Lajme

Opozita mblidhet në Kuvend, kërkon dalje nga kriza

Deputetët e koalicionit VLAN u mblodhën sot në Kuvendin e Kosovës, duke i çuar selam, kryeministrit Hashim Thaçit që të lëshojë rrugë për daljen nga kriza. Thaçi seancën e quan ilegale

Deputetët e katër partive politike që përbejnë koalicionin VLAN (Vetëvendosje, LDK, AAK dhe Nisma) kanë mbajtur një seancë plenare të Kuvendin e Kosovës, ku kanë kërkuar inaugurimin sa më të shpejt të institucioneve të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit. Në këtë seancë, nuk ka marrë pjesë PDK e kryeministri Hashim Thaçi, i cili seancën e ka quajtur ilegale.

Pavarësisht se në këtë seancë nuk ka marrë pjesë PDK, 62 deputetët e koalicionit V-LAN dhe një deputetet i komunitetit ashkali, kanë miratuar një deklaratë për media, me të cilin kërkojnë nga partia rivale, respektivisht nga kryesuesja e seancës konstituive, Flora Broina që ta thërras më shpejt seancën konstituive.

“Ne deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që përfaqësojmë shumicën parlamentare, kërkojmë:  Konstituim sa më të shpejt të institucioneve shtetërore; si dhe zgjidhje përmes shumicës parlamentare, e cila kërkohet për të krijuar këto institucione”, shkruan në deklaratën e përbashkët e VLAN-it, të cilën e lexoi deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani-Sadriu.

Seanca e sotme plenare u drejtua nga deputetja më e re Kuvendit, Teuta Rugova.

Sipas ligjit, seancën inauguruese e drejton deputetja më e vjetër dhe ajo më e re e nomenklaturës përbërëse. Kësaj here, deputetja më e vjetër është Flora Brovina e PDK-së dhe më e reja është Teuta Rugova e LDK-së.  

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë seancës tha se e nevojitet një qeveri e re e cila mund të bëjë ndryshime rrënjësore në vend. Ai shtoi se pasi e pamundësuan qeverinë e pakicës, kjo pakicë po pengon themelimin e institucioneve nga ana e shumicës.

“Nuk mund të lejojmë që të qeverisë kjo qeveri që ka bërë shumë skandale; vjedhja në dhomën e dëshmive në polici, rrahja e policëve nga djemtë e Grabovcit, rraja e deputetëve nga truprojat e kryeministrit, fusnota e Kosovës, vrasja e Enver Zymberit , vjedhjet e më shumë se gjysmë milion, vjedhje në autostrada, etj”, tha ai

Arben Gashi nga LDK-ja duke folur për ngërçin politik, ka ftuar PDK-në që të debatojnë në Kuvend.

“Ne sot këtu do të diskutojmë se si do ta çojmë këtë vend përpara, ju bëjmë thirrje që të jenë prezent këtu në Kuvend, pretendimet se ne nuk mund të mblidhemi në Kuvend të debatojmë. Këtë po e vendos PDK si standard. Lakmia e pushteti ka verbër mundësinë e përfaqësimit, ne sot këtu kemi vendos që të përfaqësojmë qytetarët”, tha ai.

Kurse Donika Kadaj-Bujupi nga AAK-ja ka thënë se vullneti i shumicës parlamentar duhet të vije në shprehje, dhe nga ky fakt duhet te ndërtohen edhe institucionet.

“Liria nuk ka kuptim nëse ne i nënshtrohemi diktatit. Vullneti i shumicës parlamentare duhet të vijë në shprehje për ndërtimin e institucioneve të dala nga vota e lirë”, ka thënë ajo.

Ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministri në largim dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi. Pas një mbledhjeje të kryesisë se partisë, Thaçi ka deklaruar se deputetët e opozitës, kanë keqpërdorur hapësirat e Kuvendit duke vepruar përtej autorizimeve të tyre si deputetë.

“Në fakt ajo nuk ka qenë seancë ka qenë një takim që është keqpërdorur hapësira e kuvendit të Republikës se Kosovës është përtej autorizimeve që mund të kenë individët e tillë. Ka qenë një takim jo legal, jo zyrtar jo kushtetues, jo ligjor dhe pa asnjë vlerë dhe asnjë validitet”, tha Thaçi

Thaçi u ka bërë thirrje liderëve të partive politike që të ulen dhe të bëjnë një marrëveshje për formimin e institucioneve të Kosovës në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe respektimit të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit.

Ndryshe, kjo ishte seanca e parë e Kuvendit të Kosovës që ligjvënësit debatuan për daljen nga kriza parlamentare. dy herë më parë, seanca është drejtuar nga Flora Brovina, por nuk ishte lejuar debati. Gjatë dy seancave të kaluar PDK propozoi kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, por nuk i mori votat.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovës janë mbajtur më 8 qershor, ndërsa nga ajo kohë nuk ka zgjidhje të institucioneve. Palët janë bllokuar ndërmjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila ia ka dhënë të drejtën PDK-së që t’i bëjë institucionet, si parti fituese në zgjedhje, dhe katër partive të bllokut që kanë shumicën në Kuvend, por nuk e kanë të drejtën kushtetuese për ta bërë qeverinë.