Lajme

Kosovë, 63 psikologë për 700 shkolla

Vetëm 63 psikologë dhe pedagogë janë të punësuar në më shumë se 700 institucione arsimore në Kosovë. Kërkohet ë numri i psikologëve të rritet

Shkollat fillore dhe ato të mesme në Kosovë, gjatë viteve të fundit shpesh janë bërë top lajmë i kronikës së zezë, për shkak të pranisë së theksuar të huliganizmit ndërmjet nxënësve. E për t’i rehabilituar nxënësit “rebelë”, është kërkuar që të ketë në çdo shkollë nga një psikolog, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.

Vetëm 63 psikologë dhe pedagogë janë të punësuar në më shumë se 700 institucione arsimore në nivelin fillor, të mesëm, të ulët dhe atë të mesëm të lartë në Kosovës.

Këshilltari i ministrit të Arsimit, Arbër Morina, ka thënë për KPress se janë të vetëdijshëm që këta psikologë dhe pedagogë nuk mjaftojnë për të gjitha institucionet, por ka shtuar se ky numër pritet të rritet nga viti në vit.

“Si ministri e Arsimit jemi të vetëdijshëm që numri sa është deri më tani është një numër i cili nuk i plotëson të gjitha kushtet dhe normalisht nuk është një numër i kënaqshëm, andaj MASHT vazhdimisht ka bërë përpjekje edhe me komunat por edhe me Ministrinë e Financave që të siguroj buxhetin, të planifikoj buxhetin që ky numër të shtohet”, ka deklaruar ai.

Morina ka thënë se MASHT ka në plan që ta rris numrin e këtij personeli jo-mësimdhënës në 200 për 2 vitet e ardhshme, por sipas tij, kjo është në plan afatgjatë të Ministrisë.

Se ka pak psikolog dhe pedagog në shkolla ka deklaruar edhe e para e arsimit në kryeqytet.

Arbërie Nagavci, drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë, ka thënë se në 52 institucione të arsimit parauniversitar janë të angazhuar gjithsej 10 pedagogë dhe psikologë, gjë që sipas saj janë të pamjaftueshëm. Por, ajo ka theksuar se për shkak të numrit të kufizuar të stafit që Komuna mund të angazhoj në institucione publike dhe për shkak të mungesës së buxhetit për t’i paguar, tani për tani ky numër nuk ka mundësi të rritet.

Psikologu Dashamir Bërxulli e konsideron të domosdoshme që në çdo shkollë të jetë i  pranishëm psikologu.

Sipas tij, psikologu në shkollë ka rol të pazëvendësueshëm për të siguruar një kujdes më të mirë për nxënësit, por për ta ndihmuar edhe stafin e mësimdhënësve gjatë punës me fëmijë. “Rëndësia e psikologut në shkollë është e rëndësisë së parë. Psikologu në shkollë siguron një kujdes më të mirë për nxënësit, po ashtu i vjen në ndihmë edhe stafit pedagogjik për të punuar më mirë me nxënësit”, tha ai.

Psikologu dhe pedagogu në shkollë në Kosovë parashihen edhe me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, në bazë të cilit secili institucion arsimor duhet ta ketë nga një të tillë.

Ndryshe, në janar të këtij viti, në Shkollën e Mesme Teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë, një nxënës e ka therë për vdekje një kolegë të klasës duke e lënë në vend.  Dy javë më par edhe në Prishtinë, në oborrin e shkollës Emin Duraku kishte ndodhur një vrasje, ku viktimë kishte mbetur një nxënës 14 vjeçar.

Këto janë vetëm disa nga shumë rastet ku dhuna në shkollat e Kosovës është shumë e pranishme.