Lajme

Sivjet, 8.500 kosovarë kanë kërkuar azil

Nga të dhënat e deritashme të cilat janë llogaritur nga muaji janar e deri në shtator, janë mbi 8 mijë persona që kanë lënë Kosovën për të migruar në vendet e BE-së

Këto të dhëna janë bërë publike nga Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Kosovë.

“Nga të dhënat që i kemi deri tani, sipas shteteve të ndryshme anëtare të BE-së, dhe duke u bazuar edhe në të dhënat e EUROSTAT-it, faktikisht shifrat deri në fund të shtatorit tregojnë se 8.500 persona kanë kërkuar azil në shtete të ndryshme”, tha Safedin Kuçi.

Kuçi tha se në vitin 2013, numri i personave nga Kosova që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, ka shkuar rreth 21 mijë.

“Të dhënat tregojnë se numri ka qenë i rritur diku 104 për qind, numri i tyre ka shkuar në 20 mijë e 175”, ka shpjeguar Kuçi.

Në anën tjetër, Baki Kelani nga Policia e Kosovës thotë se në kuadër të këtyre rasteve që kanë të bëjnë me migrimet ilegale, ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore nga ana e policisë.

“Më qëllim të parandalimit të rasteve të tilla Policia e Kosovës është aktive me plane konkrete në parandalimin e rasteve të migrimit ilegal, kontrabandimit me emigrantë, e në veçanti të rasteve të fundit”, ka thënë Kelani në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, përmes postës elektronike.

Zyrtarët në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, thonë se fuqizimi i bashkëpunimit ndërkufitar si dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe informatave ndërmjet institucioneve, përfshirë edhe policitë e vendeve të rajonit, në fushën e menaxhimit të migracionit, është nevojë e menjëhershme.

Në zbatimin e legjislacionit dhe të politikave në fushën e migrimit, institucionet e Kosovës kanë zhvilluar forma të ndryshme të bashkëpunimit me organizata dhe iniciativa të veçanta ndërkombëtare dhe rajonale në fushën e migrimit.

Kosova gjithashtu ka vendosur bashkëpunim bilateral me shtete të veçanta. 

Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjësja kryesore për parandalimin dhe luftën e migracionit të parregullt nëpërmjet menaxhimit të integruar të kufijve, kontrollit të te huajve në procedurat e aplikimit për vizë për të hyrë në Republikën e Kosovës.

Interesimi i të rinjve për të migruar në shtetet e ndryshme vazhdon të rritet. Arsyet pse ata duan ta lënë Kosovën, kryesisht kanë të bëjnë me kushtet e vështira ekonomike dhe papunësinë.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Prishtinë thonë se janë në dijeni se kosovarët janë duke shprehur interesim të migrojnë, apo që kanë plane të përafërta.