Lajme

FSK vitin tjetër bëhet ushtri

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi, tha se eshalonët e FSK-së për herë të fundit parakalojnë nëpër Shesh, me të njëjtën uniformë. Pas disa muajsh, FSK, sipas tij, do të bëhet FAK

Mijëra qytetarë të ardhur nga të gjitha komunat e vendit, përcollën nga afër, paradën ushtarake të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe të Policisë kosovare, në parakalimin e tyre nëpër qendër të Prishtinës, me rastin e shënimit të ditëlindjes së gjashtë të shtetit të Kosovës.

Ky parakalim, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, është i fundit për FSK-në, e cila vitin tjetër do të transformohet në ushtri.

Kryeministri tha se na ndan një kohë e shkurtë, javë apo muaj nga themelimi i Forcës së Armatosura të Kosovës, të cilat do të jenë të gatshme të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Na ndan një kohë shumë e shkurtër nga themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Pra, një kohë shumë e shkurtër na ndan nga forca e re cila do t’i ketë kapacitetet e  mbrojtjes dhe do ta ketë një mandat të ri, madhësinë dhe strukturën e re”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Forcat e Armatosura të Kosovës, sipas tij, do të zhvillohen ashtu që të janë të gatshme dhe të afta ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Ai tha se forca e re t’i mbrojnë interesat e Kosovës, qytetarët e saj dhe pronën e tyre.

“Ato do të kontribuojnë për ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global.

Aftësia që ne vet ta mbrojmë vendin tonë dhe t’i plotësojmë nevojat tona të sigurisë është, po ashtu, parakusht për integrimin e suksesshëm të Kosovës në strukturat Euroatlantike”, deklaroi më tej Thaçi

Ai po ashtu falënderoi FSK-në për punën që kanë bërë gjatë gjashtë viteve të shkuara, por edhe në TMK e UÇK. “Që nga themelimi i FSK-së ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme, prandaj sot edhe njëherë si kryeministër i Qeverisë së Kosovës, ju uroj dhe përgëzoj, për punën tuaj të jashtëzakonshme”, tha Thaçi.

Edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila me kushtetutë është komandante supreme e forcave të armatosura, tha se pavarësia e Kosovës është vepra më e lartë të cilës qytetarët e vendit i dhanë frymë dhe e jetësuan. Ajo tha se nderi më i madh për këtë ditë, bie mbi dëshmorët e luftës.

“Keni nisur festën e shënimit të 6 vjetorit të shpalljes së paktit më të rëndësishëm në historinë më të re të vendit që u ndërtua me idealin e gjeneratave që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë. Kjo është vepra më e lartë të cilës ju i dhatë frymë dhe shpirt dhe e bëtë të përjetshme”, ka thënë ajo.

Jahjaga tha se në këtë gjashtë vjetor të pavarësisë duhet të dëshmojnë se po ruajmë vlerat e gjeneratave të tëra që u sakrifikuan. Ajo tha se Kosova ka shkuar të tashmen me paqe me ndihmën e miqve ndërkombëtar.

“17 shkurti shënon historinë e pakthyeshme dhe të pamohueshme të shtetit të Kosovës”, tha Jahjaga, sipas të cilës, pavarësia e Kosovës është garantuese e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore.

Qytetarëve në këtë gjashtë vjetor iu drejtua edhe ambasadorja amerikane, Tracey Jabocson, e cila foli për zhvillimet politike, por edhe për mbështetjen e shteteit të saj për Kosovën e pavarur. “Për të pasur sukses nevojitet kontributi i të gjithëve, pa marrë parasysh etninë, lidhjet politike, apo gjendjen sociale”, deklaroi ajo.

“Natyrisht forcimi i sundimit të ligjit mbetet prioritet dhe për këtë gjë ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në mënyrë të ngushtë. Dhe, nga zemra ime si Ambasadore dhe mbështetëse e juaja, gëzuar Dita e Pavarësisë”, tha ajo.

Ndryshe, Kosova gjatë ditës së sotme po e shënon ditëlindjen e gjashtë të shtetësisë, ndërsa shumë aktivitete, kulturore e sportive, po mbahen në kryeqytet dhe nëpër komunat tjera të Kosovës.