Lajme

Kosovë, brenda 5 vitesh, 250 fëmijë me kancer

Sipas të dhënave zyrtare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, vetëm gjatë dy muajt e parë të këtij viti, janë paraqitur 8 raste të reja me kancer

Brenda pesë viteve të fundit, rreth 250 fëmijë janë diagnostikuar me kancer, duke alarmuar kështu edhe vetë stafin mjekosh në Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, vetëm gjatë dy muajt e parë të këtij viti, janë paraqitur 8 raste të reja me kancer.

 

Omer Mehmeti edhe dy muaj i mbush tre vjet, ndërsa trupin e njomë të tij e ka përfshirë një tumor në tru (ganglioneuroblastoma). Diagnostikimi me këtë sëmundje, siç raporton “Zëri” ia ka ndalur hovin e rritjes normale, “sugarit” të kësaj familjeje nga Kamenica. 

 

Pamundësia për të vazhduar mjekimin në QKUK për këtë lloj diagnoze, ka ngjallur në të gjitha komunat e vendit aktivitetin humanitar për t’i dalë në ndihmë financiarisht Omerit, përderisa disa ditë më parë, po ashtu, ndihmë është filluar të kërkohet ndihmë edhe për 16-vjeçaren Rebeka Rexhepi, e cila u diagnostikua me kancer.

 

Në Klinikë të Pediatrisë, në repartin e hemato-onkologjisë shumë fëmijë po trajtohen nga sëmundjet malinje. Vetëm brenda dy muajve të këtij viti (janar dhe shkurt) tetë fëmijë janë paraqitur si raste të reja të prekura nga sëmundjet malinje, ku prin leukemia akute.

 

Pediatrja Rufadie Maxhuni, shefe e repartit të hemato-onkologjisë së pediatrisë, thekson se që nga viti 2008 kur në këtë klinikë është krijuar ky repart, të dhënat për kancer te fëmijët janë në rritje.

 

“Në vitin 2009 kanë qenë 36 raste, në vitin 2010, 56 raste, në vitin 2011 janë 52 raste, në vitin 2012 kemi pasur 44 raste të reja, në vitin 2013 kanë qenë 48 raste, ndërsa në këtë vit, deri më sot janë të konfirmuara tetë raste të reja me malinjitet ku 4 prej tyre janë me leucemia acuta lymphobllastica,1 lymphom,1 histiocytozis,1 tumor i testiseve dhe një tumor i ovarit”, ka thënë Maxhuni.

 

“Vitin e kaluar (2013) kanë qenë 48 raste, prej tyre 25 me leukemi, 16 leucemia acuta lymphobllastica… 46, 47 deri në 53 raste kemi pasur tash dy tri vjet.  Po rritet numri, një numër i fëmijëve marrin këto trajtimin, por ka prindër që gjejnë fonde dhe gjejnë mundësi t’i dërgojnë jashtë vendit”, thotë Maxhuni, derisa bën të ditur se fëmijët e prekur nga kanceri janë dhe ndër 1 vjet.

 

Talat Gjinolli, udhëheqës i grupit të ekspertëve të shëndetësisë në AAK, ka thënë për gazetën se duhet të formohet një grup apo një “task-forcë”, e cila i drejton të gjitha forcat e veta shkencore në drejtim të hulumtimit të këtyre rasteve që po paraqiten kaq shpesh

 

“Ne ende nuk e kemi sistemin informativ shëndetësor të shëndetësisë. Nuk kemi numër të saktë të të sëmurëve. Është shqetësues numri i madh që po paraqitet për një herë dhe duhet ta shqetësojë edhe Ministrinë e Shëndetësisë edhe të gjithë profesionistët shëndetësorë. Madje, në një afat shumë të shpejtë duhet të ngrihet një komision dhe duhet ta trajtojë këtë problematikë duke i përfshirë profesionistët e pediatrisë dhe ata që merren me këtë problematikë”, ka thënë Gjinolli.

 

Por, Faik Hoti, drejtor i departamentit të informimit në MSH, thotë se MSH-ja në bazë të buxhetit dhe kompetencave që ka po ndihmon këto raste.

 

Ai thotë se secili rast i leukemisë mbështetet nga MSH-ja me 30.000 euro, si dhe kanë dhënë mbështetje edhe për t’u dërguar në Turqi, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit…