Lajme

Policia merr donacion për shkatërrimin e armëve

Këto pajisje që janë donacion i UNDP-së nëpërmjet donatorëve do ta rrisin sigurinë në dhomat e dëshmive

 

 

 

23 dollapë për ruajtjen e armëve të gjata dhe të shkurta, 50 kamera digjitale, gjashtë licenca për shfrytëzimin e bazës së të dhënave për identifikimin e municionit i ka fituar Policia e Kosovës falë një donacioni të UNDP-së prej 46 mijë e 220 euro.

Falë këtij donacioni, Policia e Kosovës do të ketë një depo për shkatërrimin e armëve të vogla dhe të lehta të cilat konfiskohen si të jashtëligjshme. Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi në një konferencë për media në të cilën u tregua për projektin- donacionin e UNDP-së KOSSAC .

“Pra në depot e Policisë së Kosovës në fushë Kosovë ku do të jenë këto armë në një ambient të sigurt dhe ti nënshtrohen shkatërrimit sipas standardeve evropiane. Natyrisht që këto pajisje që janë donacion i UNDP-së nëpërmjet donatorëve do ta rrisin sigurinë në dhomat e dëshmive”, tha Rexhepi.

I pari i MPB-së tha se numri i armëve të paligjshme në duart e qytetarëve ende është i madh ndërsa premtoi se shkatërrimi i këtyre armëve do të bëhet në përputhje me standardet dhe parimet evropiane, shkruan indeksonlinenet. Ministri Rexhepi tha se projekti KOSSAC ka për qëllim promovimin e paqes dhe sigurisë.

“Projekti për reduktimin e rrezikut të armeve të paligjshme dhe trafikimi i armëve dhe municioneve ka për qëllim të rrit sigurinë e rezervave të armëve të vogla dhe të lehta dhe municionin e tyre në Evropën Juglindore, të reduktojë numrin e rezervave të këtyre armëve dhe municioneve përmes procesit të shkatërrimit, si dhe të përmirësojë shënimin dhe gjurmimin përmes procesit të regjistrimit elektronik të mbështesë mbledhjen e ardhmeve të pa ligjshme dhe mjeteve eksplozive dhe mjeteve të tjera”, theksoi Rexhepi.

Ndërsa zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se përdorimi i armëve është shuarje e jetës.

“Puna që po bëjmë edhe sot është vetëm një vazhdimësi e jona në ngritjen e kapaciteteve dhe ekspertizës në luftimin e armëve të vogla dhe të lehta sit ë kundërligjshme”, tha Rexha.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe përfaqësues i UNDP-së, Andrew Russell i cili tha se projekti KOSSAC është një nga rezultatet më të mëdha.

“Ky projekt është një nga rezultatet e mëdha të një projekti shumë të suksesshëm. KOSSAC është rinovimi i suksesshëm i armëve rezervë të Policisë së Kosovë”, tha Russell.

Donacioni është mundësuar nga Iniciativa e UNDP-së për Kontrollin e Armëve të Vogla e të Lehta për Evropën Lindore dhe Jug-Lindore (UNDP -SEESAC) e cila është duke e implementuar Vendimin e Këshillit të BE-së në mbështetje të aktiviteteve të SEESAC-ut për çarmatim dhe kontroll të armëve në Evropën juglindore.

Kjo mbështetje është pjesë e Strategjisë së BE-së për luftimin e grumbullimit dhe trafikimit të paligjshëm të armëve të vogla e të lehta dhe municionit.