Lajme

Gjakova me orar të zgjatur për Diasporën

Qëllimi që orari të zgjatet, sipas kryetares Mimoza Kusari, është që t’u mundësohet mërgimtarëve t’i kryejnë të gjitha shërbimet administrative dhe komunale

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka marrë vendim që ta zgjatë orarin e punës për punëtorët komunalë, gjatë dy muajve të ardhshëm sa në Kosovë qëndrojnë bashkatdhetarët. Qëllimi që orari të zgjatet, sipas kryetares, është që t’u mundësohet mërgimtarëve t’i kryejnë të gjitha shërbimet administrative dhe komunale.

“Të dashur qytetarë të Komunës së Gjakovës dhe bashkëqytetarë në diasporë. Që nga dita e hënë, qytetarët e Gjakovës do të kenë kohë dy orë më shumë për të kryer shërbimet e tyre. Komuna jonë ka marrë vendim për të zgjatur orarin e shërbimeve për shkak të fluksit veror të shtuar të qytetarëve, sidomos të atyre nga diaspora, për t’u pajisur me dokumente të ndryshme personale”, thuhet në deklaratën e saj.

Sipas Kusari-Lilas, që nga e hëna (07.07.2014), shërbimet e ofiçarisë do të punojnë me orar shtesë.

“Për mundësimin e krijimit të kushteve dhe shërbimeve sa më të mira ndaj qytetarëve, për shmangie të tollovive të mundshme, si dhe përfitimin në kohë, këto shërbime do të zgjasin për dy orë më shumë, respektivisht deri në ora 17:30”, thuhet në deklaratën kryetares së Gjakovës.

Në funksion të ofrimit më të mirë të shërbimit ndaj qytetarëve, në komunën e Gjakovës, sipas Kusari-Lilas, është hapur edhe qendrën informative, e cila do t’iu mundësojë qytetarëve që të paraqesin shkresa të ndryshme që kanë të bëjnë me shërbimet komunale, si ankesa, kërkesa dhe informata në adresë të kryetares.

Ndryshe, punën shtesë nëpër komuna e kanë aplikuar edhe disa komuna të tjera, përfshirë edhe Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës