Lajme

Dialog i suksesshëm shqiptaro-gjerman në Düsseldorf

Në kuadër të vizitës së tij disaditore në Gjermani, ministri i Qeverisë shqiptare për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Sipërmarrje dhe Turizëm, Arben Ahmetaj, qëndroi për vizitë në Ministrinë e Ekononisë së landit të Nordrhein-Westfalisë në Düsseldorf, për të marrë pjesë në takimin “NRW në dialog me Shqipërinë”.
I shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Gjermani, Arben Kuka, nga Konsullja e Nderit e Shqipërisë, Anduena Stephan, si dhe nga këshilltarët e tij dhe afaristë shqiptarë, ministri Ahmetaj u prit nga Sekretari për ekonomi ilandit të Nordrhein-Westfalisëm Dr. Günther Horzetzky. Nikoqiri gjerman përshëndeti mysafirët dhe të pranishmit, duke iu dëshiruar një dialog të frytshëm mbi mundësitë e bashkëpunimit të këtyre dy vendeve, të cilat, sipas tij, kanë për të ofruar shumë.

“Afërsia dhe bashkëpunimi me Berlinin zyrtar kanë një prioritet të lartë për Qeverinë tonë, por ne dëshirojmë që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë edhe me regjionet brenda Gjermanisë, siç është landi i Nordrhein-Westfalisë”, theksoi Ahmetaj, duke bërë një prezantim të Shqipërisë me të gjitha sukseset  e arritura në vitet e fundit. Ai foli edhe për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet vendi, si dhe për masat e marra për përmirësimin e kushteve për zhvillim ekonomik në vend dhe për rritjen e atraktivitetit të Shqipërisë për investitorët e huaj.

“Ne nuk duam paratë tuaja. Ne duam përvojën dhe ndihmën tuaj në ngritjen e standardeve në të gjitha sferat ekonomike. Jemi të interesuar për sistemin dual gjerman të arsimimit për të rritur numrin dhe kualitetin e profesioneve të ndryshme që mungojnë në Shqipëri”, vazhdoi ministri Ahmetaj, duke treguar edhe shembuj konkretë, ku kompani dhe institucione gjermane janë të angazhuara në këtë drejtim. Shifrat e rritjes ekomike në vitet e fundit, infrastruktura e cila dita-ditës po përmirësohet, porti i Durrësit, popullsia e re, fuqia e lirë punëtore ishin vetëm disa nga kushtet e mira që ofron Shqipëria për investitorët e huaj të përmendura nga ministri Ahmetaj.

“Jemi një vend ende i pazbuluar, por që ka një potecial të madh, prandaj shpresoj që dialogët si ky t’i shërbejnë njohjes dhe afrimit të vendeve të tjera me Shqipërinë”, përfundoi ministri Ahmetaj.

Prezantimin e landit të Nordrhein-Westfalisë e bëri menaxherja e projekteve Elena Matekina nga NRW Invest – Agjencia e zhvillimit ekonomik të këtij landi. Informatat mbi landin me popullsinë më të madhe në Gjermani si dhe ekonominë e tij, e cila po ashtu është ndër më të zhvilluarat në këtë vend, të pranishmëve iu prezantuan në gjuhën shqipe. Prania e shumë kompanive gjigante nga sektorët e ndryshëm e bëjnë këtë pjesë të Gjermanisë si një ndër regjionet më të zhvilluara në krejt Evropën. “Ndonëse kemi shumë kompani të mëdha këtu, shtyllë e zhvillimit të ekonomisë është sektori i kompanive të mesme, të cilat po ashtu kërkojnë mundësi investimi në vendet si Shqipëria”. Në vitin 2013 Shqipëria ka blerë mallra me vlerë 140.000.000 euro nga Gjermania dhe ka eksportuar mallra me vlerë rreth 80.000.000 euro. Edhe pse shifrat ende të papublikuara të vitit 2014 me siguri se janë më të larta, mes dy
vendeve ekzistojnë mundësi më të mëdha të bashkëpunimit ekonomik”, foli Elena Matekina, duke vazhduar paraqitjen e fakteve dhe sukseseve ekonomike të landit NRW.

Të gjithë të pranishmit ishin të mendimit se duhen të intensifikohen mënyrat e bashkëpunimit dhe njohja në mes të dy vendeve. Aksion i qëlluar në këtë drejtim është udhëtimi i biznesmenëve gjermanë dhe shqiptarë nga Gjermania për në Shqipëri dhe në Kosovë prej 25 deri më 28 mars, të organizuar nga NRW International dhe shoqata shqiptaro-gjermane IDEAL. Për vizitën në të cilën do të marrë pjesë Dr. Günther Horzetzky, e cila ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit biletarel, të pranishmit i informoi Anduena Stephan. Kjo vizitë do t’u shërbejë kompanive gjermane, sidomos atyre të sektorit të mesëm, të njihen me mundësitë e investimeve në Shqipëri dhe Kosovë në sektorin e energjisë, minierave, përpunimit të metaleve, turizmit etj. Janë planifikuar takime të shumta me institucione shtetërore, por edhe me kompanitë vendëse.

Në fund të takimit ministri Ahmetaj ishte në dispozicion për bisedë me të pranishmit, të cilët shfrytëzuan rastin të shtrojnë pyetje interesante, të tregojnë për përvojën e tyre me Shqipërinë, por edhe të  japin propozime të ndryshme për thellimin e bashkëpunimin në mes të dy vendeve. Të pranishëm në këtë dialog të suksesshëm ishin edhe përfaqësuesit e Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane, me të cilët ministri Ahmetaj zhvilloi një takim të veçantë.