Lajme

Vështirësi në kthimin e kredive

Rreth 2 miliardë euro është vlera e kredive që kanë marrë qytetarët dhe bizneset në bankat komerciale të Kosovës. Prej tyre kreditë familjare janë rreth 610 milionë €

Pothuajse nuk ka familje kosovare që nuk ka marrë të paktën një kredi nga bankat komerciale në Kosovë. Sipas të dhënave nga BQK, rreth 610 milionë euro është vlera e kredive familjare, ndërsa më shumë se 1.4 miliard euro është kredia e bizneseve nëpër bankat vendore.

Mirëpo për shkak të normave të mëdha të interesit dhe mungesës së stabilitetit biznesor, ka familje që nuk kanë mundur ta kthejnë kredinë me kohë. Këso vështirësi ka pasur  Rifat P. nga Fushë-Kosova, i cili kishte marrë 3 mijë euro kredi në kohën kur punonte si nënkontraktor në “Ferronikel”.

Por, pas disa muajve, kriza e kishte prekur këtë fabrikë dhe për pasojë ai dhe kolegët e tij kishin mbetur pa punë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Që nga ajo kohë Rifati më nuk kishte mundur të siguronte një vend pune të qëndrueshëm dhe për pasojë nuk kishte mundur të kthente kredinë që kishte marrë nga banka për shërim të familjarëve.

“Disa muaj jam përpjekur të jem i rregullt në kthimin e kësteve, por fillova të lë keq familjen. Pastaj nuk kam mundur më ta kthej kredinë, sepse të hyrat në punët e tjera që bëja nuk ishin as afër pagës që e merrja në ‘Ferronikel’. U vështirësua shumë jeta, sepse u rrit edhe presioni i bankës”, ka thënë ai.

“Nuk bën me thënë kurrë, por nuk e besoj që prapë të hyj në kredi, e aq më pak për ndonjë gjë luksi”.

Zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thonë se në bankat komerciale të Kosovës janë të regjistruara mbi 413 mijë kredi aktive, sipas të cilave statistika del se pothuajse çdo familje kosovare ka kredi në banka.

Ky është njëri nga shumë qytetarët që janë në hall me kreditë që i kanë marrë.

Eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, i cili drejton Institutit STRAS, thotë se mungesa e kulturës dhe e vetëdijes qytetare për arsyen e marrjes së kredisë dhe mungesa e menaxhimit të mirë të parasë shpesh i vë në vështirësi familjet për kthimin e kredive.

Në kushte normale, sipas tij, qytetarët përmes kredive gjejnë financim për diçka, që në fakt, në rrethana të tjera e kanë pasur të pamundur.

Ndryshe, siç kanë raportuar më herët zyrtarët e BQK-së, ekziston një rritje e theksuar e kredive të këqija në Kosovë. Sipas BQK-së, viti 2012 ka qenë më i keq për bankat kosovare, të cilat kanë arritur në 130 milionë euro shumën e kredive të këqija, ose 30 për qind më shumë se vitin 2011. Kreditë e këqija vazhdojnë të rriten vazhdimisht, edhe pse janë më të voglat në rajon.