Lajme
Të zhdukurit, ankthi që ngufatë Kosovën
Sipas statistikave zyrtare, janë edhe 1710 persona të zhdukur nga koha e luftës. Autoritetet në Prishtinë fajësojnë Beogradin që nuk po tregohet bashkëpunues për zbardhjet e të pagjeturve
Gjurmët e luftës në Kosovë vazhdojnë t’i kenë të freskëta, qindra familje kosovare të cilat për çdo ditë presin nga Zyra për Persona të Zhdukur, ndonjë lajm për prindin, vëllanë apo bashkëshortin e zhdukur në luftë. Sipas statistikave zyrtare, janë edhe 1710 persona të zhdukur nga koha e luftës në Kosovë (1999).
Autoritetet në Prishtinë fajësojnë Beogradin zyrtar që nuk po tregohet bashkëpunues për identifikimin e lokacioneve ku janë varrosur shqiptarët. Ndërsa nuk e lënë pa faj edhe bashkësinë ndërkombëtare e cila nuk po i bën trysni Qeverisë së Serbisë, që të paktën të tregohet human në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Anëtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur kërkojnë që çështja e të zhdukurve të vendoset në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, ndërmjet dy delegacioneve. Madje, siç kanë thënë ata, normalizimi i raporteve ndërshtetërore është iluzion derisa nuk mbyllet çështja e të pagjeturve.
Prenk Gjetaj është kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur. Ai tha se për “Abinfo.Ch” në Serbi ka akoma varreza masive të cilat nuk janë identifikua, ndërsa pala serbe po vazhdon të bëj obstruksione për zbulimin e tyre.
“Fajtor kryesor për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është Serbia, për faktin se atje akoma janë në qeverisje njerëzit që kanë shërbyer 15 vjet më parë. Prandaj sikur të tregojnë për varrezat masive, dalin në shesh dhe dokumentohen krimet”, deklaroi Gjetaj, sipas të cilit, Beogradi vazhdon t’i fsheh gjurmët e krimit.
Ai tha se çështja e të pagjeturve duhet të ngritët në nivelin më të lartë politik të bisedimeve, ne mënyrë që Serbia të tregojë se ku i kanë dërguar trupat e shqiptarëve të vrarë. Gjetaj e bëri me faj edhe Bashkimin Evropian, i cili është treguar shumë i ngathët në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Disa shqiptarë u dogjën nëpër furra
“Me vet faktin që BE nuk po dëshiron të merret me këtë çështje, atëherë është bartëse e përgjegjësisë”, deklaroi Gjetaj, i cili nuk është edhe aq optimist se të gjithë të pagjeturit mund të zbulohen. Ai ka një breng tjetër, se disa nga këta shqiptarë mund të jenë djegur nëpër furrnaltat e uzinave të Trepçës, Ferronikelit, Maçkaticës e Mariborit.
“Shpresa nuk vdes kurrë, por gjasat për t’i zbuluar të gjitha janë të pakta. Po përpiqemi t’i zvogëlojmë numrat e të pagjeturve. Ndërsa ata që kanë përfunduar në furrnalta, është vështirë se mund të gjenden”, deklaroi Gjetaj, sipas të cilit, në asnjë luftë nuk gjenden të gjithë që humbin.
Por, së fundi institucionet ndërkombëtare kanë zbuluar një varrezë masive në Rudnicë afër Rashkës në Serbi. Atje gjurmimet antropologjike kanë filluar vitin e kaluar, ndërsa tash ka filluar të punohet intensivisht. Në këtë varrezë dyshohet se janë varrosur rreth 400 shqiptarë.
“Në Rudnicë është thënë se janë nga 200 deri 400. Pala serbe thonë aty janë nga 250-300 trupa, ndërsa informatorët tonë thonë se aty janë rreth 400 trupa, por e vërteta do të dihet kur të përfundoj procesi”, tha Gjetaj për Albinfo.Ch.
Në luftë u zhduket 5650 persona
Gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999) janë zhdukur 5650 persona. Më shumë se 3200 janë identifikuar nëpër disa varreza masive në Serbi, si në Batajnica, Bajna-Bashta, Peruçac, në lumin Danub, etj, dhe janë riatdhesuar në Kosovë me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Ndërsa edhe 1710 janë ende të zhdukur.
“Bazuar në rastet e njëjta në botë, në jemi shumë mirë sa i përket statistikave, por kur kemi të bëjmë me familjarët, atëherë jemi gjithmonë humbës, sepse derisa nuk gjendet edhe personi i fundit nuk jemi rehat”, deklaroi ndërkaq Arsim Gërxhaliu, shefi i ekipit mjeko-ligjor nga Kosova.
Gërxhaliu aktualisht është duke qëndruar në Rudnicë, për t’u marrë me secilin rast që antropologët e nxjerrin nga varreza masive. Ai tha se në këtë varrezë janë gjet edhe gjashtë mbetje mortore.
“Dje jam kthye nga atje ku janë zbuluar edhe gjashtë mbetje mortore. Terreni është relativisht i keq sepse mbi viktima ka pasur objekt dhe asfalt. Ne e kemi rrënuar edhe një objekt në pikën zero ndërsa aktualisht e kemi angazhuar një ekskavator që shkon deri në dhjetë metra thellësi”, përshkroi punimet Gërxhaliu.
Ekipet kosovare, sipas tij, janë në një pozitë të palakmueshme, por siç tha Gërxhaliu, me fat.
“Të palakmueshme që nuk kemi arrit të krijojmë antropolog kosovar, ndërsa e mira është se i kemi antropologët ndërkombëtarë e jo të Serbisë. Kjo është e mirë edhe për faktin se kjo çështje ndërmjetësohet nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar”, deklaroi ai për Albinco.Ch.
Kosovarëve iu mungojnë informacionet
Problema kuqe, sipas tij, është mungesë e informacionit për ekzistimin e ndonjë varrezë masive. “Esenca është se ne jeni të mangët në informacion, ndërsa adresa për këtë është Beogradi, sepse kemi të bëjmë me një shtete policor dhe ushtarak të organizuar mirë”, deklaroi ai.
Sa i përket varrezës në Rashkë, Gërxhaliu tha se të hënën do të fillohet puna në dy fronte.
“Në njërën anë do të punojë me antropologji ndërsa tjetra në mjekësinë ligjore sepse i kemi instaluar tavolinat e autopsisë në vendin e ngjarjes. Aty do të bëhet edhe autopsia e mbetjeve që dalin nga dheu”, tha ai.
Mirëpo Gërxhaliu e ka një frikë tjetër që mund t’ua ngadalësoj përpjekjet – motin e keq. “Tash i frikësohemi edhe kohës më shi, sepse në vendin ku po është varreza dhe ku po punohet, është rritë niveli i lumit Ibër dhe po frikësohemi se mos po na del uji në pjesën ku po punojmë ne”, deklaroi ai.
Gërxhaliu megjithatë mbetet optimist se gjërat do të ecin mirë në rastin e Rudnicës, pasi që në këtë proces janë përfshirë edhe hetuesit e EULEX-it, ata të palës serbe, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Komuniteti ndërkombëtar për persona të pagjetur me seli në Sarajevë.
ADN brenda 6 javësh
Madje këta të fundit u kanë premtuar institucioneve kosovare se do t’i bëjnë analizat e ADN-së. Sipas Gërxheliut, ata janë zotuar se prej kohës që i marrin mostrat, brenda 4 deri 6 javësh i kthejnë analizat dhe menjëherë në bashkëpunim me familjarët, fillon procedura e rivarrosjes.
Për çështjen e të pagjeturve është deklaruar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo ka premtuar angazhimin e institucioneve për zbardhjen e fatit të pagjeturve, si një nga plagët më të dhimbshme të luftës.
“Ne ende nuk kemi arritur që të zbardhim fatin e qytetarëve tanë që janë zhdukur gjatë luftës, pavarësisht punës së madhe, përkundër rezultateve që janë arritur deri tash, kërkohet ende punë e madhe që të zbardhet fati i personave të pagjetur… Ky ka qenë dhe vazhdon që të jetë një ndër përkushtimet e mia gjatë gjithë punës sime”, ka theksuar Jahjaga.
Ndryshe gjatë kohës së luftës në Kosovës, forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe kishin vrarë më shumë se 10 mijë shqiptarë civilë, ndërsa për t’i fshehur gjurmët e krimit, trupat e tyre i kishin dërguar në Serbi.
Varreza e zbuluar në Rudnicë, kishte qenë moçal ku ishin hedh trupat e shqiptarëve, ndërsa mbi të është hedh rënë dhe është ndërtuar një objekt, ndërsa pjesa e varrezës ishte shtruar me asfalt. Për këto krime deri më tani janë dënuar disa gjeneralë dhe ish-politikanë serbë nga Tribunali Penal i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”









