektuan edhe në rezultat”. Por, Pajaziti thotë se më me rëndësi se rezultati është efekti social i këtij udhëtimi. Të rinjtë hapin horizontin e tyre duke parë se si luhet futbolli, si funksionon shkolla e futbollit në një vend s Zvicra etj.

Ngjashëm flet edhe trajneri, Halil Halili, i cili ka mbase barrën më të madhe sepse duhet të kujdeset për 16 tinejxherët që i ka sjellë në Zvicër.

“Nga regjioni i Gjilanit kemi marrë lojtarë nga ekipet si “Drita”, “Gjilani”, “Galaxy”, “Galatasaray-Kosova” etj. dhe kemi ngritur këtë formacion”, sqaron ai për albinfo.ch mënyrën e krijimit të formacionit.

Lojtarët tanë luajnë për herë të parë në një “stadium normal”

“Me ndihmën financiare dhe logjistike të disa mërgimtarëve nga Zvicra dhe në veçanti Pajazit Sopit, kemi arritur këtu. Për disa nga lojtarët na janë refuzuar vizat për shkaqe teknike prandaj jemi detyruar që ata t`i zëvendësojmë me të rinj shqiptarë që luajnë në ekipe të ndryshme në Zvicër. Me gjithë stafin jemi gjithsej 19 veta”, thotë Halili. Lidhur me ndeshjen e parë ai thotë: “ka qenë një lojë e mirë. Shkak i humbjes ka qenë lodhja e skajshme e lojtarëve. Gjithashtu ka qenë edhe një hutim për shkak të hyrjes së tyre për herë të parë në një “stadium normal”, që ndryshon nga fushat e improvizuara ku ata kanë luajtur deri më tash. Besoj se në ndeshjet e ardhshme, pas një pushimi, do të tregojmë lojë më të mirë. Kjo ka qenë loja e parë e këtij formacioni i cili si i tillë ka ushtruar së bashku më pak se një muaj. Është me rëndësi që kanë ardhur të luajnë dhe të shohin kultura të ndryshme të futbollit. Por besoj se edhe do të vlerësohen nga menaxherë që janë prezentë. Siç jemi të njoftuar ata do të jenë edhe më shumë të pranishëm në ndeshjet që na presin, e që zhvillohen kundër ekipeve më të forta, të superligës zvicerane. Unë nga djemtë nuk po kërkoj rezultat por vetëm lojë të angazhuar”.

Isa Sadriu, ish futbollist i njohur kosovar, aktualisht trajner i shkollës së futbollit “Gallatasaray-Kosova” në Prishtinë është po ashtu i pranishëm në delegacionin nga Gjilani. Edhe ai “fajin” për humbjen ia lë stërlodhjes së lojtarëve dhe fushës (me bari artificial) me të cilën djemtë nuk janë mësuar, pasi që këtu `topi është shumë më i shpejtë` dhe e kam pritur se do të kenë problem. Shpresoj shumë se në ndeshjet tjera do të paraqiten me lojë shumë më të mirë pasi që do të jenë të freskët, të çlodhur. Ideja është që të rinjtë tanë të dalin, të shohin se si luhet futbolli jashtë vendit po edhe që, pse jo, të shikohen nga menaxherët të cilët mund të zgjedhin ndonjërin prej tyre për të luajtur këtu ose gjetiu”, përfundon Sadriu për albinfo.ch.

Në emrin e formacionit U17 të Gjilanit, mirënjohje u janë ndarë trajnerit të ekipit nikoqir, Roland Näf dhe bartësit të projektit, Pajazit Sopi.

Trajneri zviceran: Ekipi nga Kosova është mjaft cilësor

Trajneri i juniorëve të FC Wilit, Roland Näf, edhe pas fitores së thellë të ekipit të tij ruan modestinë dhe respektin ndaj mysafirëve. “Unë para ndeshjes ua kam tërhequr vërejtjen lojtarëve të mi se kemi të bëjmë me një ekip kundërshtar të fortë teknikisht dhe me lojtarë që fizikisht janë më superiorë në raport me ne”, thotë Näf duke folur për albinfo.ch. Por, fitorja kaq bindëse e jona ka të bëjë e rrethanat në të cilat janë ndodhur lojtarët mysafirë. Siç e dini, ata kanë pasur një natë pa gjumë dhe një ditë të lodhshme dhe e gjithë kjo është pasqyruar edhe në lojë. Mendoj se ekipi ne asnjë mënyrë nuk mund të gjykohet si i dobët por është fjala thjesht për rrethanat për të cilat folëm. Për këtë arse mendoj se në ndeshjen e radhës që ata do ta luajnë të premten dhe në ë tjerat, do të shohim një ekip krejt tjetër dhe më të mirë.

Orari
Nesër më 12 qershor U-17 i regjionit të Gjilanit luan kundër U-17 të FC St. Gallen, (AFG Arena nga ora 20.00), të shtunën, më 13 qershor kundër U-17 të BSC Young Boys nga ora 16.00 dhe më 14 qershor kundër GC Zürich. .
– See more at: http://www.albinfo.ch/qendron-ne-zvicer-u-17-i-regjionit-te-gjilanit/#sthash.xgi1H7x4.dpuf