Lajme

Trajneri i Kosovës i gëzohet vendimit të FIFA-s

Trajneri i Kosovës në Futboll, Albert Bunjaki e ka pritur si sihariq vendimin e FIFA-s për lojëra miqësore. Ai shpreson se Kosova të garojë për Kampionati botëror 2018

Vendimin e FIFA-s për t’ia lejuar Kosovës lojërat miqësore, e kanë mbushur me shpresë trajnerin e Kosovës, Albert Bunjakin, i cili e sheh si rast të mirë që talentet kosovarë të dalin nga izolimi. Ai tha se lajmi i të hënës ka qenë sihariqi më i mirë për futbollin kosovar.

Bunjaki nuk ka caktuar ende datën se kur do të bëjë grumbullimin e parë, nuk e di as kundërshtarin e parë, por thotë se tash është faza kur Kosova duhet të dëshmojë veten, derisa synimi i tyre është kualifikimi në botërorin 2018.

“Është një hap shumë pozitiv ngase edhe pse fjala është për lojë miqësore, është veprim politik i cili thyen izolimin e futbollit kosovar, e në aspektin sportiv ka një peshë shumë të veçantë ngase na jep mundësinë që të parapërgatitemi për hapin tjetër”, tha Bunjaku

Sipas tij, grumbullimi i parë i lojtarëve do të ndodhë vetëm sipas datave të FIFA-së të caktuara për miqësore.

“Edhe më herët kemi punuar në bazë të kalendarit të FIFA-s dhe këtë nuk do ndryshojmë. Data e FIFA-së për kombëtare është më 5 mars por kjo kohë do jetë shumë e vështirë të gjejmë kundërshtar ngase koha është e shkurtë dhe pothuajse të gjitha kombëtaret janë të zëna”, deklaroi ai citon “Zëri”.

Planifikimi me kombëtare, sipas tij, duhet bëhet shumë më herët dhe qysh tani “duhet të shikojmë mundësitë për shtator, tetor ose nëntor madje edhe për vitin 2015”. 0

“Nuk është me rëndësi me kë luajmë lojën e parë zyrtare miqësore, por është më rëndësi që të luajmë sa më shumë lojë për këto dy vite dhe të përdorim të gjitha kontaktet dhe mundësitë. Kampionati botëror 2018 është objektivi ynë i përbashkët”, tha Bunjaki.